Kancelari gjerman Olaf Scholz e mbrojti programin gjerman për të mbrojtur familjet dhe bizneset nga rritja e çmimeve të energjisë. BE ka bërë të ditur se po e diskuton me Gjermaninë këtë politikë.
Të martën, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se një plan i mbështetjes energjetike prej 200 miliardë eurosh ishte i justifikuar. Ai shtoi se masa të ngjashme po merren në vende të tjera.
“Mburoja” përfshin një frenim të çmimit të gazit dhe një ulje të taksës së shitjes së karburantit. Ajo synon të mbrojë bizneset dhe familjet nga ndikimi i rritjes së çmimeve të energjisë.
“Masat që po marrim nuk janë unike, por po merren edhe diku tjetër, dhe me të drejtë”, tha kancelari Olaf Scholz në një konferencë shtypi në Berlin, me rastin e vizitës së kolegut të tij holandez Mark Rutte.
“Disa masa kanë qenë prej kohësh në proces, me mbështetje dhe veprim të rëndësishëm, për të bërë pikërisht atë që kemi vendosur të bëjmë këtë vit dhe dy vitet e ardhshme,” tha Scholz-i.
Në përgjithësi, është një “paketë shumë e ekuilibruar, shumë inteligjente dhe shumë vendimtare që i mban çmimet të ulëta dhe të durueshme për sa kohë ekzistojnë këto sfida”, shtoi Scholz-i.
Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner i partisë liberale Demokratët e Lirë gjithashtu u përpoq t’i qetësonte homologët e tij të BE në bisedimet në Luksemburg të martën.
“Ka pasur një keqkuptim… Paketa jonë… është proporcionale, po të krahasosh madhësinë dhe cënueshmërinë e ekonomisë gjermane,” tha Lindner-i.
Mbështeten ata që kanë më shumë nevojë
Më vonë gjatë ditës së martë, Scholzi u takua me kryeministrat e shteteve anëtare të Gjermanisë. Në konferencën për shtyp pas bisedimeve, kancelari mbrojti sërish vendimin e qeverisë. Ai tha se ishte detyra e tyre të ‘mbrojë vendet e punës’ dhe ‘të mbështesi ata që kanë më shumë nevojë’.
Scholz-i tha se paketa e fundit e shpëtimit do të kishte “efekte dramatike” te njerëzit dhe bizneset, që po shohin se gjendja e tyre financiare po përkeqësohet.
Ai pranoi se qeveria federale dhe qeveritë e shteteve “nuk ishin saktësisht në të njëjtën linjë“, në një kohë që vazhdon debati se kush do të paguajë çfarë. Megjithatë, tha a: “Jam i sigurt se do të arrijmë një marrëveshje”.
Pse ka ngjallur debat paketa?
Kundërshtarët e paketës thonë se ajo do të ndikojë në mënyrë të padrejtë te konkurrenca në tregun e përbashkët duke u dhënë përparësi kompanive gjermane.
Komisionerët e tregut të brendshëm të BE-së, Thierry Breton dhe ekonomisë Paolo Gentiloni, respektivisht nga Franca dhe Italia, thanë se plani gjerman “ngre pikëpyetje” se a është e drejtë. Ata kërkuan që në BE të merret një masë për të ndihmuar të gjitha vendet.
Komisioni Evropian, i cili e mbikqyr politikën e konkurencës në të gjithë BE, tha të hënën se po diskutonte paketën me Berlinin.
“Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur një fushë loje të barabartë dhe një treg të vetëm, dhe për të shmangur garat e dëmshme të subvencioneve,” tha një zëdhënës i Komisionit në një konferencë për shtyp./DW