Pas dështimit të seancave konstituive, PDK dhe LDK ‘ankesa’ në Kushtetuese – çfarë mund të vendosë Gjykata?

July 6, 2025
min lexim

Fatkeqësisht, ende nuk ka sinjale për zhbllokimin e Kuvendit, derisa partitë politike nuk po arrijnë ndonjë marrëveshje, as pas vendimit të fundit të Kushtetueses për konstituim të tij.

Vetëm pak orë pasi deputetët dështuan për të 41-tën herë me radhë në përpjekjet e tyre për ta bërë Kuvendin e ri të Kosovës të enjten, partia e dytë më e madhe në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i vlerësojë, siç tha, “shkeljet” në seancën konstituive.

Partia Demokratike e Kosovës më vonë, bëri të ditur se i ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese ta vlerësojë kushtetutshmërinë veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik.

Në kërkesën e saj, PDK-ja konteston: kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë; hedhjen në votim të këtij komisioni; vetë votimin e komisionit; ndërprerjen e seancës pas mosmiratimit të komisionit.

Ngjashëm si kjo parti, ka verpuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e iu ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

“Edhe aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese por edhe Kushtetuta janë duke u shkelur në seancat e fundit”, theksoi deputeti i LDK-së, Alban Zogaj.

Seanca e thirrur për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të vazhduar me hapat e tjerë të konstituimit nuk pati sukses, për shkak të mungesës së pajtueshmërisë ndërmjet partive politike rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

E në lidhje me këto ankesa të LDK-së dhe PDK-së në Kushtetuese, folën njohësit e çështjeve juridike për “Bota sot”.

Halilaj: Gjykata Kushtetuese mund të ndërhyjë vetëm nëse vërtetohet shkelje e qartë e Kushtetutës

Image

Gazmend Halilaj

Si fillim, avokati Gazmend Halilaj potencoi faktin se aneksat e PDK-së e LDK-së janë si rezultat i dështimeve të vazhdueshme të seancave konstituive.

“Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, partitë opozitare PDK dhe LDK kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Kjo lëvizje vjen në vazhdën e dështimeve për zgjedhjen e Kryesisë së Kuvendit, duke sjellë bllokadë institucionale dhe shtyrje të proceseve të tjera politike”.

Kurse, sa i përket asaj se sa mund të jenë efeketive këto ankesa, ai dha disa interpretime të ndryshme për atë se si mund të vendosë Gjykata.

“Gjykata Kushtetuese mund të ndërhyjë vetëm nëse vërtetohet shkelje e qartë e Kushtetutës apo ndonjë precedent i papajtueshëm me vendimet e mëparshme. Në rast se kjo ndodh, Gjykata mund të japë udhëzime të reja për mënyrën e procedimit të Kuvendit, përfshirë afatet, formimin e Kryesisë dhe rolin e partive fituese.

Megjithatë, nëse Gjykata vlerëson se nuk ka pasur shkelje të rënda procedurale apo kushtetuese, kërkesat mund të refuzohen si të pabazuara. Në këtë situatë, përgjegjësia për zhbllokimin e procesit do të kthehet përsëri te partitë politike”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, avokati shtoi se pavarësisht vendimit, po dëshmohet se ka tensione dhe mungesë të bashkëpunimit politik.

“Pavarësisht vendimit përfundimtar, adresimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese dëshmon për tensionet e larta institucionale dhe mungesën e konsensusit politik, në një moment kur vendi ka nevojë për stabilitet dhe funksionalitet institucional”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.

Curri: Varësisht nga kërkesat që do parashtrohen para Gjykatës do marrin përgjigje përkatëse

Kurse, avokati Agron Curri u shpreh se ka vullnet politike për të bërë zgjidhje dhe kjo situatë sjellë probleme.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” vlerësoi se partia fituese duhet ta zgjidh këtë ngërç politik.

Image

Agron Curri

“Në rastin konkret kemi mungesë të vullnetit për të bërë zgjidhje nga partitë politike, konkretisht nga partia e parë dhe kjo shkakton problem në vete, ngase partia e parë duhet t’iu prijë proceseve në këtë rast zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, tha se ankesat e PDK dhe LDK në Kushteteuese janë efektive, por që marrin kohë deri te një përgjigje përkatëse.

Kësisoj, avokati konsideron se kjo kohë do jetë e kushtueshme për Kosovën.

“Se sa janë efektive ankesat/kërkesat, padyshim se janë efektive dhe kërkojnë zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese, vendimet e së cilës janë përfundimtare. Varësisht nga kërkesat që do parashtrohen para Gjykatës do marrin përgjigje përkatëse, por që këto procedura marrin kohë dhe kjo kohë do jetë e kushtueshme për vendin”, përfundoi Agron Curri për “Bota sot”.

Burimi: botasot.info

MARKETING

RENT A CAR

Lajmi i mëparshëm

Giro d’Italia, RCS Sport & Events falënderon Policinë shqiptare për garantimin e suksesshëm të mbarëvajtjes së tri etapave

Të fundit nga

ShkoLartë