Profesor Liman Varoshi, njeriu dhe historiani

April 22, 2022
min lexim

Marsi i këtij viti mblodhi në bibliotekën e Universitetit të Elbasanit pedagogë, studiues dhe miq të profesor Liman Varoshit, pasi do të flitej rreth librit të tij “Dukuri dhe personalitete në albanologji”, me bashkautor Mustafa Kadzadej, botuar nga “Naimi” Tiranë. Promovimi ishte njëherësh dhe homazh në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të profesor Limanit, historian dhe ish-rektor i këtij Universiteti. Jetëshkrimi i Liman Varoshit është i pasur dhe të kujton elitën e hershme elbasanase me plot dijetarë në zë, që patën krijuar “Normalen” e Elbasanit në vitin 1909, ku me të drejtë ai si rektor i pati njësuar fillimet Universitetit me ato të kësaj shkolle historike. Limani u lind në 15 nëntor 1958 në Elbasan, qytetin që e bënte “poet” kur fliste për të gjithë pasion e dashuri. Në vitin 1983 u diplomua për Histori-Gjeografi në Universitetin e Tiranës dhe punoi mësues në Mirditë, pastaj në shkollën e mesme të Belshit, metodist në Kabinetin Pedagogjik Elbasan deri në vitin 1991 kur do të emërohej drejtor i Muzeut Historik të rrethit. Në këtë periudhë nis dhe përfshirja e tij në jetën akademike si pedagog në Departamentin e Historisë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Në biografinë e tij shkruhet se fusha kërkimeve shkencore të profesor Limanit ishte historia e Ballkanit, historia bashkëkohore, historia e diasporës, duke qenë njëherësh edhe titullar i kurseve universitare të këtyre fushave. Ai ishte veçanërisht një studiues i zellshëm i historisë së Elbasanit dhe një nga njohësit më të mirë të kontributeve historike, politike dhe arsimore në dy shekujt e fundit të këtij qyteti. Fryt i punës së tij studimore është botimi i disa veprave në lëmë të historisë. Profesor Limani ligjëroi në disa universitete të vendit dhe të huaja, si atë të Tiranës, Tetovës, Pavia-s (Itali), Ludvig-Maximilian të Mynihut (Gjermani), Univerisitetin e Veliko Tërnovo-s (Bullgari) etj.

Profesor Liman Varoshi i përket elitës së re diturore elbasanase, vijuese e plejadës së ndritur që nis me Kristoforidhin e Dhaskal Todrin, për të vijuar me Lef Nosin e Et’hem Haxhiademin, Aleksandër Xhuvanin e Aleks Budën, Dhimitër Shuteriqin e Mahir Domin, Bedri Dedjen e Shaban Baxhakun, Kol Popën e Kol Papariston, Dhimitër Xhuvanin e Fatos Kongolin etj.

Në gjurmë të Lef Nosit dhe traditës elbasanase

Libri i fundit “Dukuri dhe personalitete në albanologji”, ndër të tjera, ndriçon veprimtarinë e rilindasve elbasanas dhe rolin e tyre në krijimin e shtetit shqiptar. Aty shkruhet se pavarësisht nga situatat, “elita politike e Elbasanit e kryesuar nga Aqif Pasha dhe rrethi i tij, Lef Nosi, Qemal Karaosmani, vëllezërit Dakli dhe shumë të tjerë në rezultanten e përgjithshme i qënduran konseguentë linjës së bashkëpunimit dhe mbështetjes së Ismail Qemalit dhe qeverisë së kryesuar prej tij”. (f. 105.) Në këtë monografi del mjaft mirë personaliteti i Lef Nosit, si intelektual i rendit të parë, sipas autorëve: “bartësi më autentik i treguesve qytetërues që ky mjedis (ai elbasanas – shënimi ynë) kishte krijuar përgjatë gjithë historisë së ngritjes dhe zhvillimit”, figura komplekse e të cilit trajtohet gjerësisht në kreun “Mbi trashëgiminë intelektuale dhe politike të Lef Nosit”, trashëgimi e pashoqe “në të gjitha fushat e kulturës kombëtare”, si koleksionist i fondeve dhe burimeve dokumentare, si fondkrijues i një thesaurus-i të arkivave të Shqipërisë, si personalitet me ndihmesa të vlefshme në etnologji, foklor, histori, arkeologji, orientalistikë, besim, arte pamore, letërsi, numizmatike, filateli etj. (f.155). Autorët, gjithashtu, e kanë rrokur figurën e Nosit edhe në rrafshin politik, duke sjellë në trajtë sintetike disa nga treguesit themelorë, të cilët përcjellin imazhin real të tij, një shqyrtim për mendimin tonë me mjaft interes. Veprimtaria politike e Lef Nosit, shkruajnë ata, nuk mund të shkëputet nga ajo e personaliteteve të tilla sikurse ishin Ismail Qemal Vlora, Aqif Pashë Elbasani, Luigj Bumçi, Luigj Gurakuqi, Mehdi Frashëri, Mit’hat Frashëri etj. (f. 170). Përmes kësaj përmbledhjeje me studime historike, lexuesi njihet me kontribute të vyera shkrimore, studimore të Margaret Hasluck, Mitrush Kutelit, Mehdi Frashërit, Xhafer Belegu etj. Meritë e autorëve Varoshi dhe Kadzadej është se ngjarjet historike të periudhës së Pavarësisë, Luftës së Dytë etj. dhe rolin e disa prej protagonistëve në to i vështrojnë në mënyrë kritike, duke e pasuruar mendimin historiografik rreth tyre.

Dhjetë vjet më parë më 2012, Liman Varoshi i kushtoi një monografi europeizmit si mënyrë të menduari dhe lëvizje politike. Sa dimë ishte hera e parë që një temë e tillë rrokej gjerësisht dhe thellë nga një autor shqiptar, çka e bëri dyfish të mirëpritur këtë botim, me shpresën se tashmë librat e kësaj natyre do të ndikonin edhe në kultivimin e një tjetër sjelljeje politike te ne. Asokohe, në njërën nga të përditshmet, patëm shkruar: “Ky studiues i përkushtuar, që vjen nga bota akademike, i ka bërë një skaner zhvillimit politik, ekonomik dhe demokratik të Europës e Amerikës, qysh nga Lufta e Dytë Botërore, duke u ndalur në idetë, nismat, lëvizjet dhe projektet e realizuara përgjatë gjithë epokës së Luftës së Ftohtë. Ai shkoqit në mënyrë të veçantë rolin e Detantës si përshpejtuese e zhvillimeve pozitive në marrëdhëniet ndërkombëtare, “shkrirjen e akujve” ndërmjet shteteve etj… Liman Varoshi është tashmë një specialist për çështjet e Ballkanit, Europës, pasi në pak vite ka botuar edhe librat studimorë: “Ballkanet mes tri perandorive” dhe “Lufta e Ftohtë në Europën e Lindjes”, duke e çuar në tre numrin e monografive kushtuar zhvillimeve historike dhe bashkëkohore europiane. Në veprat e tij spikat stili i drejtpërdrejtë dhe analitik i të shkruarit, i parënduar me “akademizma”, duke i bërë ato sa shkencore për studentët dhe rrethet akademike, aq dhe të lexueshme nga publiku”.

Veprimtaria e tij akademike u ndërpre në kulmin e karrierës dhe tashmë për botimet, dorëshkrimet dhe arkivin e tij kujdesen kolegët e Departamentit të Historisë dhe bashkëshorja Ela, gjithashtu pedagoge në Univesritetin e Elbasanit.

Dy vitet e Limanit në Mirditë dhe një intervistë e tij

Qemë njohur herët me Limanin, kur sapo kishte mbaruar studimet dhe ende nuk i peshonin gradat universitare, por shihej nga rezultatet e larta dhe bisedat me të se e ardhmja e tij ishte historiografia, krahas mësimdhënies, dhe pse rruga nuk do të ishte pa pengesa. Erdhi në Mirditë në vjeshtën e vitit 1982 dhe nuk di pse hyri dhe mbeti tek unë si njeriu i Ditës së Verës, mbase ngaqë i telefonoja gjithmonë në këtë ditë, apo se Limani kishte një verë të përjetshme në shpirt. Shërbeu si mësues histori-gjeografie në Simon dy vite 1982-1984, duke lënë gjurmë të pashlyera tek nxënësit, kolegët dhe banorët.

Hynte në shtëpitë e fshatit, i pëlqente të dëgjonte të moshuarit, sidomos kur ata vargëzonin pemën e origjinës familjare dhe të “fisit” që ndonjëherë vente deri në pesëmbëdhjetë brezni. Prindër të fëmijëve që ai mësonte ishin dhe minatorët e Qafë-Vorrëzit, ku ai vente shpesh, pasi aty ishte dhe Postë-Telegrafa nga ku lidhej me familjen. Kur Limani erdhi arsimtar në Simon, si të ishte “këmbyer” me Ndue Kanarin, një inxhinier të ri ekselent vendas, emëruar në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve Metalurgjike në Elbasan, për të shkuar më pas për specializim në Francë, ku sot është shkencëtar pranë Universitetit të Lorenës.

Limani fliste me mirësi për shokët e tij të Fakultetit Histori-Filologji, Tiranë, që i kishte përzemër. Por nëse ai nuk qëndroi gjatë mes mirditorëve, duke u kthyer në vendlindjen e tij, në Elbasan, miqësia jonë nuk u shua asnjëherë. Për më tepër, njohja u bë familjare, shkonim e vinim te njëri-tjetri, sidomos në promovime librash etj. Limani u bë rektor i Universitetit të Elbasanit, për shumë vite, por asnjëherë nuk u “ngurtësua” nga posti, mbeti po ai, i qeshur, i ditur, njerëzor, me një kujtesë brilante, që dhe pas dyzet vitesh të pyeste me emër e mbiemër për të njohurit e tij të dikurshëm në zonën e Kaçinarit.

Vite më parë është botuar një libër me intervista për Mirditën nga autorë bashkëkohorë, ndër të cilët ishte intervistuar dhe Limani, i cili pati shkruar: “Unë kalova disa vite të rinisë sime në Mirditë, më saktë në fshatrat e saj. Në vitet kur unë u emërova atje, tek brezat universitarë ekzistonte një panik në lidhje me emërimet në rrethet e Veriut. Dihej mirë se Shqipëria s’qe e zhvilluar në mënyrë të barabartë, pavarësisht se propagandohej e kundërta. Nëse ju kujtohet, një vajze dropullite që erdhi e emëruar në Mirditë si mësuese dhe u martua me një djalë vendës iu bë shumë bujë në shtyp, pikërisht për të hequr këtë panik nga mendjet e këtij brezi. Unë nuk mund të them se e prita me dëshirë këtë emërim, do të ishte hipokrizi. Kisha mbaruar me një mesatare të lartë, më ishin bërë premtime për punë në katedrën e historisë në Universitet, kështu që prisja një emërim më vlerësues për mua. Më vlerësues, në kuptimin që të kisha mundësi të jepja më shumë. Ndryshe është në një katedër e ndryshe në një shkollë fshati. Megjithatë, pa dashur të mburrem, nuk bëra si disa, që mbeteshin zyrave të shtetit të asaj kohe, duke u lutur, por erdha në Mirditë dhe fillova punën. Shumë përshtypje më ka bërë komunikimi midis njerëzve, pasuria etnografike në të folur dhe ritet e mikpritjes. Unë çuditesha kur në një sofër mirditore dollia niste me “Qoftë lëvdue Jezu Krishti!”, në një kohë që feja ishte e ndaluar. Diçka tjetër që më ka lënë mbresa ka qenë rituali mortor që kam parë në këtë krahinë, e më konkretisht në zonën e Kaçinarit. Nuk më ka ndodhur të kem qenë i pranishëm në ceremonitë e dasmave, por në dy-tri raste kam qenë i pranishëm në ceremoni mortore. Aty kam parë t’i bëhej nderim i madh personit që gëzonte një reputacion publik në shoqërinë mirditore, kryesisht për shkak të urtësisë e mençurisë që kishte reflektuar në marrëdhënie me komunitetin dhe më gjerë. Për më tepër, kur ky status gërshetohej edhe me atë fisnor, nderimi i kalonte përmasat edhe të krahinës. Një nderim i tillë madje e tejkalonte nderimin që i bëhej një personi që zinte një pozicion të caktuar në hierarkinë partiake dhe shtetërore të kohës. Do të doja sërish t’i vizitoja këto vende që më zgjojnë kujtime të bukura, por, për fat të keq, ngarkesa e punës nuk më lejon të vij aq shpesh sa ma do zemra”. (Gjon Marku, “Antologji e mendimit bashkëkohor për Mirditën”, II, Tiranë 2014.)

_____________

Post Skriptum: Gjysma tjetër e intervistës së tij është një kushtim personal për miqësinë tonë, ndaj nuk e bëmë pjesë “zyrtare” të shkrimit, por nuk na u duk e arsyeshme as t’ia “fashihnim” lexuesit, jo vetëm se ajo është botuar më parë, porse tregon se si ai i receptonte fillimet krijuese të një miku dhe si e mbështeste atë.

Pyetje: Ju keni ardhur në Shkodër në promovimin e librave të Ndue Dedës, organizuar nga Biblioteka “Marin Barleti” e këtij qyteti – a do të thotë kjo se vazhdoni t’i mbani lidhjet me Mirditën edhe pas 30 vitesh nga koha kur ishit atje me punë?

Përgjigje: “Ndue Dedaj është një prej miqve që më pritën në Mirditë, në fillim të viteve ’80, një mik që unë e çmoj shumë, dhe nuk mund të mos merrja pjesë në promovimin e librave të tij, jo në Shkodër, por dhe në majë të malit të Munellës po të bëhej. Predispozitën dhe pasionin për të shkruar të Ndues fatmirësisht unë e vërejta pikërisht në vitet që punonim bashkë. Më bënte përshtypje thellësia e mendimit që reflektohej jo vetëm në biseda, por edhe në mënyrën e tij të të shkruarit. Për më tepër unë shquaja tek ai një lloj romantizmi në shkrime, sa shpesh i thosha me humor “Je një romantik i pandreqshëm”. Madje mendimin tim për shkrimet e Ndue Dedës nuk ngurrova t’ua thosha atëherë dhe miqve të mi të afërt, Shaban Sinani e Teodor Keko. Mbaj mend që Shabani i pati shkruar një letër simpatike, me shkrim dore, me konsiderata për poezitë e tij, që kishte lexuar në shtypin letrar, kurse Dori, që nuk ndodhet më mes nesh, në takimin që patëm me Nduen, i foli atij me vlerësim për reportazhet nëpër gazeta dhe i sugjeroi t’i botonte patjetër, si dhe shkrimet letrare. Bëhej fjalë për krijime në formën e skicave, eseve, ku artistikisht pasqyrohej historia e trevës së Mirditës e më gjerë, pasuria shpirtërore e këtij populli, që më pas u bë mbizotëruese në librat e tij. Aftësia e tij krijuese karakterizohej jo vetëm nga letrarësia e spikatur, por në jo pak raste ai, si publicist, dëshmonte se ishte i zoti edhe për shkrime të gazetarisë më profesionale. Dhe ja ku pas shumë kohësh, unë erdha në Shkodër dhe fola me admirim për librat e tij, si “Toka e katedraleve”, “Kanuni mes kuptimit e keqkuptimit” etj. Njohja dhe miqësia me Nduen ishin një ndër arsyet që vitet e qëndrimit tim në Mirditë i kam në kujtesë të gjalla”.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, arrestohet 35-vjeçari në Tiranë

Story i radhës

Sot nga Rusia, nesër nga Kina? Varësia e rrezikshme e Evropës për metale të rralla

Të fundit nga

ShkoLartë