Anashkalimi dhe injorimi me qëllim nga ana e institucioneve shtetërore të Kosovës, i figurës dhe rolit të presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, për t’i bindur miqtë tanë perëndimorë (SHBA-të, Anglinë, Gjermaninë, Francën, Italinë) që të marrin vendimin për bombardimin e Serbisë fashiste, me qëllim për ta ndaluar gjenocidin dhe terrorin shtetëror të Serbisë në Kosovë ndaj 2 milion shqiptarëve, 1989/99, përveç se është një akt qyqarë, në fakt është mohim i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Sepse, siç e kanë pranuar gjithë miqtë e Kosovës, pa rolin kyç politik dhe intelektual të Ibrahim Rugovës, pa politikën e tij paqësore për liri dhe pavarësi kundër një shteti hegjemonist, siç ishte dhe ende është, Serbia fashiste, nuk do kishte ndodhë fare intervenimi i NATO-s ndaj Serbisë, por as Kosova nuk do çlirohej dhe bëhej shtet i pavarur.
Nëse ka dikush dilema rreth këtyre fakteve, ose nuk i pranon ato nga xhelozia, ose nuk i njeh mirë rrethanat shumë të rënda okupuese në Kosovë gjatë viteve 1989/99..!?
Për t’i radhitur të gjitha faktet, se pse çlirimi, pavarësia dhe intervenimi i NATO-s ndaj Serbisë nuk do kishin ndodhur pa politikën paqësore dhe kontributin personal të presidentit Ibrahim Rugova, kërkohet kohë dhe hapësirë e gjerë, ndaj po i sjellim vetëm disa nga më kryesoret, si në vijim;
-Ibrahim Rugova, qysh në fillim të vitit 1989 do e afron afër vetes elitën më të spikatur intelektuale të Kosovës, duke qenë thellësisht i vetëdijshëm për rolin që duhet ta merrnin mbi supet e veta ajka intelektuale e kohës, meqë politikanët komunist shqiptar, që ende ishin në shërbim të pushtetit komunist jugosllav, kishin dështuar me turp në mbrojtjen e autonomisë shtetërore të Kosovës, e cila ishte e garantuar me Kushtetutën e vitit 1974,
-Ibrahim Rugova, ishte po ashtu i vetëdijshëm se padrejtësitë që ishin bërë ndaj shqiptarëve, si nga shtetet ballkanike, ashtu dhe nga fuqitë e mëdha gjatë shekullit 19 dhe 20-të, me copëtimin e tokave shqiptare në disa shtete fqinje, i hyri betejës si dhe përpjekjeve të jashtëzakonshme për t’ua shpjeguar dhe për t’i bindur aleatët perëndimorë për gabimet dhe padrejtësitë që i kishin bërë ndaj kombit shqiptar në Kongresin e Berlinit (1878) dhe Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), duke kërkuar nga vendet perëndimore që t’i rishikonin dhe korrigjonin qëndrimet e tyre në raport me shqiptarët, filluar nga aleati ynë kryesor, SHBA-të, e cila e kishte mbështet kauzën shqiptare gjatë gjithë shekullit 20-të,
-Ibrahim Rugova, lidhur me pozitën e kombit shqiptar pas LDB-re, në shënimet e tij kishte shkruar: “Në Kosovë kurrë nuk ka qenë e pranishme vetëdija kolektive për përqafim masiv të ideologjisë komuniste e cila përfaqësonte interesat sllavo-komuniste”, e jo shqiptare. Pra, sloganet e partisë komuniste jugosllave i konsideronte tejet të rrezikshme për vlerat kombëtare shqiptare, ku roli i tij në demaskimin e politikës shoviniste serbe do mbetet i jashtëzakonshëm, në veçanti që nga formimi i partisë së parë antikomuniste në ish-Jugosllavi, LDK-së, si dhe organizimit të shtetit paralel në Kosovë përballë pushtuesit serbo-sllav, duke qëndruar deri në fund të jetës së tij i palëkundur në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës, si dhe koherent përballë zgjidhjes çështjes së Kosovës,
-Ibrahim Rugova, vendeve perëndimore në vitin 1993 u kishte dërguar këto 10 kërkesa urgjente:
1), Vendosjen e një numri të konsiderueshëm të forcave të OKB-së dhe NATO-s në Kosovë.
2), Vendosjen e Kosovës nën protektoratin e OKB-së,
3), Vendosjen e misioneve ndërkombëtare në Kosovë,
4), Rritjen e zonës “së ndalimit të fluturimeve” përmbi Kosovën,
5(, Të ndërpritet pastrimi etnik nga Serbia në Kosovë,
6), Të çarmatosen strukturat paramilitare serbe në Kosovë, si dhe të vendoset artileria e rëndë nën kontrollin ndërkombëtar,
7), Të rihapet aeroporti i Prishtinës për fluturimin e ndihmave humanitare,
8), Të ndalet kolonizimi i Kosovës nga Serbia,
9), Të lejohet që lirshëm Kuvendi dhe përfaqësuesit e popullit të mbajnë mbledhje, dhe
10), Kosova të përjashtohet nga sanksionet ndërkombëtare që i janë vendosur Serbisë dhe Malit të Zi.
-Ibrahim Rugova, me sjelljet dhe politikën e tij paqësore la përshtypje të jashtëzakonshme tek kancelaritë perëndimore evropiane dhe ato botërore, në veçanti për mënyrën dhe qasjen e tij përballë gjenocidit serb në Kosovë, duke e zgjedhur si mjet rrugën e rezistencës paqësore si dhe komunikimin aktiv me shtetet e Perëndimit, në veçanti me SHBA-të, miken tonë tradicionale,
-Ibrahim Rugova, për rolin dhe kontributin e tij dhjetëvjeçar për liri dhe paq në Ballkan, Parlamenti Evropian në vitin 1998, do ia ndanë çmimin “Saharov”, duke e nderuar lartë figurën e tij, i cili e mbrojti popullin e vet me mjete paqësore kundrejt një terrori shtetëror serbomadh i kryer ndaj shqiptarëve dhe Kosovës nga ana e regjimit kriminal të Serbisë,
-Ibrahim Rugova, i etur për ta parë popullin e tij të çliruar, pra “Gandi i Ballkanit”, siç e quante atë komuniteti ndërkombëtar, do kërkoi vazhdimisht nga aleatët tanë perëndimorë, por dhe në Konferencën e Rambujesë (1999) që ta mbrojnë popullin shqiptar të Kosovës nga sulmet dhe masakrat barbare të ushtrisë kriminale të Serbisë, kur vetëm pas pak ditësh nga përfundimi i Konferencës, pasuan sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë, pra me 24 mars të vitit 1999.
Ja si ishte përgjigjur presidenti Rugova në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Rilindja” në fund të vitit 2002; “Objektivi dhe synimi i popullit të Kosovës, ishte kërkesa për pavarësi të cilën e kam afirmuar unë si President i Republikës së Kosovës. Kërkesa ishte rezultat i bazuar në Referendumin për pavarësi që është mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Pra, kjo ishte detyrë e institucioneve të Kosovës. E kërkonim edhe prezencën e NATO-s, që tashti ajo gjendet në Kosovë. Sigurisht që me pavarësinë e Kosovës, NATO-ja do të ketë një mandat tjetër në Kosovë, ajo do të ketë baza këtu. Kosova do të jetë anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, e strukturave euroatlantike. Edhe protektorati i OKB-së do jetë një fazë kalimtare, nëpër të cilën tash po kalojmë, që Kosovës i jep siguri, por edhe një perspektivë. Gjithsesi njohja formale e pavarësisë së Kosovës do t’i shpejtonte këto procese, do ta qetësonte edhe rajonin e Evropës Juglindore dhe Gadishullit Ilirik, do ta qetësonte popullin e Kosovës. Kosova e pavarur duhet të bëhet anëtare e NATO-s, e BE-së dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të”, kështu kishte deklaruar Ibrahim Rugova me qindra herë, që nga viti 1989, kur erdhi në krye të LDK-së e deri me 21 janar 2006, kur do të ikë në përjetësi..!!