Presidentja Vjosa Osmani viziton Kuvendin e Maqedonisë së Veriut

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, e cila qëndron në vizitë zyrtare dyditëshe në vend, transmeton Anadolu.

Siç theksohet në njoftimin e dërguar nga kabineti i Xhaferit, në takim ishin të pranishëm nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski, dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Bashkëpunimit me Kuvendin e Kosovës, Afrim Gashi.

“Kryetari Talat Xhaferi, drejtoi urime për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, me të cilin qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së, dhe vlerësoi se vendimi është me domethënie thelbësore për integrimin e Kosovës në BE”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Xhaferi ka shprehur kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale në të gjitha fushat dhe intensitetin e madh të takimeve të ndërsjella në nivelin e lartë politik.

“Marrëdhëniet miqësore janë reflektuar edhe në bashkëpunimin e frytshëm dhe të shpeshtë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës ndërmjet kryetarëve të dy dhomave ligjvënëse, komisioneve dhe grupeve të miqësisë dhe bashkëpunimit”, thuhet në njoftim.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Kadriu, nënvizoi se Maqedonia e Veriut paraqet shembull dhe model për vendet tjera në rajon, sidomos në planin e marrëdhënieve ndëretnike.

“Presidentja Osmani Sadriu falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme nga vendi për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe theksoi se mbështetja e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të jetë me rëndësi të madhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kërkoi prej kryetarit Xhaferi mbështetje edhe për pjesëmarrjen e Kosovës në Platformën e Krimesë”, thuhet në njoftim.

Xhaferi dhe Osmani Sadriu folën edhe për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, si edhe për nevojën për rrumbullakimin e ndërlidhjes infrastrukturore dhe përmirësimin e kapaciteteve të kalimeve kufitare, me vendosjen e konceptit të kontrolleve të përbashkëta, me çka në masë plotësuese do të lehtësohet komunikimi ndërmjet qytetarëve dhe biznes bashkësisë të dy shteteve.

Bashkëbiseduesit këmbyen informata për ngjarjet aktuale në të dyja vendet dhe u zotuan për realizim më të shpejtë të marrëveshjeve të arritura në seancën e përbashkët të Qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Përpos takimit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, mbajti një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.





Story i mëparshëm

Palestina: Izraeli po e tërheq drejt dhunës rajonin e Lindjes së Mesme

Story i radhës

Bordi ndryshon sërish çmimet e karburanteve, ulet nafta

Të fundit nga