NEWBORN në mbështetje të grave

February 17, 2022
min lexim

Monumenti i pavarësisë së Kosovës, NEWBORN, që gjendet në Prishtinë, pothuajse çdo vit dërgon një porosi nga Kosova për botën.

Këtë vit, ky monument u dedikohet grave, të cilat kanë qenë të suksesshme në fusha të ndryshme, si dhe atyre që kanë qenë viktima të dhunës.

Mesazhi i tij është: Winged Women apo Gratë me Krahë.

Por, cilat ishin mesazhet e këtij monumentit ndër vite?

2008: Më i madh se vetë jeta

Momumenti NEWBORN më 2008.
Momumenti NEWBORN më 2008.

NEWBORN, i cili simbolizon lindjen e shtetit të Kosovës, u krijua në një kohë rekorde brenda 11 ditëve nga autori, Fisnik Ismaili. NEWBORN-i u zbulua më 17 shkurt, 2008, në ditën kur Kosova shpalli pavarësinë. Atë ditë, mbi 150 mijë njerëz u nënshkruan në këtë monument. Të parët që u nënshkruan, ishin presidenti i atëhershëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.

NEWBORN-i është ndërtuar nga një skelet çeliku dhe është i mbuluar me shtresë metali prej 4mm. Çdo shkronjë ka lartësi prej tri metrash, që peshon përafërsisht një ton. Ky është monumenti më i vizituar në Kosovë.

Prej 17 shkurtit, 2008, shtatë shkronjat e këtij obelisku nuk ndryshuan pamjen deri në përvjetorin e pestë të pavarësisë së Kosovës.

Autori i këtij monumenti, Fisnik Ismaili, thotë për Radion Evropa e Lirë se qysh në fillim kishte dy ide se si do të vazhdohej të jetësohej ky monument.

Ideja e parë, sipas Ismailit, ishte që të ruheshin nënshkrimet e 17 shkurtit 2008, duke e konservuar monumentin. Por, pasi që nuk u arrit të konservohet, u mendua që NEWBORN-i të ndryshojë pamje çdo vit.

Arsyeja se pse pamja e NEWBORN-it nuk ndryshoi për pesë vjet, siç thotë Ismaili, ishte neglizhenca e autoriteteve për të formuluar një plan të qartë dhe një praktikë për mirëmbajtën e monumentit.

2013: Mirënjohja

Në vitin 2013, Qeveria e Kosovës vendosi që NEWBORN-in ta ngjyrosë me ngjyrë të verdhë, duke rikthyer pamjen që ky monument e kishte pasur në fillim. Kjo ngjyrë është njëra nga ngjyrat e flamurit të Kosovës.

Momumenti i NEWBORN-it më 2013.
Momumenti i NEWBORN-it më 2013.

I pakënaqur me këtë, ideatori i NEWBORN-it, Fisnik Ismaili, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës, cilët iu bashkuan në numër të madh, për t’i pikturuar të gjithë flamujt e shteteve që deri në atë vit e kishin njohur pavarësinë e Kosovës.

Deri në vitin 2013, numri i shteteve që e kishin njohur Republikën e Kosovës ishte 96.

2014: Kujtim për të rënët

Momumenti i NEWBORN-it më 2014.
Momumenti i NEWBORN-it më 2014.

Në këtë përvjetor, ngjyrat e NEWBORN-it ishin të uniformave të ushtarëve të vendeve që kanë ndihmuar Kosovën për çlirim nga Serbia. Secila shkronjë u ngjyros me lara ushtarake, identifikuese të ushtrive të shteteve të NATO-s. Në këtë formë, Kosova shprehu mirënjohjen për sakrificën e burrave dhe grave që ndihmuan çlirimin e Kosovës.

Ndërhyrja e forcave ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë, e cila filloi më 24 mars, 1999, shënoi fillimin e bombardimeve 78-ditëshe mbi këto caqe, si dhe ngjalljen e shpresës për qytetarët e Kosovës se liria ishte afër.

2015: Shprehu lirshëm

Në kujtim të NEWBORN-it të parë, ku njerëzit i shprehën ndjenjat e tyre duke shkruar me markera të përhershëm në monument, varianti i vitit 2015 ishte vazhdim i zgjeruar i asaj ideje, thotë Fisnik Ismaili.

Me moton “Shprehu shlirë, ndjehu mirë”, qytetarët ishin të lirë të pikturonin çfarëdo që dëshironin, përveç në shkronjën “E”, e cila mbeti e zezë dhe e cila simbolizonte emigrimin masiv të qytetarëve në atë vit.

NEWBORN-i më 2015.
NEWBORN-i më 2015.

Më 2015, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga Kosova u larguan mbi 75 mijë qytetarë.

2016: Izolimi

Qielli i kaltër me re e i mbuluar me gjemba në vitin 2016 përçoi mesazhin e izolimit, pamundësinë e Kosovës për t’u integruar në Bashkimin Evropian, si dhe çështjen globale të refugjatëve. Telat me gjemba në monumentin e NEWBORN-it ishin thirrje për botën për të gjetur një zgjidhje për këto çështje.

Monumenti i NEWBORN-it më 2016.
Monumenti i NEWBORN-it më 2016.

Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012, por ende nuk është finalizuar.

2017: T’i rrëzojmë muret

Si reagim ndaj të gjitha mureve nëpër botë, si dhe murit, i cili ndërtohej në Mitrovicën e Veriut, pranë Urës së Ibrit, porosia e NEWBORN-it ishte më inovative dhe e drejtpërdrejtë. Derisa një pjesë e madhe e strukturës qëndronte e ngritur, e ngjyrosur si mur, shkronjat N dhe W u shtruan përtokë, duke qëndruar horizontalisht.

Monumenti i NEWBORN-it më 2017.
Monumenti i NEWBORN-it më 2017.

Muri në Mitrovicë ishte ndërtuar gjatë dhjetorit të vitit 2016 nga autoritetet lokale të Mitrovicës së Veriut. Por, sipas Prishtinës zyrtare, ndërtimi i këtij muri ishte ilegal dhe nënkuptonte ndarjen e Mitrovicës. Muri më pas u rrënua.

2018: Dekada

Në këtë vit, Kosova shënonte 10-vjetorin e pavarësisë. Shkronja B e NEWBORN-it u zëvendësua me numrin 1, duke krijuar numrin 10, pasi u vendos pranë shkronjës O. Pastaj, numri 10 u ngjyros me ngjyrë ari, kurse shkronjat tjera u ngjyrosën me ngjyrë të argjendtë.

Monumenti i NEWBORN-it më 2018.
Monumenti i NEWBORN-it më 2018.

2019: Mbrojtja e tokës

NEWBORN-i i vitit 2019 i ishte kushtuar ambientit, pasi që ngrohja globale ishte çështje aktuale në botë. Në këtë vit, cilësia e ajrit në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, pati arritur në një nivel alarmant, duke tejkaluar të gjitha standardet e rekomanduara.

Monumenti i NEWBORN-it më 2019.
Monumenti i NEWBORN-it më 2019.

2020: Luftërat e pafundme

NEWBORN-i i vitit 2020 iu dedikua të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë konflikteve anembanë botës. Secila shkronjë përmbante fjali që tregonin përjetimet e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, sipas institucioneve dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie, thuhet të jetë 20 mijë.

Monumenti i NEWBORN-it më 2020.
Monumenti i NEWBORN-it më 2020.

2021:Në përkrahje të luftës së UÇK-së

Qytetarët më 2021 kanë ngjyrosur monumentin me pëllëmbën e dorës së tyre, me një prej ngjyrave të ushtrisë, duke treguar përkrahjen e tyre për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Monumenti NEWBORN më 2021.
Monumenti NEWBORN më 2021.

Më 2020, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Të gjithë ata ndodhen në paraburgim në Hagë.

2022: Gratë me krahë

Monumenti NEWBORN, i cili tashmë është simbol i pavarësisë së Kosovës, këtë vit u dedikohet grave, të cilat kanë qenë të suksesshme në sport, muzikë dhe film dhe kanë përfaqësuar Kosovën në 14 vjet të pavarësisë.

Por, mbi të gjitha, ideatori i NEWBORN-it, Fisnik Ismaili, thotë se monumenti u kushtohet grave që vazhdojnë të abuzohen e vriten në shtëpi para familjarëve të tyre.

Në Kosovë, gratë përbëjnë shumicën e viktimave të dhunës në familje.

Çdo vit, që nga 2018-ta, së paku 1,000 gra janë raportuar si viktima të dhunës në familje.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Kuvendi e vazhdoi gjendjen e krizës me energjinë për ngrohje në Shkup

Story i radhës

Dita e Plisit sot në Teatrin Shqiptar në Shkup

Të fundit nga

ShkoLartë