Kolonët hebrenj planifikojnë të rrisin në 1 milion popullsinë e tyre në veri të Bregut Perëndimor

min lexim

Bëhet e ditur se drejtuesit e grupeve hebreje të kolonëve në Izrael përgatitën një plan gjithëpërfshirës për të rritur popullsinë e pjesës veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar nga 170.000 në 1 milion, transmeton Anadolu.

Sipas faqes së lajmeve, Ynet, që transmeton në vend, plani i paraqitur kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, përfshin ngritjen e një aeroporti, spitali, zona industriale për punësim dhe qytete të reja.

Pionieri i planit, Yossi Dagan, kryetar i Këshillit të Vendbanimeve në veri të Bregut Perëndimor, argumentoi se kjo do të ishte zgjidhje për mungesën e banesave në Izrael.

Pasi kanë diskutuar krijimin e tij, me qindra drejtues vendbanimesh, arkitektë, inxhinierë dhe ekspertë të shumtë gjatë vitit të kaluar kanë punuar për planin.

Plani përfshin urbanizimin e vendbanimeve ekzistuese, krijimin e qyteteve të reja dhe projektin hekurudhor që lidh Bregun Perëndimor me pjesët qendrore dhe veriore të Izraelit.

Sipas planit, qyteti që planifikohet të ngrihet në veri të Bregut Perëndimor dhe do të emërtohet “Tanah”, pritet të ketë një kapacitet prej 30 mijë banorësh.

Po kështu, plani është krijimi i një qyteti të quajtur “Shamir”, në veri të Bregut Perëndimor, larg kufirit libanez, ku do të jetojnë 100 mijë njerëz.

Me këtë plan synohet të rritet popullsia e kolonëve në veri të Bregut Perëndimor nga 170.000 në 1 milion deri në vitin 2050.

Palestina e dënoi planin

Në media njoftohet se Ministria e Jashtme palestineze e dënoi këtë plan. Në deklaratën e ministrisë, theksohej se plani në fjalë vlerësohet si “plan ekspansionist dhe racist kolonial”, dhe u dënua me shprehjet më të forta.

“Plani në fjalë i zbulon të gjithë komunitetit ndërkombëtar arsyen e vërtetë për sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve hebrenj ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu thuhet se Palestina për vite me radhë ka paralajmëruar për këtë plan dhe ka informuar shtetet dhe Kombet e Bashkuara (OKB) për dimensionet dhe pasojat e një plani të tillë, dhe thuhet se ky plan i Izraelit “është një sfidë ndaj komunitetit ndërkombëtar”.

Në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme palestineze, i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht SHBA-së, që të bëjnë presion real mbi administratën izraelite për të ndaluar zbatimin e këtij plani vendbanimi.

Ndërsa nuk kishte asnjë deklaratë nga Zyra e Kryeministrit izraelit për këtë temë, ministri i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, kishte thënë së fundmi se do të rrisnin numrin e kolonëve në Bregun Perëndimor.

Sipas OJQ-së izraelite, Peace Now, ka pasur një rritje dramatike në numrin e vendbanimeve të miratuara në Bregun Perëndimor që kur qeveria Netanyahu mori detyrën në fillim të këtij viti.

Peace Now thotë se rreth 500.000 kolonë hebrenj jetojnë në 132 vendbanime dhe 146 vendbanime të paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në fund të vitit 2022, popullsia palestineze në Bregun Perëndimor arriti në 3.2 milionë, sipas të dhënave nga Byroja Qendrore Palestineze e Statistikave.





Story i mëparshëm

Nikollova nga LSDM: Mickoski nuk dallon aspak nga paraardhësi i tij Gruevski

Story i radhës

Partitë shqiptare dhe Partia boshnjake do të jenë pjesë e Qeverisë së re të Malit të Zi

Të fundit nga