Shkup, 13 Nëntor – Para zyrës së Drejtorisë së Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” Shkup, nesër prej orës 11:00 do të mbahen protestë, pasi sipas organizatorëve, janë larguar 112 persona nga puna me urdhër të drejtoreshës aktuale, Kosana Nikoliq Mazneva.
“Me si grup i personave të pa kënaqur nga vendimet e fundit të drejtoreshës së Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” Shkup Kosana Nikoliq, për largimin e 112 personave nga kjo Ndërmarrje, kemi parashikuar të organizojmë një protestë të qetë para zyrave të kësaj Ndërmarrje, me qëllim që t’i paraqesim pakënaqësinë dhe shqetësimet tona”, thuhet në njoftimin e protestës.
Portalb.mk dërgoi pyetje deri te udhëheqësia e “Higjienës Komunale” për t’i mësuar shkaqet se pse nuk u janë vazhduar kontratat 112 personave.
Drejtoresha e posa emëruar Mazneva përjashtoi nga puna 33 punonjës, të gjithë shqiptarë. Mosvazhdimi i kontratave të punës, nxiti reagim të punësuarve, të cilët akuzojnë institucionin se “hakmarrja” është bërë për pazare politike dhe jo për parregullsi në punë.
Nga Higjiena Komunale asokohe deklaruan se të punësuarit nuk kanë shkuar në punë dhe kanë marrë rroga.
“33 personave të punësuar përmes Agjencisë për punësim të përkohshëm në Ndërmarrjen publike Higjiena Komunale Shkup, të cilët kanë marrë paga me muaj e vite dhe nuk kanë shkuar në punë, pas përfundimit të kontratave të njëjtat nuk u janë vazhduar. Duhet t’i jepet fund shpenzimit të kotë të parave të qytetarëve dhe të punojmë me përkushtim për përmirësimin e shërbimeve dhe përmbushjen e obligimeve ndaj qytetarëve”, thonë nga N.P. “Higjiena Komunale” Shkup.
Por, të punësuarit demantuan pretendimet e drejtoreshës, duke akuzuar se vendet e tyre do t’i mbushin me militantë partiak.
Burimi: zhurnal.mk