Po afrohet El Clasico

min lexim

Dy gjigantët e futbollit spanjoll, Real Madrid dhe Barcelona, po e dominojnë edicionin e ri të La Ligas. “Los Blanos” dhe “Blaugranat” po bëhen gati për përplasjen e parë sezonale (16 tetor) në nivel të ngjashëm, gjithsesi kanë edhe disa gjëra që i ndajnë.

1-Barcelona është pothuajse dy vjet më e re. Mosha mesatare e ekipit të parë të Barcelonës është 25.3 vjeç, ndërsa e Realit të Madridit, 27.1. Vetëm André Ter Stegen, Gerard Pique, Jordi Alba, Sergi Roberto, Sergi Busquets dhe Robert Lewandowski janë mbi 30 vjeç në klubin e Barçës. Te “Merenguesit” i kanë kaluar tri dekada jetë Thibaut Courtois, David Alaba, Dani Carvajal, Nacho Fernández, Toni Kroos, Luka Modric, Eden Hazard, Karim Benzema dhe Lucas Vázquez. Alejandro Balde, Pedri, Gavi, Pablo Torre dhe Ansu Fati nuk i kanë mbushur të njëzetat te Barcelona. Eduardo Camavinga është i vetmi tek ekipi i parë i Realit nën 20 vjeç.

2- Skuadra e Realit ka pesë lojtarë që e kanë fituar pesë herë Championsin: Nacho Fernández, Toni Kroos, Luka Modric, Dani Carvajal dhe Karim Benzema. Përveç kësaj, nga 24 lojtarët e ekipit të parë të Realit të Madridit, vetëm Aurélien Tchouaméni nuk ka qenë kampion i Champions League.

Te Barcelona, ​​të vetmit që e kanë fituar Championsin janë: André ter Stegen, Gerard Pique, Andreas Christensen, Marcos Alonso, Jordi Alba, Sergi Busquets, Sergi Roberto dhe Robert Lewandowski. Asnjë prej tyre nuk arrin pesë trofe: Pique është ai që ka më shumë, katër Champions.

3-Tre kampionë bote të Barçës dhe vetëm një lojtar i Realit. Pavarësisht se ka skuadër më të re, janë tre lojtarë të Barcelonës që e kanë fituar Botërorin: Gerard Piqué, Sergi Busquets dhe Ousmane Dembélé. Toni Kroos, kampion në vitin 2014, është i vetmi futbollist i Realit të Madridit që mund të mburret se ka ngritur Kupën e Botës.

4- Një “Pichichi” dhe tre “Zamora” te Reali i Madridit, asnjë nga Barça. Është interesante se vetëm një futbollist nga të dyja skuadrat ka nderin të jetë golashënuesi më i mirë në La Liga. Është Karim Benzema, i cili e fitoi çmimin në sezonin 2021-2022 me 27 gola.

E njëjta gjë ndodh edhe me trofeun “Zamora”. Thibaut Courtois është i vetmi që e ka fituar çmimin e portierit të mirë, madje tri herë: me Realin e Madridit në 2019-20 dhe me Atléticon e Madridit në 2012-13 dhe 2013-14.

5- 11 lojtarë të akademisë janë te Barcelona, pesë më shumë se te Reali. Barça vazhdon të shfaqë besim më të madh te talentët e saj të rinj. Iñaki Peña, Arnau Tenas, Héctor Bellerín, Gerard Pique, Ronald Araújo, Eric García, Sergi Roberto, Alejandro Balde, Sergi Busquets, Gavi dhe Ansu Fati kanë qenë pjesë e La Masías.

Nga ana tjetër, Valdebebas përfaqësohet në ekipin e parë të Realit me gjashtë lojtarë: Luís López, Dani Carvajal, Nacho Fernández, Fede Valverde, Lucas Vázquez dhe Mariano Díaz. Vinícius Jr. dhe Rodrygo kanë luajtur me Real Madrid Castilla, por ishin pjesë e ekipit të parë.

6- I vetmi lojtar që e ka fituar “Topin e Artë është pjesë e skuadrës “merengues”. Luka Modric u shpall në vitin 2018 futbollisti më i mirë në botë. Karim Benzema mund të ndjekë hapat e kroatit në vitin 2022.

Asnjë lojtar i Barcelonës aktuale nuk e ka pasur nderin ta fitonte “Topin e Artë”. Robert Lewandowski i është afruar shumë, megjithatë ka festuar dy çmime “The Best”. Thibaut Courtois gjithashtu ka një çmim si portieri më i mirë i vitit 2018.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Rritet numri i viktimave nga të shtënat në një shkollë ruse

Story i radhës

Meta e bën më të lehtë kalimin nga Facebook në Instagram

Të fundit nga