Pas spektaklit në OKB, Rama e ripërtërinë ‘show-n’ e tij teatral edhe në KiE me elokuencë, diksion skenik, me emocione e gjestikulacione, herë epike e herë tragjikomike. Ai përdori edhe figura stilistike, fakte të pamohueshme, përdori edhe rimë kakofonike: “Nuk është për të qeshur”, derisa askush s’qeshte. Edhe Kafkën edhe Dostojevskin, edhe “gjeneralin e ushtrisë se vdekur”, e kompozoi në ‘epikën’ e tij me protagonistin e Kafka-s, Joseph K. që aludohet në Hashim Th. “Është ende atje në Hagë, Joseph K. i gjallë, ende në burg” thekson Rama.
Pra, artisti Rama në mënyrë mjeshtërore e vuri në skenën e KiE-s romanin alegorik të Kafka-s “Gjyqi”(Procesi) me krye protagonistin Joseph K, që është arrestuar për krime të paspecifikuara dhe nuk mundet assesi të kuptojë gjykimin e tij, e që Rama aludon në Hashim Th. dhe procesin ndaj tij. Pra, kjo histori surreale e një njeriu që ndihet i kurthuar në burokracinë cinike të ligjit, kjo formë kafkeske “shpesh konsiderohet si parashikim imagjinativ i totalitarizmit” e kjo fjala e fundit duket se i preku të pranishmit në Asamblenë e Këshillit të Evropës.
Piktori Rama me të drejtë ua punoi të pranishmëve në Asamble, sepse paraardhësit e tyre i kishin ngritë gishtërinjtë, po në këtë vend për një raport të sajuar nga Dik Marti i orkestruar nga Serbia e Rusia, por që paradoksalisht Rama fajtorin primar e vuri Rusinë, duke vazhduat ta kursej Serbinë për arsye veç më të njohura.
Pra, Rama narracionin gjenial të Kafkës e vë në funksion të vetin për të treguar një storje identike. Kafka, kështu e fillon fjalinë në fillim të romanit te tij “Gjyqi”(Procesi): “Dikush duhet të kishte shpifur për Joseph K., një mëngjes, pa bërë asgjë të keqe, ai u arrestua.”, duke aluduar në ish Presidentin e Kosovës Hashim Th. Mesazhi i Ramës u përçua dhe u pranua në forma të ndryshme, ai zgjodhi një rrëfim evolues të pafuqisë së Joseph K. (Hashim Th.) përballë një sistemi krejtësisht të pakuptueshëm, që çuditërisht në rastin e HTH, ai e nënshkroi me dorën e vet. Por, për dy gjëra s’e kuptoj Ramën, (1) pse zgjodhi kryeveprën më pesimiste të Kafkës dhe (2) pse zgjodhi që protagonisti kryesor i tij të jetë Joseph K. për te ilustruar narracionin e tij kur dihet se ai përfundon me ekzekutim.
Rama në spektaklin e radhës gjëmoi me kritika ndaj Këshillit të Evropës, që e ka dhe me të drejtë, ka të drejtë kur kërkon rrëzimin e akuzave të Martit. Mbajti edhe leksione, por sa peshë kanë leksionet, kur ky vjen nga vendi më fukara në Evropë, ku shteti që e qeveris Rama është udhëkryqi i narkomafisë. Rama shante dhe lutej njëkohësisht, u lut që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë, pra ishte edhe lypës edhe krenar. Ai shkaktoi edhe penalti, duke i treguar Këshillit si ta quaj Kosovën, sikur të ishte puna e tij, ai po ashtu u ankua pse Ukraina s’e njeh Kosovën, edhe pse ajo është në mes të tmerrit e agonisë. Foli në mënyrë hipotetike, “Përfytyrojeni Zelensky-n 10 vjet më parë që bëhet pjesë e diçkaje kaq surreale çka është presidenti Thaçi sot.” Por, ai sërish e kurseu Serbinë, mbrojti Ballkanin e Hapur, dhe tentoi të blej simpatinë e shqiptarëve, të asaj pjese që i mungon.
Në mes këtyre dy shfaqjeve të Ramës, ‘spektatori’ shqiptar tani më është ndarë në dysh, në ata që e glorifiojnë Ramën deri në qiell që i mori në mbrojtje luftëtarët e lirisë dhe UÇK-në, dhe tabori tjetër që mendon se Rama pas aq shumë dështimesh në qeverisjen e vendit, pasi ai më shumë kohë i përkushtoi Ballkanit të Hapur dhe miqësisë vëllazërorë me Vuçiqin, koncertit të Bregiviqit, dhe injorim të homologëve Kosovarë, duke luajtur lojën e dyfytyrësisë. Por, si na doli Rama këto ditë, pas këtyre dy spektakleve; kleptokrat dhe i neveritshëm, – mbresëlënës dhe i admirueshëm apo diku në mes.