Në kohën e sotme të ekonomizimit, çështjes së zhvillimit ekonomik i kushtohet kujdes i veçantë, si nga aspekti teorik, ashtu edhe nga politika e zbatuar makroekonomike. Andaj, zhvillimi ekonomik paraqet një çështje thelbësore dhe mjaft komplekse të çdo vendi, andaj edhe të trojeve tona etnike dhe dy shteteve tona shqiptare. Kuptohet, këtë çështje për shqiptarët, e bën të ndërlikuar dhe më komplekse, gjendja e rëndë aktuale politike, shoqërore, ekonomike dhe sociale me të cilën përballen trojet tona etnike, si dhe situata e rëndë politike dhe ekonomike ndërkombëtare.
Siç dihet, trevat shqiptare ndodhen tani në një udhëkryq historik ballkanik dhe evropian, të ballafaquara me sfida dhe me një mori problemesh, të cilat kërkojnë zgjidhja akute e të qëndrueshme. Sot shqiptarët në Ballkan gjenden të ndarë në pesë vende me kufij shtetëror imponues në mes tyre, me ç’rast u bë dezintegrimi katastrofal territorial i trojeve etnike shqiptare. Pa dyshim, kjo katandisje me kufij shtetëror, bëri që shqiptarët në kuadër të këtyre vendeve, të jenë populli më i përbuzur dhe pakicë kombëtare. Andaj, si kusht kryesor për tejkalimin e kësaj gjendje të pavolitshme, si dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare, duhet ber riintegrimin e trojeve shqiptare me procese integruese ekonomiko-shoqërore të modeleve rajonale apo ndërkombëtare.
Andaj, për të pasur një zhvillim mbarëkombëtar ekonomiko-shoqëror, si kërkesë decidive dhe imediate kohore shqiptare, kërkohet të kemi një STRATEGJI dhe PROGRAM mbarëkombëtarë. Me ketë rast, bëhet futja në funksion e të gjitha faktorëve të prodhimit dhe lidhja territoriale mbarëkombëtare. Në momentin aktual, proceset integruese ekonomike pa ndonjë problem mund të zbatohen në mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke e përfshirë edhe pjesën e territoreve shqiptare në Maqedoninë Veriore, e me vështirësi ato mund të realizohen me Malin e Zi dhe me Serbinë. Me Serbinë, duhet për herë të zbatojmë parimin e reciprocitetit, si në fushën politike ashtu edhe ekonomike e shoqërore. S’ka dyshim se, faktor kryesor që pa ndonjë problem mundëson proceset riintegruese ekonomike dhe shoqërore ndërshqiptare, është homogjeniteti gjeografik dhe etnik, si dhe faktorët e prodhimit, resurset natyrore, faktori subjektiv dhe komplementariteti i tyre, që paraqesin bazë solide në të cilin mbështeten proceset integruese ekonomiko-shoqërore. Duke marrë parasysh nivelin e ultë të zhvillimit të forcave prodhuese të ekonomive në trojet shqiptare, në kohën e ekonomizimit bashkëkohor, mënyrë dhe faktorë shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik ndërshqiptar, paraqesin format e larta të bashkëpunimit ndërkombëtar, kooperimi, avancimi i kapitalit të përbashkët, formimi i shoqërive aksionare etj. Pos kësaj, për kyçjen e trevave shqiptare në proceset integruese ekonomike rajonale dhe botërore, duhet të kihen parasysh zhvillimet e ngjarjeve politike, shoqërore e ekonomike në kohë e hapësirë që po ndodhin në fillim të mileniumit të ri.
Situata politike dhe ekonomike aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, shtron para nesh shqiptarëve që t’i qasemi edhe ndryshimit të filozofisë ndaj proceseve zhvillimore. Nisur nga mënyra e të menduarit në të kaluarën dhe ndryshimet aktuale konceptuale në këtë fushë, me qëllim të përshtatjes ndaj kushteve bashkëkohore, tek ne shqiptarët duhet bërë rikthesa të mëdha në mendimin ekonomik, nga lind nevoja për të adaptuar një kulturë dhe filozofi të re të zhvillimit, ashtu si e kërkojnë kushtet e ekonomizimit në fillim të shek. XXI. Filozofia e re në vete nënkupton ndryshime strukturore, përkatësisht futjen e të menduarit ekonomik të klimës së “ndryshimeve të përhershme”, përkatësisht të forcohet institucioni i sipërmarrjes dhe të iniciativës private.
Zhvillimin perspektivë të trojeve tona etnike, duhet mbështetur në hartimin e strategjisë zhvillimore afatgjate mbarëkombëtare. Në teorinë dhe praktikën ekonomike ekzistojnë disa forma të strategjive zhvillimore makroekonomike. Mirëpo, strategjia zhvillimore më e përshtatshme për kushtet ekonomiko-shoqërore në të cilat gjenden tani trojet shqiptare, është “Ekonomia e hapur”, që realizohet nëpërmjet formave integruese ekonomike, e që janë:
– Zona preferenciale, që paraqet instrument të veçantë të tregtisë së jashtme, ku preferencat tregtare janë reciproke dhe kanë të bëjnë me lirimin nga doganat për mallrat e përfshira në listën përkatëse. Këtë formë të integrimeve, veçmas duhet zhvilluar me vendet ku kemi trojet dhe popullatën tona etnike, por edhe me vende të tjera..
– Zona e tregtisë së lirë, paraqet shkallë më të lartë të transaksioneve ekonomike mes dy e më shumë vendeve, në bazë të së cilës bëhet anulimi i plotë i doganave në qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve të përfshira në ketë marrëveshje, që duhet zhvilluar mes trojeve tona etnike, kuptohet edhe me vendeve tjera.
– Unioni doganor, parqet bashkimin e dy e më shumë vendeve në një territor doganor me tarifa të përbashkëta doganore, si dhe vendosjen e tarifave doganore ndaj vendeve të treta, që po ashtu edhe këtë formë, veçmas duhet ta zbatojmë me vendet ku kemi trojet dhe popullatën tonë etnike, normalisht edhe me vendet e tjera.
– Unioni ekonomik, paraqet formën më të lartë të tregtisë së jashtme, e cila në vete përfshin: qarkullin e lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve, shërbimeve etj., pa kurrfarë barrierash administrative dhe të politikës fiskale. Këtë formë të integrimeve ekonomike, duhet ta realizojmë sa më parë që është e mundur tani vetëm në mes Shqipërisë dhe Kosovës, përkatësishtë Kosovës dhe Shqipërisë. Me ç’rast formohet tregu i përbashkët shqiptaro-shqiptar me një popullsi mbi 7 milion banorë, dhe në këtë mënyrë integrohet pjesa më e madhe e trojeve tona etnike. Ndërkaq, duhet refuzuar programin “Ballkani i Hapur”, në mes Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë. i cili është në dëm të Shqipërisë dhe të Kosovës, përkatësisht të kombit tonë.
S’ka dyshime se, integrimet në mes trojeve shqiptare, paraqesin bazë për proceset integruese ekonomike ndërkombëtare, përkatësisht procesin e globalizimit, si formë aktuale e proceseve integruese ekonomike botërorë. Globalizimi paraqet integrim të kapitalit, të teknologjisë dhe të informatave në nivel ndërkombëtar, me qëllim të krijimit të një tregu të përbashkët botëror. Tani lufta ekonomike në mes vendeve të zhvilluara është, pikërisht se kush po e përvetëson tregun botëror. Andaj, për të siguruar një perspektivë më dinamike dhe të qëndrueshme zhvillimore edhe ekonomitë e trojeve etnike shqiptare, duhet të kyçen në proceset integruese ekonomike ndërkombëtare.
S’ka dyshim se, transferi teknologjik dhe perfeksionimi i tij, paraqet formën më të përshtatshëm dhe më të rëndësishëm, në zhvillimin perspektiv të ekonomive të trojeve shqiptare. Për sigurimin e transferit të teknologjisë bashkëkohore dhe perfeksionimin në ekonomitë e trojeve tona etnike, nevojiten mjete materiale-investime, si për kah volumi, ashtu dhe struktura ekonomike dhe teknike e tyre. Ky faktor u mungon ekonomive të trojeve tona. Andaj, burimin kryesor të sigurimit të investimeve dhe transferit teknologjik, si dhe të zhvillimit perspektivë të ekonomive të trojeve shqiptare në momentin aktual, e shohë nëpërmjet: investimeve direkte të huaja dhe, në veçanti të kapitalit të mërgatës shqiptare. Mirëpo, këto investime nuk vijnë vetvetiu. Për tërheqjen e tyre, duhet që institucionet përkatëse shtetërore në trojet shqiptare, të krijojnë parakushte dhe kushte institucionale.
Me këtë rast e kisha ndarë mërgatën shqiptare, që mendojë se paraqet faktorë kryesor për zhvillimin perspektiv të trojeve tona etnike. Siç është e ditur, mërgata shqiptare për herë dha kontribut dhe ndihma materiale pa kursyer ndaj vendlindjes së tyre. Ajo tani, është edhe më e përgatitur të ndihmojë zhvillimin ekonomik të trojeve tona etnike, sepse ka kuadro profesionale me përgatitje të larta profesionale dhe biznesmen shumë të suksesshëm, të cilët me avancimin e kapitalit të tyre në këto troje, do të paraqesin faktorë me rëndësi të veçantë në zhvillimin ekonomik, duke mundësuar: ngritjen e kapaciteteve ekonomike, rritjen e numrit të të punësuarëve, rritjen e BPV-së, sjelljen e teknologjisë së re dhe përvojës menaxhuese, përmirësimin e strukturës ekonomike, sigurimin e tregjeve, si dhe kyçjen e ekonomive të trojeve tona etnike në proceset integruese ekonomike ndërkombëtare.
Andaj, që mërgata jonë të avancojë kapitalin e tyre në trojet etnike shqiptare, institucionet vendore të atyre vendeve, veçmas Shqipëria dhe Kosova, duhet t’u sigurojë:
Thjeshtësimin e procedurave administrative, si dhe ofrimin e infrastrukturës ekonomike dhe shoqërore,
Luftën kundër ekonomisë informale-evazionit fiskal dhe kontrabandës ekonomike të cilat krijojnë dhe mundësojnë konkurrencë jolojale,
Stabilizimin e rrymës elektrike, si faktorë me rëndësi në procesin e prodhimit,
Sigurimin e kapitalit-garantimi i investimeve në pikëpamje institucionale, si dhe ofrimi i lehtësirave të politikës fiskale, kreditore dhe të tregtisë së jashtme dhe sigurimin e informatave për tregun vendor,
Luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, nepotizmit, kleptokratisë dhe
Parimin e tretmanit nacional që në vete nënkupton që, subjektet ekonomike të ngritura nga diaspora të trajtohen njësoj si subjektet ekonomike vendore, si nga aspekti i obligimeve ashtu edhe nga fusha e të drejtave.
Pos, proceseve integruese ekonomike të trojeve mbarëkombëtare, është imperativë kohe që të kemi integrime edhe në fushën e lëmenjve shoqërorë. Në këtë fushë, hapi i parë dhe shumë i madh është bërë me unjësimin e gjuhës letrare shqipe. Tani kemi Abetaren e unjësuar për trojet etnike shqiptare, që mendojë se në ketë drejtim duhet shkuar edhe më tej, duke hartuar dhe zbatuar plan-programe të teksteve shkollore, që nga cikli i ulët e deri te arsimi superior, që të jenë me përmbaje mbarëkombëtare, si në: gjeografi, histori. shkencë, kulturë, muzikë etj. Madje, kemi avancuar në thjeshtësimin e administratës së kalimit të kufirit, bile në këtë vit në sezonin turistik, kalimi i kufirit Shqipëri-Kosovë dhe Kosovë-Shqipëri është bërë i lirë. Në këtë mënyrë u bë hapi i parë, që në të ardhmen e afërtë të hiqet ky “gardh” shekullor ndarës mes për mes të trojeve tona etnike dhe i kalbur si i tillë ë shkatërrohet nga trojet tona, njëherë e përgjithmonë.
Andaj, duke e përmbyllur këtë paraqitje në këtë Konferencë shkencore, me të drejtë mund të konkludojmë se, proceset integruese ekonomiko-shoqërore, paraqesin mënyrën, rrugën dhe faktorin kryesor drejtë Ribashkimit mbarëkombëtar. Atë që thonte i madhi Profesor Aleks Buda: “Bashkimi nuk ka alternativë”. Unë do të shtoja se, Ribashkimi nuk është tabu temë, e as utopi, por realitet. Deri sa në shek. XIX dhe XX kishim copëtimin e trojeve shqiptare, në shek. XXI do të kemi Ribashkimin mbarëkombëtar. Mirëpo, për realizimin e këtij qëllimi duhet të jemi unik dhe të flasim me një zë. Atë që thonte i madhi Faik Konica: “Nëse jemi të bashkuar, e pamundura bëhet e mundur, e nëse jemi të ndarë, e mundura bëhet e pamundur”. Apo atë që thonte Shekspiri: “Të jesh apo të mos jesh, kjo është pyetja”.
Andaj, për të realizuar këto qëllime tona shekullore duhet të kemi PLATFORMËN MBARËKOMBËTARE, e cila na mungon, si dhe nevojitet të formohet një frymë e re, me kuadro të reja që në damarët e tyre rrjedhë gjak shqiptari. Këso kuadrosh kemi, si në territoret etnike shqiptare, po ashtu edhe në diasporë, vetëm nevojitet që ata t’i vejmë në krye të partive, institucioneve dhe organeve shtetërore. Perspektiva e vetme mbarëkombëtare shqiptare, është formimi i Shqipërisë natyrale-gjeografike-etnike.
Në fund të më lejohet t’i prezantojë vargjet e më poshtme, të cilat në kohën e okupimit të Shqipërisë dhe një pjese të Kosovës, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në zonën italiane, në të gjitha shkollat në gjuhën shqipe, janë cituar në orët e para të mësimit këto vargje:
“Si e ke emrin more djal
Besa besë unë janë shqiptar,
Se Shqipëria ka një fjalë
ke nën e të kam djal”.
Andaj, shqiptarët kudo që janë, nuk kanë tjetër veç një nënë, që quhet Shqipëri prej Kosove në Çamër, duke u bazuar në parimin: një kombë, një gjuhë, një shtet, një flamur. Rroftë Dita e Flamurit 28 nëntori, moment më madhor në historinë tonë kombëtare.
Rroftë kombi shqiptar!
Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO