Policia e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e një ditë më parë, ku mbeti i plagosur 19-vjeçari Sebastjan Jalli. Sipas policisë është shpallur në kërkim autori i ngjarjes Dejvi Torraj, ndërsa u arrestua Klaudio Misiri, i cili akuzohet për moskallëzim krimi.
Policia thekson se Dejvi Torraj dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka goditur me armë zjarri, Sebastjan Jalli banues në Fier, i cili aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë këtij konflikti, së bashku me 19-vjeçarin, kanë qenë të pranishëm dhe 2 shtetas të tjerë, Klaudio Misri dhe Pavllo Kazanxhi
Njoftimi i policise
Plagosi me armë zjarri në këmbë, 19-vjeçarin, gjatë një konflikti të çastit, shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes.
Vihet në pranga dhe një 30-vjeçar, i pranishëm në konflikt, pasi theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe nuk kallëzoi për plagosjen.
Procedohet penalisht në gjendje të lirë 1 shtetas tjetër, së bashkë me të dëmtuarin 19-vjeçar, pasi nuk kallëzuan krimin.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim dhe me strukturat e tjera të DVP Vlorë, pas veprimeve të para hetimore, në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në fshatin Llakatund, ku mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasi S. I., falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar, shtetasit:
– D. T., 20 vjeç, banues në fshatin Llakatund, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”.
Shtetasi D. T. dyshohet se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka goditur me armë zjarri, shtetasin S. J., 19 vjeç, banues në Fier, i cili aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjatë këtij konflikti, së bashku me 19-vjeçarin, kanë qenë të pranishëm dhe 2 shtetas të tjerë, K. M. dhe P. K.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. M., 30 vjeç, banues në fshatin Llaktund, Vlorë, pasi ka thyer masen e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, si dhe nuk ka kallëzuar krimin.
Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit P. K., 40 vjeç dhe S. J., 19 vjeç (i dëmtuari), pasi nuk kanë treguar për rrethanat e ngjarjes.
Vijon puna për kapjen dhe venien përapara përgjegjësisë ligjore të autorit të dyshuar.
Materialet iu referuan Prokuorisë, për veprime të metëjshme.