Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, thotë se jeton vetëm nga paga, e cila është e rëndësishme për të, dhe sipas tij, nuk mendon se është për t’u mburrur kur politikanët thonë se rroga e tyre nuk është e rëndësishme.
“Unë jetoj vetëm me këtë rrogë dhe është e rëndësishme për mua. Në këtë rast kuptoj që prioritet duhet të jenë ata me paga rreth minimumit. Mendoj se është vendimtare dhe nëse na vjen radha, mirë, nëse jo, ata qytetarë janë prioritet në këtë kohë të inflacionit dhe rritjes së çmimeve dhe atyre duhet t’u kushtohet vëmendje” ka deklaruar ministri Osmani.
Ndonëse u paralajmërua ulje e pagave të zyrtarëve që shtatë muaj më parë u rritën paga gati 80 për qind, ende po kërkohet zgjidhje për uljen e tyre.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi sot se në një deri në dy javët e ardhshme duhet të ketë zgjidhje për lartësinë e pagave të të zgjedhurve dhe të emëruarve, e cila do të jetë e pranueshme, e qëndrueshme dhe nuk do t’i nënshtrohet anulimit nga Gjykata Kushtetuese.