Orhan Bajrami u vra ndërsa Sead Slezovic u dërgua në spitalin e qytetit Poligiros, pasi u qëlluan me armë zjarri rreth orës 3.30 të mëngjesit. Sipas dëshmitarëve okularë, dy persona të maskuar me motoçikletë janë afruar dhe kanë hyrë në banesë në Hanioti të Halkidikit dhe kanë shkrepur rreth 20 plumba në drejtim të dy shtetasve të Maqedonisë. Mediat greke shkruajnë se ishte një ekzekutim klasik dhe se policia ka nisur menjëherë kërkimet për kapjen e vrasësve.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30, kur dy persona me motoçikletë i janë afruar banesës ku ndodheshin dy shkupjanë. Sulmuesit, të cilët kishin fytyrën e mbuluar, qëlluan dy personat e moshës 39 dhe 45 vjeç. Ata qëlluan të paktën 20 herë, gjatë të cilave 39-vjeçari mbeti i vrarë, ndërsa tjetri i plagosur”, thuhet në mediat greke.
MPJ e Maqedonisë ka dalë me informacione për vrasjen në Greqi, nga ku thonë se ambasada e Maqedonisë në Athinë ka kontaktuar me institucionet kompetente, përkatësisht me policinë në Selanik, nga ku është konfirmuar vrasja.
Në Sani Villas të Haniotit, dy persona të maskuar kanë hapur zjarr mbi dy shtetas të Maqedonisë së Veriut.
“Të dy personat janë dërguar urgjent në spitalin e përgjithshëm të Halkidikit, ku njëri nga plagët e rënda ka ndërruar jetë, ndërsa tjetri u transportua në një spital tjetër- në Poligiros për tu kuruar mëtutje.
Sipas informacioneve të Ambasadës, disa ekipe të policisë greke ndodhen aktualisht në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, thonë nga MPJ.
Sipas informacioneve jozyrtare, Bajrami ishte pronar i një kazinoje në Shkup.
Burimi: TV21