Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) miratoi tarifat për periudhën 2026-2027, që nuk parashohin rritjen e çmimit të rrymës për konsumatorët.
Fejzullahu: Miratohen tarifat e reja pa ndryshim
“Miratohen tarifat e reja pa ndryshim, pa mbarim, siç kanë qenë vitin e kaluar”, tha kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu në mbledhjen e këtij Bordi.
Në mbledhjen e pestë të ZRRE-së janë aprovuar tarifat për sistemin e tarifave për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe tregut (KOSTT), për shfrytëzimin e sistemit të shpërndarjes (KEDS) dhe për Furnizuesin me Shërbim Universale (KESCO).
Muharrem Gashi nga Departamenti i Tarifave tha se për zhvillimin e sistemit për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe tregut do të mbulohen kostot totale të operimit, mirëmbajtjes, investimeve dhe zhvillimit të transmetimit me vlerë prej 76 milionë e 848 mijë euro.
Gashi: Tarifat per sistemin e transmetimit dhe tregut të energjisë elektrike mbulohen me vlerë rreth 76 milionë euro
“Në aplikacionin e KOSTT-it, shitjet për konsumatorët e kyçur në nivel transmetimi janë paraqitur me 570.7 GËh, ndërsa pas verifikimit nga ZRRE, i kemi korrigjuar këtë vlerë në 329 GËh. Ky ndryshim ka ndikuar drejtpërdrejtë në llogaritjen e tarifave për operatorin e sistemit dhe operatorin e tregut”, tha Gashi.
Për këto tarifa, Adelina Lokaj nga Departamenti i Tarifave tha se janë strukturuar në mënyrën që të reflektojnë volumin e konsumit të energjisë dhe një shpërndarje të drejtë të kostove ndërmjet kategorive të konsumatorëve, respektivisht nivelit të tensionit
Lokaj: Këto tarifa synojnë mbulimin e kostove totale të shpërndarjes me vlerë rreth 185 milionë euro
“Këto tarifa synojnë mbulimin e kostove totale të shpërndarjes, duke në përputhje me të hyrat e lejuara maksimale, në vlerë prej 185,960,000 euro për vitin relevant 2026. Në kërkesën e saj, KEDS-i ka propozuar mbajtjen e tarifave aktuale, duke u bazuar në një nivel të shitjeve prej 5,582 GËh. Përderisa ZRRE-ja ka marrë në konsideratë bilancin e energjisë elektrike të aprovuar, me një nivel të shitjeve prej 5,745 GËh. Andaj, si rezultat i kësaj diference, tarifa mesatare ka pësuar një rënie, një rënie rreth 2.7%. Kjo është llogaritur nga departamenti i tarifave dhe çmimeve, e cila ka qenë në raport me kërkesën e KEDS-it që e kemi pranuar, edhe që kjo diferencë është reflektuar edhe në tarifat e rrjetit të shpërndarjes sipas nivelit të tensionit”, tha ajo.
Muharrem Gashi nga Departamenti i Tarifave tha se ZRRE-ja nuk e ka mbështetur propozimin për ndryshimin e strukturës tarifore dhe ka vlerësuar se një ndryshim i tillë kërkon konsultim publik dhe procedurë të veçantë.
Gashi: Duhet të mbahet e pandryshuar struktura ekzistuese tarifore dhe niveli i tarifave
“Ne si ZRRE vlerësojmë se ky ndryshim kërkon proces të veçantë dhe konsultim publik, për të cilin nuk ka pasur kërkesë nga furnizuesi i shërbimit universal. Andaj ZRRE nuk mendon që duhet ky propozim të miratohet dhe mendojmë që duhet të mbahet, të pandryshuar struktura ekzistuese tarifore dhe niveli i tarifave. Pra, të ketë zero ndryshime. Struktura e tarifave bazohet në parimet që me i reflektu kostot reale të furnizimit, blerja e energjisë nga gjenerimi vendor dhe importet, nxit konsumin efikas përmes tarifave me blloqe dhe tarifave ditë-natë, bën diferencimin sipas niveleve të tensionit, 35, 10 dhe 0.4 kV, pra duke siguruar shpërndarje të drejtë të kostove ndërmjet kategorive të konsumatorëve”, tha ai.
Burimi: botasot.info


