​Përvjetori i Lidhjes, kryetarët e Komunave shprehin gatishmëri për bashkëpunim

min lexim

Në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, kryetarët e komunave shqiptare vlerësuan se nevojitet krijimi i më shumë urave te bashkëpunimit në mes të vendeve. Ata u bënë bashkë në qytetin e Prizrenit, në shënimin e 144-vjetorit të Lidhjes shqiptare, takim i cili sipas tyre duhet të shërbejë për lidhje të reja në mes të shqiptarëve.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj tha se takimi i sotëm i kryetarëve te komunave shqiptare duhet të shërbejë për intensifikim të marrëdhënieve në mes te komunave shqiptare me qëllim të përmirësimit të mirëqenies se qytetarëve.

Totaj: Pa Lidhjen nuk do të ndodhin ngjarjet historike që pasuan

“Pa Lidhjen e Prizrenit nuk do të kishim 28 nëntorin e vitit 1912, nuk do të kishim lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës e cila arriti kulminacionin historik me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pa Lidhjen nuk do të kishim çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë së shkurtit të vitit 2008. Pa Lidhjen e Prizrenit rrjedha e historisë sonë kombëtare nuk do të ishte e njëjtë… Takimi i sotëm është hap i rëndësishëm drejt intensifikimit të marrëdhënieve në mes te shteteve tona, shkëmbimi i përvojave nga zonat ku jetojmë është mundësi e artë për të reflektuar për ndryshimet qe na plotësojnë e na bashkojnë e na pasqyrojnë historinë e veçantë. Ky takim sot të shërbejë në funksion të ndërtimit të urave të bashkëpunimit”, ka thënë Totaj.

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj tha se synojnë rritjen e bashkëpunimit në mes të shqiptarëve dhe mes komunave që përfaqësojnë duke bërë punë të mira për qytetarët.

Veliaj: Takimin e sotëm do ta quaja Lidhja moderne e Prizrenit

“Besoj fort që ky takim i sotëm e ka edhe ai përmasën e vet historike, dua ta quaj një Lidhje moderne të Prizrenit, një lidhje të re që na bënë bashkë si dikur paraardhësit tanë nga të gjitha trevat shqiptare. Sigurisht koha është tjetër, situata është krejt tjetër nga ajo e 144 viteve më parë, ne nuk jemi në luftë, jemi në paqe, ne nuk kemi rreziqe territoriale, synimi ynë nuk është vendosja e kufijve, përkundrazi shkrirja e kufijve dhe rritja e bashkëpunimit në mes vete, nuk ka konflikte dhe jemi të gjithë në një emërues të përbashkët për nevojën dhe domosdoshmërinë e komunikimit dhe dialogut në mes nesh. Ne duam dhe duhet të japim e të marrim nga njëri-tjetri. Duhet të bëhemi bashkë por jo thjesht për të qëndruar bashkë por për të bërë diçka, punë të mira së bashku”, ka kryetari i Tiranës.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama pati disa kërkesa për Shqipërinë, që të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.

Rama: Shqipëria të lobojë për Kosovën

“Si kryetar i kryeqytetit të Kosovës po bëj thirrjen time publike që Shqipëria të përdorë zërin e saj për të folur me gojën mbarë shqiptare këtë muaj që shqiptarët kryesojnë në OKB. Dhe në këtë është lajm i mrekullueshëm fakti se në agjendën e Këshillit të Sigurimit do të hapet këto dite çështja e përjashtimit në masë të shqiptarëve nga listat e votimit në Luginën e Preshevës të cilën Komiteti i Helsinkit e ka quajtur spastrim etnik administrativ. I bashkohem po ashtu si shërbyes civil edhe si zëdhënës i kryeqytetasve të Kosovës dhe kërkesës tjetër që shteti i Shqipërisë, si pjesa e kombit që tashmë është vend anëtar i NATO-s, të ushtrojë ndikimin për përshpejtimin e anëtarësimit edhe të Kosovës më Aleancën e Atlantikut Verior. Por nuk dua të mbetem vetëm të kërkesat, askush nuk na pengon fjala vjen që t’i shtojmë dhe forcojmë lidhjet tona më shumë e shumë fusha”, ka thënë Rama.

Por kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi kërkoi interesim më të madh nga Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës për shqiptarët e Luginës.

Arifi: Mund të punojmë shumë më shumë së bashku

“Pra Lidhja e Prizrenit e para 144 viteve nuk ka përfunduar dot, është ende ideja në zhvillim, nëse dikush ndjehet rehat prej shqiptarisë, që fatkeqësisht unë po e shoh që disa po ndjehen rahat është gabim, është gabim, ne duhet shumë më proaktiv me qenë, nuk duhet me pa vetëm Preshevën si një jetim, nuk duhet me pa Preshevën vetëm si ‘limomi i thartë’ po mundohet me e prishë dasmën e madhe. Presheva është pjesë e kombësisë shqiptare, e shqiptarët e Luginës së Preshevës e presin Tiranën, Prishtinën, Tetovën, e presin Prizrenin, e pret edhe Qeverinë e Kosovës dhe Qeverinë e Shqipërisë për të qenë shumë më prezent sesa janë, fatkeqësisht shumë më prezentë. Në ketë kontekst unë këtu sot dua të apeloj pikë së pari të kolegët e mi, ne jemi kryetar komune mundemi të punojmë shumë më shumë së bashku”, ka thënë ai.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se po angazhohen për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren qe sipas tij do te ishte një lidhje e re për bashkimin e shqiptarëve.

Kasami: Bashkëpunimi vlerësohet si themel i perspektives evropiane

“Më lejoni sot në frymën e kësaj ngjarje te theksoj dëshirën dhe angazhimin për të nxitur fuqishëm përkushtimin tonë të përbashkët për të ndërtuar rrugën Tetovë-Prizren, një rrugë që do te lidhë dy qytetet tona dhe do të fuqizonte këmbimin në mes te dy qyteteve por edhe frymën e vëllazërisë në mes nesh në frymën e vlerave evropiane. Lidhja e dy qyteteve tona do të ishte një lidhje tjetër që do të na bashkonte në angazhimin e përbashkët për te qenë më afër njëri-tjetrit në kohën kur kufijtë po bëhen gjithnjë e më të parëndësishëm, në kohën kur bashkëpunimi vlerësohet si themel i perspektives evropiane”, tha kryetari i Tetovës.

Kryetaret e komunave shqiptare u mblodhën më Prizren për te shënuar 144 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kjo ngjarje konsiderohet si kthesa më e rëndësishme e kombit shqiptar për bashkimin e tyre.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Mickoski: Tre kërkesat e Petkovit, më radikale se të Karakaçanovit

Story i radhës

Covid-19 në Kosovë: Sot asnjë vdekje dhe 8 raste të reja

Të fundit nga