Partitë shqiptare dhe Partia boshnjake do të jenë pjesë e Qeverisë së re të Malit të Zi

August 23, 2023
1 minut lexim

Negociatat për formimin e Qeverisë së 44-t të Malit të Zi po hyjnë në fazën përfundimtare. Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Milojko Spajiq, u ka ofruar hyrjen në Qeveri Partisë Boshnjake dhe partive shqiptare, të cilën ata e kanë pranuar, raporton Anadolu.

Kryesia qendrore e Partisë Boshnjake mbrëmë ka mbajtur një mbledhje në Rozhajë, ku njëzëri është përkrahur propozimi për pjesëmarrje në Qeveri. Sipas informacioneve të BS-së, Qeveria e re malazeze, kryeministër i së cilës do të jetë Spajiq, do të përbëhet nga Lëvizja Evropa Tani, Demokratët, Partia Boshnjake, partitë kombëtare shqiptare dhe Iniciativa Qytetare Kroate.

Partia Boshnjake ka njoftuar mbrëmë vonë se në seancën e Kryesisë qendrore të kësaj partie është konstatuar se mandatari Milojko Spajiq ka respektuar dhe pranuar parimet programore të BS-së, mbi të cilat do të mbështetet puna e Qeverisë së ardhshme.

Forumi Shqiptar pranoi të jetë pjesë e Qeverisë së 44-t të Malit të Zi, tha kreu i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj.

Sipas tij, “Forumi Shqiptar arriti të përmbushë programin e saj gjatë bisedimeve, sipas të cilit do të kemi decentralizim, bastoret dhe kazinotë do të vendosen në një sistem krejtësisht të ndryshëm nga ai që janë derisa të mbyllen plotësisht dhe do ofrojnë pensione pleqërie për të gjithë qytetarët”.

“Në të njëjtën kohë, Forumi Shqiptar do të marrë pjesë në qeveri, i cili do të marrë përgjegjësinë e Zëvendëskryeministrit për Investimet Kapitale dhe Ministrit të Administratës Publike. Si gjithmonë, ne do të punojmë në interes të publikut, për avancimin e programit tonë, barazi për të gjithë qytetarët dhe kombet, e veçanërisht zhvillimin ekonomik të të gjithë qytetarëve”, tha Gjeloshaj.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 qershor, Lëvizja Evropa Tani fitoi 24 mandate, koalicioni i mbledhur rreth DPS-së fitoi 21 mandate, koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi 13 mandate, koalicioni Demokratët dhe URA 11 mandate, Partia Boshnjake 6 mandate, SNP dhe Forumi Shqiptar dy mandate, ndërsa Nisma Qytetare Kroate dhe Koalicioni Shqiptar fituan nga një mandat.

Më 10 gusht, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, propozoi Spajiqin për mandatar. Afati për përbërjen e Qeverisë së re është 90 ditë.





MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Kolonët hebrenj planifikojnë të rrisin në 1 milion popullsinë e tyre në veri të Bregut Perëndimor

Story i radhës

Italianët e bëjnë sërish? Kamarieri i lokalit: Na vodhën një sasi të konsiderueshme eurosh

Të fundit nga

ShkoLartë