Një marrëveshje me Turqinë i hap derën zgjerimit të NATO-s

min lexim

Mbrëmjen e 28 qershorit, udhëheqësit e Finlandës, Suedisë dhe Turqisë nënshkruan një memorandum trepalësh – në margjina të samitit të NATO-s në Madrid – duke i hapur rrugën dyshes nordike për t’iu bashkuar aleancës ushtarake. Por, për çfarë ranë dakord konkretisht dhe çfarë do të ndodhë tash?

Si ka ardhur deri këtu?

Stokholmi dhe Helsinki kërkuan anëtarësimin në NATO, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.

Të gjithë, përfshirë zyrtarë të lartë të NATO-s dhe udhëheqjen politike të Suedisë dhe Finlandës, prisnin që dyshja do t’i bashkohej aleancës pa asnjë pengesë.

Por, në mes të majit, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, shprehu kundërshtimet e tij, duke thënë se të dyja vendet i janë bashkuar një embargoje armësh mbi Turqinë dhe se “mbështesin” kauza të ndryshme kurde.

Ajo që pasoi ishin gjashtë javë negociata politike në nivele të ndryshme, të mbikëqyrura nga NATO-ja, kryesisht në Bruksel dhe Ankara.

Palët nënshkruan përfundimisht memorandumin prej tri faqesh më 28 qershor në Madrid, pas gati katër orësh bisedime. ​

Çfarë thuhet në memorandum?

Ai fokusohet kryesisht në tri çështje: lufta kundër terrorizmit, tregtia e armëve dhe kërkesat turke për ekstradim.

Finlanda dhe Suedia, tash e sa kohë, e kanë klasifikuar Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) si organizatë terroriste. Por, në memorandum, dy vendet angazhohen po ashtu për “parandalimin e aktiviteteve të PKK-së dhe të të gjitha organizatave të tjera terroriste dhe të degëve të tyre, si dhe të aktiviteteve të individëve që bëjnë pjesë në grupe ose rrjete që janë të lidhura dhe të frymëzuara nga këto organizata terroriste”.

Memorandumi parasheh edhe një bashkëpunim më të ngushtë të Finlandës e Suedisë me Turqinë, “për të parandaluar aktivitetet e këtyre grupeve terroriste”.

Aty është përfshirë edhe një zotim për të mos ofruar mbështetje për Partinë e Bashkimit Demokratik (PYD) dhe Njësitë e saj të Mbrojtjes Popullore (YPG). E para është një parti politike kurde në Siri, ndërsa e dyta është krahu i saj ushtarak. Ankaraja këmbëngul se ato janë të lidhura ngushtë me PKK-në, por shumë vende perëndimore i shohin ato si një nga forcat më efektive në luftimin e grupit ekstremist të Shtetit Islamik.

Vihet re se në memorandum nuk ka asnjë ultimatum të Turqisë për ta klasifikuar YPG-në si organizatë terroriste.

Në një tjetër lëshim të qartë ndaj Ankarasë, të tria palët konfirmojnë se nuk ekziston asnjë embargo kombëtare armësh mes tyre.

Por, çështja më e madhe që është trajtuar, është ekstradimi i mundshëm i kurdëve etnikë në Turqi. Kjo është një temë e ndjeshme në Suedi, ku jetojnë rreth 100,000 njerëz me origjinë kurde.

Teksti thotë se “Finlanda dhe Suedia do t’i trajtojnë kërkesat e pezulluara të Turqisë për dëbim ose ekstradim të të dyshuarve për terrorizëm në mënyrë të shpejtë dhe të plotë, duke marrë parasysh informacionet, provat dhe inteligjencën e ofruar nga Turqia”.

Dokumenti, po ashtu, thekson se dy vendet “do të krijojnë kuadrin e nevojshëm ligjor dypalësh, për të lehtësuar ekstradimin dhe bashkëpunimin me Turqinë, në përputhje me Konventën Evropiane për Ekstradimin”.

Ka mundësi që kjo marrëveshje ta dëmtojë Partinë Social Demokratike – që udhëheq në Suedi – në zgjedhjet parlamentare, të planifikuara për në shtator. Marrëveshja mund të shihet si tradhti ndaj shumë kurdëve që kërkojnë strehim në këtë vend. ​

Kur mund t’i bashkohen NATO-s Finlanda dhe Suedia?

Më 29 qershor, udhëheqësit e NATO-s marrin vendimin simbolik për të ftuar Finlandën dhe Suedinë për t’u anëtarësuar në aleancë.

Megjithatë, protokolli i pranimit nuk do të nënshkruhet në Madrid. Ka shumë gjasa që ambasadorët e 30 vendeve anëtare ta bëjnë këtë javën e ardhshme në Bruksel.

Më pas fillon procesi i ratifikimit në të gjitha parlamentet e vendeve anëtare. Normalisht, kjo zgjat rreth një vit, por vende të ndryshme janë angazhuar tashmë për të përshpejtuar procesin. Kjo mund të bëjë që Suedia dhe Finlanda të anëtarësohen në NATO këtë vjeshtë.​

Përse është e rëndësishme?

Fillimisht, është një ndryshim i madh politik si për Finlandën, ashtu edhe për Suedinë.

Helsinki do të braktisë gjurmët e fundit të statusit të tij unik të Luftës së Ftohtë, i cili ka çuar në shpikjen e termit “finlandizim”, ku Bashkimi Sovjetik ka lejuar pavarësinë e Finlandës, me kushtin që ky vend të mos kundërshtojë politikën e jashtme të fqinjit më të madh dhe më të fuqishëm.

Turqia u vë kushte Finlandës dhe Suedisë nëse duan mbështetje për në NATO

Pranimi i dy anëtarëve të rinj nordikë do të ketë gjithashtu ndikim të madh në NATO.

Finlanda, e cila ka ende në fuqi rekrutimin e meshkujve, ka një forcë të gatshme për luftë prej 280,000 trupash, si dhe rezerva të trajnuara që përbëhen prej 900,000 burrash dhe grash. Këto do ta bënin atë një nga ushtritë më të mëdha të NATO-s.

Finlanda përmbush gjithashtu objektivin e NATO-s për shpenzimin e 2 për qind të bruto prodhimit të saj të brendshëm për mbrojtje – gjë të cilën vetëm nëntë nga 30 anëtarët aktualë të NATO-s arrijnë ta bëjnë.

Suedia, po ashtu, synon ta arrijë këtë objektiv në vitet në vazhdim dhe është një nga eksportueset më të mëdha të armëve në botë.

Anëtarësimi i dy vendeve në NATO natyrisht se ka ndikim edhe në sigurinë dhe gjeopolitikën e Evropës.

I gjithë rajoni baltik, me përjashtim të Rusisë, së shpejti do të jetë territor i NATO-s. Kufiri prej 1,300 kilometrash i Finlandës me Rusinë do të bëhet më i gjati i aleancës ushtarake me Rusinë – vendin që aktualisht është kundërshtari i saj më i madh./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Dardanët stërviten në Danimarkë

Story i radhës

Tragjedi në Maqedoni! Treni shtyp për vdekje dy emigrantë

Të fundit nga