3
Shkup, 7 janar – Vendi vazhdon të jetë ndër shtetet e para në botë sa i përket ajrit të ndotur. Sipas IQ Air, Maqedonia e Veriut është në vendin e pestë, ndërsa pas vendit tonë pasojnë Dhaha në Bangladesh dhe Almati i Kazakistanit. Në vendin e parë dhe të dytë radhiten Delhi dhe Kalkuta e Indisë, më pas vjen Hanoi i Vietnamit dhe Lahore e Pakistanit.
Sipas kësaj radhitje, ajri i Shkupit dhe Tetovës vazhdon të jetë i kategorizuar si ajër i pa shëndetshëm për qytetarët, ndërsa aktivistët kërkojnë nga qeveria që të shtohen inspektimet kundër ndotësve më të mëdhenj të ajrit.
“Na duhet zgjidhje e qëndrueshme dhe ajo që duhet të ndërmerret është serioziteti i institucioneve sepse deri tani kemi dëgjuar vetëm premtime dhe plane në letra por në terren dëshmohet se nuk ka rezultat. Qeveria duhet të bën inspektimin 24 orë të te gjitha industrive të mëdha të cilat kanë leje A të integruar, ajo u dëshmua me rastin e Tetovës që pas mbylljes së ndotësit më të madh në rajon ne kemi 60 % ndotje më pak por që nuk është e mjaftueshme dhe ende duhet të punohet në këtë drejtim”, tha Elmedina Abdullahu – Aktiviste e “Më mirë për Tetovën”.
Ndërkohë sipas kryeministrit Mickoski mënyra e vetme për uljen e ndotjes është ndryshimi i sistemit të ngrohjes dhe ndërtimi i termocentraleve me gaz, por thotë se një proces i tillë zgjat me vite.
“Mënyra e vetme që të ulim grimcat e dëmshme është që në periudhe nga nëntori deri në mars të ndryshojmë sistemin e ngrohjes së shtëpive. Pra, më pak lëndë djegëse fosile, më shumë lëndë djegëse ekologjike, përfshirë edhe ngrohjen qendrore. Që kjo të ndodhë, është e nevojshme të ndërtohen impiante të gazit dhe ne po punojmë për ndërtimin e impianteve të gazit. Një nga investitorët është i interesuar për ndërtimin e termocentraleve të tilla me gaz, por do të duhen së paku 2 deri në 3 vjet derisa të fillojë të funksionojë, ndërsa për të ndërtuar tubacionet e ngrohjes ndoshta 5 deri në 6 vjet”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Sa i përket radhitjes së shteteve me ajër më të pastër në botë, në vendin e parë është Kuching i Malajzisë, Johanesburgu i Afrikës së jugut dhe Detroit i SHBA-së.
BURIMI: zhurnal.mk