Helidon Bushati është tërhequr nga roli i tij si Drejtues Politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Shkodrës.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Bushati, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se “PD po kalon momente të vështira por unë jam i bindur se demokratet do të dinë të bashkohen shpejt, e të ringrihen së bashku.”
“Të dashur miq!
Bashkëqytetarë dhe shkodranët e mi të nderuar!
Pas një reflektimi të thellë rreth situatës politike dhe zhvillimeve në PD, kam marrë vendimin për t’u tërhequr nga roli i Drejtuesit Politik për Qarkun e Shkodrës. Këtë qendrim, e kam komunikuar me drejtuesit e PD, përpara kësaj shpallje.
PD po kalon momente të vështira por unë jam i bindur se demokratet do të dinë të bashkohen shpejt, e të ringrihen së bashku.
Çfarë i afron sot anëtarët e familjes sonë të madhe politike me njëri-tjetrin është shumë më e madhe se ajo që i ndan, dhe sidomos nevoja jetike që ka vendi për një përballje të fortë me regjimin e mandatit të tretë
Mendoj se me këtë tërheqje timen, krijohen mundësi për energji dhe impulse që do t’i shërbenin PD me synim përbashkimin. E po ashtu, hapen shanse për promovimin e emrave të rinj. Do të vazhdoj padyshim të jem përfaqësues dhe deputet i Partisë Demokratike dhe do të mbroj deri në fund interesat e qytetarëve të Shkodrës e në veçanti të mbështetësve tradicionalë e historikë të së djathtës.
Ndihem çdo ditë i bekuar nga përkrahja që kam marrë dhe marr prej tyre.
Dua të falenderoj përzemërsisht, të gjithë banorët e qarkut Shkodër, demokratët e palodhur, drejtuesit e strukturave dhe bashkëpunëtorët e mi të afërt për besimin dhe mbështetjen e pakursyer përgjatë këtij rrugëtimi.
Një besim që do bëj gjithçka për ta shpërblyer.
Asnjë post, përgjegjësi e karrierë, nuk vlen sot më shumë se sa analiza, dhe shikimi në sy e me përulësi i realitetit.
Për PD dhe interesat e saj, nuk është hera e parë që unë bëj një hap të tillë, duke lënë në plan të dytë ambicien personale. Bindja ime e palëkundër është se PD dhe demokratët e meritojnë të japësh për ta.“-shkruan Bushati.