Sipas një statistike të publikuar në mjetet e informimit, në Zvicër njerëzit punojnë mesatarisht 35 orë në javë ose 7 orë në ditë, kurse francezët bëjnë punë efektive 33 orë apo 6. 6 orë në ditë. Irlandezët punojnë diçka më shumë 7.2 orë në ditë, Finlandezët diçka edhe më shumë. Amerikanët punojnë 7.8 orë në ditë. Më të zellshmit janë evropianët e rinj siç janë polakët me 8.5 orë në ditë apo çekët me 8.6 orë në ditë. Në Austri punëtorët punojnë 38.5 orë në javë ose 7.7 në pesë ditë. Por sipas normës ligjore kanë të drejtë edhe 40 orë në javë si punë normale të punojnë.
Në pyetjen pse amerikanët punojnë më shumë se europianët vjen përgjigjja sepse tatimi në të ardhura është më i vogël. Nëse një person në shtetet e zhvilluara të Europës do të marrë 100 Euro më shumë, shteti do t’i marrë 60 Euro tatim. Në Zvicër nuk është aq keq, sepse atje ka tarifa tatimi në të ardhura dhe në pasuri, të cilat ndikojnë të mos paguajnë shumë tatim. Në Europë sa më shumë të punosh, do të thotë që në fund të vitit më pak do të fitosh, për shkak të pagesave të tatimeve shtesë.
Zvicra e ka tatimin e të ardhurave personale të kufizuar në 80000 mijë franga në vit për një familje. Nëse vetëm një frangë më shumë tejkalon këtë shumë, do të duhet që qytetarët të paguajnë tatim nga 2000 deri në 4000 franga. Kurse vetjakët, nënat me një fëmijë, nuk guxojnë të kalojnë shumën prej 45000 frangave sepse do të paguajnë për tatim nganjëherë deri në 10000 franga.
Sipas Ligjit të Punës §3 në Austri, koha e punës nga e hëna deri në të premten parasheh 8 orë punë në ditë dhe të premten nga ora 7.00 deri në ora 12.30. Punëtorët munden në raste urgjente të punojnë deri në dhjetë orë më tepër. Punëtorët në Austri nuk guxojnë t’i tejkalojnë 48 orë pune në javë. Arsyet janë sepse e dëmtojnë shëndetin dhe kjo do t’i kushtojë edhe punëtorit ose punëtores, por edhe shtetit më shtrenjtë, për shkak të shpenzimeve në rast se sëmuret.
Rregulla të tjera të punës janë për të rinjtë dhe nënat që kanë fëmijë të vegjël. Ata munden vetëm 8 orë punë t’i bëjnë, kurse nënat me fëmijë në gji nuk guxojnë t’i tejkalojnë 8.5 orë në ditë.
Në Gjermani është paraparë koha e orarit të punës si dhe koha e ndërrimit të rrobave të punës, pastrimi i duarve hyn në orarin e punës, pra deri sa punëtori të largohet nga vendi i punës. Pushimet e punës nuk do të paguhen. Por shkuarja në tualet apo ndonjë pushim i vogël do të paguhet, këto varen nga kontrata e punës që nënshkruhet në mes të punëtorit dhe punëmarrësit. Festat do duhet të jenë të paguara.
Në shtetet e zhvilluara njeriu duket gati si një robot të punon. Nuk dallohen punët e burrave dhe të grave. Por pavarësisht nga profesioni, bëjnë të dyja gjinitë edhe punët e njëjta. Shpesh ndodh të shohësh shofer autobusi femër, apo mekanike, apo edukatur në kopsht të fëmijëve një mashkull etj. Mësuesit në Austri duhet të punojnë nga 22 orë në javë. Kurse shoferët vetëm 6 orë në ditë punojnë. Kohën e fundit shumica e punëtorëve punojnë brenda javës përveç punës së tyre edhe punë të tjera. Ka shumë njerëz që kryejnë nga dy ose më shumë punë, ose bëjnë orë të tepërta.
pagesa mes gjinive ndryshon, zakonisht gratë për punën e njëjtë paguhen më pak, me përjashtim në punët e shtetit, si dhe punët që janë të parapara me normat e marrëveshjeve kolektive. Nëse dikush punon pa lajmërim, atëherë tek organet shtetërore kjo llogaritet njësoj sikur vjedh në një shitore dhe dënimet janë mjaft të larta.