Bujar Osmani në konferencën e sotme për shtyp në MPJ ka komentuar pakënaqësitë e fundit në Bashkimin Demokratik për Integrim, përcjell TV21. Osmani tha se në BDI fjalën e fundit e ka kryetari Ali Ahmeti, i cili sipas tij foli gjatë ditës së djeshme dhe se me këtë ka mbaruar ky debat.
“Në BDI është e njohur që ka demokraci të brendshme, ku secili ka të drejtë ta thotë qëndrimin e tij, por fjalën e fundit e ka kryetari Ahmeti, dhe ai e kishte atë fjalë dje, dhe e tha qëndrimin e tij, kështu që pas kësaj, këtu mbarojnë debatet në BDI dhe gjithkush vazhdon me punët e tyre në suaza të aktiviteteve dhe angazhimeve që i ka. Mendoj se me deklaratën e djeshme të Ahmetit, këtu ka mbaruar ky tregim”, tha Osmani.