Zv.kryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, është shprehur se ka një përmirësim të situatës së përmbytjeve në qarkun Fier, pasi sipas saj, lumi Seman është rikthyer në shtratin e tij.
Komentet Balluku i bëri teksa ndodhej në Hasturkas, të Njësisë Administrative Libofshë në qarkun e Fierit, ku si pasojë e prurjeve të shumta të lumit Seman ka pasur dëmtime të argjinaturës.
Sipas Ballukut, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura dhe pushteti vendor ndërhynë menjëherë duke ju ardhur në ndihmë banorëve të rrezikuar dhe po vijojnë të jenë në terren për monitorimin e situatës.
Balluku bëri edhe një përditësim të thjeshtë të situatës në zonat problematike të prekura nga përmbytjet, teksa tha se situata ka ardhur drejt përmirësimit në të gjithë vendin.
Numri 2 i qeverisë u premtoi banorëve të zonave të përmbytura se shteti do ju vijë në ndihmë, për të përballuar këto momente të vështira që po kalojnë.
Prononcimi i Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku:
Balluku: Falënderoj të gjithë gazetarët e terrenit të Qarkut të Fierit që kanë qenë gjatë gjithë kohës pranë skuadrave të Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura, pushtetit vendor, prefekturës, deputetëve dhe kujtdo tjetër që ka qenë këtu.
Jemi, ta quajmë, në një stad përmirësimi të situatës, pasi lumi Seman është kthyer në shtratin e tij. Sigurisht këtu jemi shumë afër hidrovorit dhe kjo është një zonë ku vazhdon të ketë prezencë të ujit. E rëndësishme është që 20 banesa që janë prekur asnjë nga qytetarët nuk është dëmtuar. Është bërë evakuimi i plotë i të gjithë banorëve të zonës.
Kishim para pak orësh një situatë me dy barinj, të cilët nuk arrinim ti kontaktonim, megjithatë ata janë gjetur, janë të sigurt. Gjithçka është zhvilluar nën mbikëqyrjen e forcave të Emergjencave Civile, por edhe të gjithë grupeve të tjera. Forcat e Armatosura kanë pas një rol të jashtëzakonshëm në gjithë këto ditë të vështira dhe sfiduese pothuajse në gjithë vendin.
Nga ana tjetër, nuk parashikohet në dy-tre ditët në vazhdim që të ketë reshje dhe kjo do jetë koha për të rikuperuar edhe dëmtimet që kanë ndodhur në argjinatura. Para pak po diskutonim me inxhinierët e bordit të kullimit, përsa i përket kësaj situate. Gjithsecili është në pozicionin e vet, në krye të detyrës, duke ju përgjigjur kërkesave të qytetarëve.
Duhet që të bëjmë me dije që të gjithë ata banorë të zonave të përmbytura që kanë nevojë për mbështetje përsa i përket ushqimit të bagëtive, të kontaktojnë menjëherë me pushtetin vendor, pasi janë në dispozicion dhe rezervat e shteti gjithçka që mund t’i vijë në ndihmë, qoftë për nevojat personale, por edhe për ushqimin e bagëtive. Ne jemi në terren gjatë gjithë kohës. Skuadrat janë këtu. Do të vazhdojmë deri në përmirësimin total të kushteve.
Duhet thënë përsa i përket kaskadës së Devollit, është e rëndësishme kjo për t’u thënë, duke qenë se ndikimi i asaj kaskade vjen këtu në lumin Seman, që shkarkimet janë ulur në kuotën minimale, janë më të ulëta se prurjet që ka kaskada në këto momente. Kompania Statkraft na është përgjigjur thirrjes tonë pikërisht për ti ulur sa më shumë shkarkimet dhe për të pasur një menaxhim të mirë, ashtu siç kemi bërë me kaskadën e Drinit. Kaskada e Drinit është menaxhuar në mënyrën më të mirë duke minimizuar përmbytjet në Fushë Shkodër. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kaskadën e Devollit.
Tani do të na duhet që të bëjmë të gjithë riparimet e duhura. Do na duhet që të bëjmë vlerësimin e dëmeve, ashtu siç e kemi thënë, siç e ka thënë kryeministri Rama dhe çfarë është më e rëndësishme më pas, në një mënyrë të drejtë me të gjitha grupet e ngritura nga bashkitë e zonave të prekura nga Emergjencat Civile t’ia dalim për të bërë një shpërndarje të kompensimit që do të jetë ekuvalent i një skeme e cila po ndërtohet nga Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë, si për banorët që janë prekur banesat, ashtu edhe për dëmet që kanë ndodhur nëpër serra apo tokat bujqësore.
Pyetje: Ndërkohë një dëm i tillë nuk është parë asnjëherë, një vërshim i tillë i ujërave këtu në këtë zonë dhe është çarë argjinatura në disa segmente Kjo do të thotë që duhen investime për riparimin e argjinaturës së Semanit?
Balluku: Atëherë, kemi dëmtime, se çarje argjinature është pak fjalë më e madhe se ç’duhet në këtë rast. Kemi dëmtime të argjinaturës së Semanit. Padyshim do të duhen riparime të menjëhershme që do të bëhen, siç e dëgjuat se ju ishit këtu me mua, nga inxhinierët e bordit të kullimit që do të bëhen në orët në vazhdim, sapo të ketë rënie të nivelit të ujit dhe më pas do të ketë ndërhyrje akoma më të thella për të përforcuar të gjitha argjinaturat që janë prekur për shkak të këtyre vështrimeve, unë nuk e di nëse është hera e parë që janë kaq shumë vështrime apo jo, por megjithatë është e rëndësishme që të thuhet që janë identifikuar pikat problematike, të cilat do të riparohen menjëherë.
Shumë faleminderit të gjithëve!
Burimi: opinion.al


