Rei Manaj firmosi rinovimin me Sivaspor, një vendim që ka çuditur shumëkënd pasi sulmuesi kishte bërë të qartë se do të largohej nga klubi dhe kërkonte ta bënte këtë që në janar. Por në mediat turke është mësuar se pse futbollisti pranoi që të firmoste marrëveshjen e re me klubin duke u lidhur me të deri në verën e vitit 2026.
Në kontratën ekzistuese të Manajt, ishte vendosur një klauzolë e cila përcaktonte se lojtari do të rinovonte automatikisht në momentin që luante të paktën 20 ndeshje si titullar me Sivasporin në sezon. Një shifër që Manaj e realizonte lehtësisht dhe që i shkonte për shtat klubit sepse kështu do të bllokonte lojtarin që në sfidat në kampionat në muajin janar.
Kjo klauzolë nuk ekziston në kontratën e re të firmosur mes palëve, duke e bërë automatik rinovimin e tij deri në 2026. Por paralelisht me të, tani Manaj ka edhe një klauzolë largimi në kontratën e re, duke mos ia lënë më gjithçka në dorë klubit. Në Turqi bëjnë të ditur se për të blerë Manajn, tani duhet paguar një shumë prej 4 milionë eurosh, që është vendosur si klauzolë në marrëveshjen e re.
Në këtë mënyrë, Manaj është siguruar që klubet e interesuara për të, mund të sigurojnë futbollistin pa kaluar mes shumë negociatash, siç kishte ndodhur më parë me ata që kishin frenuar përballë kërkesave shpesh shumë të larta të Sivasporit gjatë verës.
Burimi: botasot.info