Brenda pak javësh do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare. Partitë politike janë bërë gati që kohë më parë për këto zgjedhje dhe kanë filluar fushatën zgjedhore qysh para shpalljes së datës së zgjedhjeve. Kanë filluar takimet, premtimet për qeverisjen e re e poashtu duke u munduar për të nxjerrë gabimet e njëri-tjetrit.
Secila nga partitë që garon në këto zgjedhje parashikon ndyrshim rezultatesh, duke parë veten në krye të qeverisë.
Para zgjedhjeve, AAK e Nisma kanë bashkuar forcat për të garuar së bashku. Vetëvendosje ka vazhduar koalicione me Listën Guxo dhe Alternativën, derisa PDK e LDK po vazhdojnë garën vetëm.
Mirëpo, a kanë menduar këto parti për ndonjë koalicion paszgjedhor, flet zyrtari i PDK-së, Leon Duhanaj.
Ai thotë se për këtë parti fillimisht është e rëndësishme të dalë si subjekti më i votuar në vend.
“Zgjedhjet e 9-të shkurtit do të sjellin ndryshimet e nevojshme në skenën politike të Kosobës. Me qeverisjen e VV-së dhe Kurtit, Kosova ka pësuar regres të madh në të gjitha fushat. Prandaj, nuk besoj që ka ndonjë hapësirë që një qeveri e ardhshme të ndodhë me përbërjen e VV-së. Sa i përket PDK-së, qëllimi dhe fokusi është të dalë subjekti i parë më i votuar në Kosovë”, vlerëson ai.
Duhanaj thotë se, PDK pas një periudhe disavjeçare ka arritur të rikonsolidohet në Diasporë, gjë që është vërejtur mbështetja e pa krahasueshme për të.
“E njëjta do të ndodhë tashmë edhe në Kosovë, pasi që programi politik dhe Bedri Hamza si kandidat për kryeministër, i dëshmuar në disa pozita publike, nuk ka konkurrencë. Për PDK-në nuk ka pasur asnjëherë vija të kuqe për asnjë subjekt shqiptarë, por për PDK-në në radhë të parë është fitorja e tek pastaj koalicioni. Preferencë e PDK-së dhe me mirë edhe për Kosovën do të ishte me e pasur qeverisjen e vetme, në mënyrë që të garantohet suksesi 100%”, thotë Duhanaj.
Sa i përket preferencave për koalicion, Duhanaj thotë se, PDK prefereon bashkëqeverisjen me LDK-në.
“Por duke e ditur që kjo gjë është shumë e vështirë, themi që me rëndësi është me dalë e gara, pastaj preferencë për bashkëqeverisje kemi partitë e tashme opozitare gjegjësisht LDK-në. Mendoj që qeveria e ardhshme duhet të krijohet nga opozita e tanishme e udhëhequr nga PDK. VV duhet të kthehet në opozitë, sepse tashmë e dëshmuan që nuk janë të aftë për asgjë, përpos për destruktivitet dhe kthim mbrapa në procese”, thotë Duhanaj për ‘Bota sot’.
Burimi: botasot.info