Mbrëmë RTK intervistoi Presidenten e Republikës së Kosovës zonjën Vjosa Osmani Sadriu. Intervista u fokusua tek aktualiteti, problemet kryesore, ngërçet që presin zgjidhje për të vijuar dialogu Kosovë-Serbi. Presidentja e Kosovës në mënyrë të shkëlqyer përshkroi hapat që do të ndjekë Kosova si një shtet sovran në aleancë të pandashme me SHBA dhe BE.
Siç dihet, Kosova sot ka një lidërship të ri, emra të pastër dhe me integritet, krejt ndryshe nga lidërshipi i vjetër PDK-LDK, produkt i të cilit ishte keqqeverisja, nepotizmi, klientelizmi dhe korrupsioni. Klasa e vjetër politike, për shkak të skeletëve nëpër sirtarë, shpesh ka vënë në shitje shtetin e Kosovës. Mjafton të kujtojmë se marrëveshja e “Asociacionit të komunave me shumicë serbe..”, e cila u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, është nënshkruar nga Isa Mustafa, ish kryeministër i asaj kohe i Kosovës dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Duke u ndjerë të rrezikuar nga standardet e shtetit të së drejtës, klasa e vjetër politike, ka vënë në lëvizje bandën e zëdhënësve të saj nëpër portalë, që, natyrisht, nuk kanë të bëjnë as me fjalën e lirë dhe as me të vërtetën, përkundrazi veç me dezinformimin dhe gjuetinë e shtrigave kundër lidërshipit të ri të Kosovës.
Disa kohë më parë në Shqipëri u zbulua, për shembull, se Baton Haxhiu na qenka PR i një Spitali në Tiranë dhe prej andej merrte një rrogë të majme 17 mijë Euro në muaj; pastaj merrte një rrogë tjetër të majme prej disa mijëra Euro si drejtues i një portali!!! Këto janë fakte që duhet t’i hulumtojë gazetaria e pavarur, të cilat i mbulojnë me zhurmues televizionet dhe portalet e paguar nga politika me duar të pista.
Intervista e Presidentes së Republikës së Kosovës mbrëmë tek RTK ishte në stilin e Vjosa Osmanit, profili i së cilës dallohet për koherencë. Asnjëherë Vjosa Osmani nuk është konformuar për interesa vetjake, asnjëherë Vjosa Osmani nuk ka dalë me veprime kundër premtimeve dhe interesave të Sovranit.
Për shembull, në intervistë presidentja Osmani-Sadriu tha se ajo nuk e ka votuar në Parlament, që kur ishte deputete, marrëveshjen e “Asosacionit të komunave..”, paçka se kjo marrëveshje u nënshkrua nga kryeministri i dalë nga partia e saj, LDK; ne po ashtu e dimë se Vjosa Osmani nuk votoi për Hashim Thaçin si president të Kosovës, duke u nisur pikërisht edhe nga premtimet që LDK dha gjatë fushatës elektorale, të cilat Isa Mustafa i shkeli menjëherë posa i fitoi zgjedhjet. Pikërisht veprimet e Vjosa Osmanit, si politikane e formuar në Perëndim dhe e edukuar që fëmijë me idealet për një Kosovë të pavaruar, të lirë dhe demokratike kanë bërë që të jetë politikania më e votuar nga populli i Kosovës.
Prandaj derdhin helm edhe portalet e paguara nga kasta e vjetër, që gërmojnë nëpër arkiva për të zbuluar asgjënë dhe pastaj e amplifikojnë. Sikur ishte edhe rasti i 80 Eurove, që zonja Vjosa Osmani i paska marrë si deputete për karburant të konsumuar çdo muaj. Portalet që prodhojnë lajme fake pretendojnë se “Vjosa i paska marrë këto para më së koti, pasi ajo nuk ka jetuar në Mitrovicë, por në Prishtinë”! Helmmbjellësit harrojnë se po, është e vërtetë se Vjosa Osmani ka jetuar në Prishtinë, por votuesit e saj kanë qenë në Mitrovicë dhe Vjosa gjithmonë ka mbajtur dhe mban lidhje me ata që e kanë votuar.
Intervista e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani Sadriu mbrëmë tek RTK ishte e shkëlqyer, ajo është transparente dhe mbështetet gjithmonë tek ligji, pra është një institucion me integritet i shtetit sovran të Kosovës.
Unë do të ndalesha vetëm tek një pyetje e gazetares së RTK, e bërë në minutat e fundit të intervistës, e cila mendoj se do të duhej të formulohej ndryshe, pasi gazetarja presupozohet se i ka të dhënat praprake. Është fjala për pyetjen rreth luftës kundër korrupsionit. Gazetarja e pyeti Presidenten “se çfarë ajo sheh si veprim konkret për luftimin e korrupsionit.”
Them se pyetja do të duhej të formulohej ndryshe, pasi rreth koefiçientit të korrupsonit posa janë botuar të dhënat nga një organizëm ndërkombëtar me shumë reputacion sikur është Transparency International, ku Kosova, për vitin 2021, bën një progres shumë të dukshëm cilësor, duke lënë prapa Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Shqipërinë, Turqinë dhe Bosnje Hercegovinën, çka do të duhej që të përshëndetej nga gazetarja, pasi është një fakt shumë konkret, aq më tepër kur gazetaria operon me fakte.
Indeksi i Transparency International për vitin 2021 tregon se Kosova është në rrugë të mbarë, e megjithatë duhet të kemi parasysh se shteti i së drejtës nuk mund të vendoset për 24 orë. Kjo qeveri ka ardhur me votën e lirë të Sovranit për të ndryshuar gjendjen, që të keqen ta kthejë në të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Por duhet të kihet parasysh se kjo qeveri nuk e ka mbushur ende vitin dhe rezultatet nuk mund të vendosen menjëherë në tabaka, kur kemi parasysh kapjen e shtetit të Kosovës nga PDK-LDK, kur kemi parasysh se në çdo qelizë të shtetit, përfshi edhe mediat, garda e vjetër, duke abuzuar, ka vendosur njerëzit e saj, të cilët në aleancë me bandat e portaleve, bëjnë ç’është e mundur që ta minojnë lidërshipin e ri, sepse e shohin rrezik të pushtetit të tyre të përfituar duke shpërdorur pushtetin politik, pa meritokraci.
Lidërshipi i ri, pjesë e të cilit është Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani Sadriu është gurëthemeli dhe garanci që Kosova dhe populli i saj të kenë shtetin e së drejtës./Voal