Të paktën 65 të vdekur dhe mbi 2,300 të arrestuar në Iran, ndërprerja e internetit dhe reagimi i dhunshëm i forcave të sigurisë
Protestat filluan si pasojë e inflacionit të lartë dhe rritjes së vështirësive ekonomike, dhe kanë shënuar sfidën më të madhe për regjimin iranian në vitet e fundit.
Numri i vërtetë i të vdekurve mund të jetë më i lartë, pasi Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut thekson se është e vështirë të përcaktohet një shifër e saktë për shkak të ndërprerjes së internetit në të gjithë vendin. Ndërkohë, disa demonstrata pro-qeveritare u mbajtën në qytete të ndryshme, megjithëse nuk është e qartë se sa të mëdha ishin ato.
Dëshmitarët okularë raportojnë se forcat iraniane të sigurisë kanë vrarë dhjetëra njerëz me “pushkë ushtarake”, përfshirë edhe një 5-vjeçar. Vdekjet dhe lëndimet kanë krijuar skena kaosi në spitalet e vendit, me një grua që i tha CNN se kishte parë trupa “të grumbulluar” në një spital.
Irani nuk ka pasur internet për më shumë se 48 orë, sipas organizatës NetBlocks. Një banor i Teheranit tha se kjo ndërprerje po shtyn edhe më shumë njerëz të dalin në rrugë për të protestuar. Regjisorë të shquar iranianë kanë dënuar ndërprerjen e internetit si “mjet represioni”.
Policia iraniane ka kërkuar nga qytetarët që të mbajnë nën vëzhgim adoleshentët për shkak të raportimeve për dëmtime të pronës. Prokurori i përgjithshëm ka deklaruar se procedurat ligjore kundër protestuesve që shkatërrojnë pronën do të kryhen “pa masa të buta”.
Në Londër, një protestues u pa duke rrëzuar flamurin iranian në ambasadën e vendit dhe duke ngritur flamurin e para-revolucionit përpara turmës që protestonte jashtë ndërtesës. Ndërkohë, Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara mbështesin popullin iranian, ndërsa Presidenti Donald Trump përsëriti kërcënimin e tij për të sulmuar Iranin në rast se forcat e sigurisë do të vrisnin protestuesit.
Top Channel
Burimi: top channel


