Lufta e Vladimir Putinit kundër Ukrainës është zbehur sërish për shkak të rezistencës së guximshme të ukrainasve dhe mbështetjes ndërkombëtare në formën e armëve, ndihmës financiare dhe sanksioneve kundër Rusisë, presidentit Putin dhe mafias së tij oligarke.
Sado i kënaqur që jam nga këto zhvillime, është e vështirë të mos mendosh se si mund të ishte situata – dhe sa jetë njerëzish do të ishin shpëtuar – nëse veprime të tilla do të ishin ndërmarrë vite më parë. Ndaj sot kemi një konflikt me ndikim global mbi gjithçka, nga varësia e Evropës nga nafta dhe gazi rus, deri tek furnizimi me ushqim i disa vendeve afrikane.
Ky është çmimi i lartë që duhet të paguajmë për të ndaluar Putinin sot, për të shmangur një çmim edhe më të lartë nesër. Mjerisht ka ende shenja se disa udhëheqës perëndimorë nuk e kanë mësuar ende se izolimi i Putin dhe kundërpërgjigja me forcë ndaj tij është e vetmja mënyrë për të shënuar një përparim të qëndrueshëm në frenimin e një lufte të tillë në të ardhmen.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, foli javën e kaluar mbi nevojën e negocimit me Putinin, për t’i dhënë atij mundësinë të shpëtojë fytyrën. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, telefonoi të premten homologun e tij rus për të kërkuar një armëpushim, që mund të çojë në llojin e “konfliktit të ngrirë” që i pëlqen shumë Putinit, pasi ai ka mundësi të shmangë kufizimet dhe të konsolidojë sërish pozicionin e tij dhe rindërtojë ushtrinë.
Unë e kam thënë prej kohësh se Putin është një problem rus, që duhet zgjidhur nga rusët. Por Perëndimi duhet të mos e ndihmojë atë. Çdo telefonatë që legjitimon autoritetin e tij, çdo metër kub gaz dhe çdo fuçi naftë e importuar nga Rusia, është në këto momente një kamerdare shpëtimi për një diktaturë që për herë të parë po i dridhen themelet.
Nëse qëllimi është të shpëtohen jetët e ukrainasve, siç thonë liderët perëndimorë, atëherë e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është ta armatosim sa më shpejt të jetë e mundur Ukrainën me çdo armë që dëshiron presidenti Volodymyr Zelensky. Një armëpushim që i lë forcat ruse në terrorin ukrainas, do t’i jepte mundësi Putinit të vazhdonte gjenocidin dhe dëbimet masive, siç ka bërë që kur e pushtoi për herë të parë Ukrainën në vitin 2014.
Ka edhe nga ata që tani mbajnë haptazi anën e zotit Putin. Kryeministri i Hungarisë VictorOrban po bllokon një embargo që synon të vendosë BE për importet ruse të naftës, të cilat e furnizojnë çdo muaj me dhjetëra miliarda dollarë makinerinë e luftës së Putinit.
Presidenti turk Erdogan kërcënon se do të të pengojë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, edhe pse si zakonisht me këtë sjellje ai synon të fitojë diçka për veten e tij. Në SHBA, senatori Rand Paul ka kërkuar miratimin e një paketë të re të ndihmës financiare urgjente për Ukrainën.
144 milionë rusë që kanë mbetur ende në shtetin policor të Putinit, të bombarduar me një propagandë gjithnjë e më toksike për më shumë se 2 dekada, përballen me zgjedhje të vështira, ndërsa po shembet fasada e stabilitetit të Putinit, dhe teksa po afrohet humbja në Ukrainë.
Kur Putin pushtoi Gjeorgjinë në vitin 2008, udhëheqësit perëndimorë thanë se ishte më mirë të ruanin lidhjet ekonomike dhe politike, sesa ta ndëshkonin Rusinë. Ata thanë se politika e angazhimit me Moskën, do ta liberalizonte Rusinë – por edhe Kinën – duke e lidhur atë me botën e lirë.
Këtë qasje e mishëroi Barack Obama. Por “rivendosja e raporteve” SHBA-Rusi përtëriti kredencialet e Putin në skenën globale, ndërsa ai nisi të godiste fort shoqërinë civile ruse. Në vitin 2014, Putin u ndje mjaftueshëm i sigurt për të hequr dorë nga fasada e “demokracisë ruse”, duke pushtuar një pjesë të Ukrainës, ndërsa në vitin 2016, ai ndërhyri në zgjedhjet në Britani dhe SHBA.
Në Evropë, kancelarja gjermane Angela Merkel shtyu përpara projektin e gazsjellësit “NordStream 2”, duke e rritur varësinë nga energjia ruse, kur në fakt nevojitej e kundërta. Tani kjo gjë po ndodh por me më shumë kosto. Ndoshta Obama dhe Merkel mund të vizitojnë Kievin së bashku për të parë dëmet e asaj qasje pajtuese me Putinin, dhe për t’i kërkuar falje popullit ukrainas.
Ushtria e korruptuar dhe e paaftë e Putinit është e aftë vetëm në brutalitetin dhe masakrimin e civilëve. Ajo kishte 8 vite kohë për t’u ngulitur fort në lindjen e pushtuar, ku forcat e Ukrainës po afrohen me shpejtësi. Ndërsa lufta po kalon në një fazë të re në të cilën mbrojtja nuk mjafton, ne do të shohim se sa të përkushtuar janë realisht aleatët e Ukrainës.
A do ta ndihmojnë ata Ukrainën që të fitojë, ta shkatërrojë makinerinë luftarake të Putin dhe që të rivendosë kontrollin në të gjithë territorin e saj? A do t’i mbajnë ata në fuqi sanksionet për të rritur presionin e brendshëm ndaj presidentit rus, dhe për t’i bërë të ditur mafias së tij se për ta dhe familjet e tyre nuk ka asnjë rrugë kthimi për në botën e qytetëruar, derisa Putin do të vazhdojë të mbetet në pushtet?
Bota e lirë që e fitoi Luftën e Ftohtë, po rikujton se si të luftojë dhe po ri–zbulon vlerat që i japin kuptim luftës. Ky është një lajm i keq për Vladimir Putin dhe diktatorët e tjerë që po e vëzhgojnë nga afër luftën e tij, nga Pekini në Teheran, dhe deri në Karakas. Ukrainasit po luftojnë për jetën, kombin e tyre dhe për botën e lirë.
Shënim: Garry Kasparov, është kryetar i Nismës për Ripërtëritjen e Demokracisë.