Një leksion i shkurtër nga gjuha: Urime Abazoviqit e jo Abazoviç!!!

April 29, 2022
min lexim

Zgjedhja kryeministrit të ri të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, shkaktoi ortek urimesh. Me të drejtë, sepse, nuk ndodh shpesh që një shqiptar të vijë në krye të Qeverisë në një shtet ku shqiptarët nuk janë shumicë.

Por, tema jonë në të vërtetë, është një leksion i shkurtër nga gjuha, për t’ia përkujtuar publikut shqiptar një shkelje serioze të rregullave drejshrkimore.

Do të ishte më mirë, sikur mbiemri i Dritanit të ishte Abazi, por ndikimet e pushtetit kanë lëshuar rrënjë thellë në “praktikën” e shkrimit të mbiemrave shqiptarë në Mal të Zi, dhe ai zyrtarisht është i regjistruar si Abazoviq. Diku-diku kanë mbetur edhe në Maqedoni mbiemrat me mbaresën “ov” ose “ovski” nga koha e regjimit komunist.

Në 99.9 për qind e urimeve drejtuar kryeministrit të ri, përfaqësues të ndryshëm shqiptarë, liderë partiakë, ministra, por dhe portale, mbiemrin e Dritanit e kanë shkruar me “Ç”: Abazoviç! Që është lëshim, duke imituar praktikën e gabuar të shkrimit dhe shqiptimit të mbiemrave sllavë në Shqipëri! Pse?

Sepse, mbiemri i kryeministrit malazez në gjuhën malazeze shkruhet me shkronjën “ć“, që është shkronja shqipe „q“. Ata që e shkruajnë kështu, mendojnë se kjo shkronjë lexohet „Ç“, që është gabim. Në alfabetin latin të gjuhëve serbokroate të ish Jugosllavisë, shkronja „Ç“ shkruhet „Č“, e cila dallohet nga mbaresa e mbiemrave „Ć“.

Pra, mbiemri i Abazoviqit shkruhet Abazović e jo Abazovič, dhe në shqipe duhet të shkruhet Abazoviq e jo Abazoviç.

Të rezimojmë:
-me Q, q(Ć, ć) mbarojnë mbiemrat serbë,malazezë, boshnjakë dhe kroatë
-me Ç, ç(Č, č) mbarojnë mbiemrat sllovenë, rusë, polakë…etj.

Praktikën e këtillë të gabuar media shqipe në Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi e kanë marrë nga Shqipëria, ku këto dallime nuk bëhen, me logjikën se atje “e dinë më mirë”, që në këtë rast nuk është ashtu!

Prej Shqipërie imitohet edhe praktika e gabuar e mos lakimit të emrave në rasa ose mos-shquarja e emrave “të huaj”, duke e kaluar së fundmi të njëjtin trend edhe te emrat shqip! Kështu, mund të hasen shembuj “Gjukanoviç ia dha mandatin Dritan Abazoviç”(nga kjo fjali e çoroditur që do të ruajë “origjinalitetin” e emrave, a dihet kush kujt i ka dhënë mandat?!), “Grubi u takua me Abazoviq”(të dy shqiptarë dhe pretendohet të ruhet origjinaliteti duke mos e shquar mbiemrin e këtij të dytit), “Ahmeti uroi Abazoviç” etj., etj.

Gjuha shqipe i ka rregullat e veta drejtshkrimore, sipas të cilave si emrat shqiptarë, si ato të huaj, u nënshtrohen njësoj! Për fat të keq, në mediat shqiptare ka depërtuar një trend që në thelb e rrezikon natyrën dhe rregullat drejshkrimore të gjuhës shqipe.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Leonardo dorëzohet

Story i radhës

Ish-mbrojtësi përgatit rikthimin në rolin e trajnerit

Të fundit nga

ShkoLartë