Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se rezultatet e samitit të NATO-s janë “të mira”, por ka theksuar se ato do të ishin “optimale” nëse Kievi do të ishte ftuar për t’u bashkuar me aleancën ushtarake, transmeton Anadolu.
Komentet e presidentit Zelenskyy erdhën në një konferencë të përbashkët për media me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, përpara takimit të Këshillit NATO-Ukrainë në kryeqytetin lituanez Vilnius.
Zelenskyy theksoi se garancia më e mirë për Ukrainën është anëtarësimi në NATO.
Sipas tij, Ukraina do të kontribuojë gjithmonë në sigurinë e Evropës. Presidenti ukrainas shtoi se ai është mirënjohës për “paketën me tre pjesë për ta sjellë Ukrainën më afër” aleancës.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për eliminimin e kërkesës së një plani veprimi anëtarësimi për Kievin.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën, e cila është në tryezën e G7-tës, Zelenskyy tha se nëse anëtarët bien dakord mbi garancitë, “ky mund të jetë dokumenti i parë ligjor që tregon se jemi nën një ombrellë sigurie”.
Këto garanci, sipas tij, do të mbulonin “të gjitha aspektet që kishte Ukraina, por edhe ato që mungojnë”, si mbrojtja ajrore dhe avionët.
Nëse miratimi ndodh, presidenti ukrainas theksoi se ato tema mund të diskutohen në një nivel dypalësh.
Lidhur me ftesën e NATO-s, deklarata e djeshme e samitit të Vilniusit theksoi se aleanca “mbështet plotësisht” të drejtën e Kievit për të zgjedhur vetë rregullat e veta të sigurisë, duke shtuar se “e ardhmja e Ukrainës është në NATO”.
Megjithatë, deklarata tha se aleanca do t’i bëjë një ftesë Ukrainës “kur aleatët të bien dakord dhe kur të plotësohen kushtet”.