Policia e Kosovës bëri të ditur se ka angazhuar kapacitetet e saj për mbarëvajtjen e protestës së paralajmëruar për sonte në orën 21:00 në sheshin qendror të Prishtinës si dhe për menaxhimin e trafikut rrugor.
Sipas Policisë, pas protestave të qeta në kryeqytet, disa pjesëmarrës kanë vazhduar të qarkullojnë me automjete nëpër rrugët e Prishtinës, duke kryer vozitje të pakontrolluara dhe të rrezikshme.
Disa persona kanë dalë dhe kanë qëndruar në dritaret apo mbi veturat në lëvizje, duke rrezikuar veten dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, përfshirë këmbësorët, pohoi Policia.
“Veprimet policore në terren kanë të bëjnë ekskluzivisht me parandalimin e ngasjes së rrezikshme e të pakontrolluar të disa automjeteve pas protestave”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia hodhi poshtë pretendimet e shpërndara në rrjetet sociale se qytetarët po ndalohen apo ndëshkohen për shkak të flamujve të UÇK-së.
“Policia e Republikës së Kosovës nuk ka ndaluar, ndëshkuar, e as ushtruar dhunë ndaj asnjë qytetari, për shkak të simboleve historike kombëtare apo simboleve të UÇK-së, por për shkak të shkeljeve ligjore”, thuhet në njoftim.
Policia bëri të ditur se angazhimet e saj kanë për qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve, mbarëvajtjen e protestës në mënyrë të qetë dhe të sigurt, menaxhimin e trafikut dhe parandalimin e vozitjeve të rrezikshme.
Burimi: botasot.info


