Aksioni në Superligën A, meshkujt, rikthehet me ndeshjet interesante të xhiros së tretë.
Spektakli në kampionatin elitar të volejbollit në Kosovë, meshkujt, rikthehet këtë fundjavë me disa ndeshje tejet interesante, në kuadër të xhiros së tretë.
Në përballjen hapëse, kampioni në fuqi, Peja pret Ferizajn, të shtunën, me fillim nga ora 19:30.
Peja në këtë takim futet pasi në xhiron e fundit mposhti G. E Therandën me rezultat 1-3, dhe aktualisht kryeson në Superligë me gjashtë pikë të grumbulluara nga dy ndeshje.
Në anën tjetër, Ferizaj pushoi në xhiron e fundit për shkak të angazhimeve të Lubotenit në ‘Challenge Cup’.
Të dielën, zhvillohen dy ndeshjet tjera të javës së tretë.
Fillimisht, Skenderbeu pret G. E Therandën me fillim nga ora 20:00, në palestrën “Better Life”, në Lipjan.
G. E Theranda aktualisht zë pozitën e tretë në kampionat me dy pikë të grumbulluara nga dy ndeshje të luajtura, dërisa në javën paraprake u mposht nga Peja. Skenderbeu, në anën tjetër, po ashtu ka arkëtuar dy pikë dhe zë pozitën e katërt në tabelë, derisa në xhiron e fundit u mposht 3-0 nga Drita.
Takimi tjetër është ai mes Lubotenit dhe Dritës, i cili zhvillohet të dielën me fillim nga ora 20:00.
Luboteni nuk luajti fare fundjavën e kaluar pasi ishte i angazhuar në garat ndërkombëtare, ndërsa Drita u tregua e fortë për Skenderbeun, të cilin e mposhti me rezultat 3-0.