Administrata e Donald Trump po hap një tjetër betejë me Europën, këtë herë jo për tarifat, mbrojtjen apo NATO-n, por për çmimet e ilaçeve.
Sipas një raporti ekskluziv të Politico, Uashingtoni ka nisur një ofensivë të gjerë diplomatike në të gjithë Europën për të bindur qeveritë që të rrisin shpenzimet për barnat, me argumentin se pacientët amerikanë po paguajnë prej vitesh pjesën më të madhe të kostos së inovacionit farmaceutik, ndërsa vendet europiane përfitojnë nga çmime dukshëm më të ulëta.
Në këtë operacion janë angazhuar edhe ambasadat amerikane në Europë, të cilat po përpiqen të bindin qeveritë europiane të ndjekin modelin e Britanisë së Madhe, vendi i parë që arriti një marrëveshje me administratën Trump mbi këtë çështje.
Mesazhi që po përcillet nga Uashingtoni është i drejtpërdrejtë: nëse Europa nuk paguan më shumë për ilaçet, rrezikon të humbasë investime të rëndësishme farmaceutike dhe të mbetet pas në aksesin ndaj medikamenteve më të reja.
Në qendër të kësaj strategjie ndodhet Gjermania, tregu më i madh farmaceutik në Europë. Sipas burimeve të Politico, ministrja gjermane e Shëndetësisë Nina Ëarken dhe ministrja e Ekonomisë Katherina Reiche po zhvillojnë prej muajsh bisedime konfidenciale me Departamentin amerikan të Shëndetësisë. Në tryezë janë investime miliardëshe, politika tregtare dhe mënyra se si përcaktohen çmimet e barnave.
Presioni amerikan vjen në një moment delikat për Berlinin. Qeveria gjermane po punon për reforma që synojnë uljen e shpenzimeve publike për ilaçet, ndërsa Uashingtoni kërkon pikërisht të kundërtën: më shumë para për industrinë farmaceutike.
Sipas industrisë, problemi është se Europa paguan shumë më pak se SHBA për të njëjtat produkte. Për barnat e reja, pacientët amerikanë paguajnë mesatarisht rreth tre herë më shumë se gjermanët. Administrata Trump argumenton se kjo diferencë është e padrejtë dhe se vendet europiane duhet të marrin një pjesë më të madhe të barrës financiare për kërkimin dhe zhvillimin e ilaçeve.
Për ta shtuar presionin, industria farmaceutike po përdor edhe argumentin e investimeve. Sipas raportit, kompanitë kanë paralajmëruar se mund të reduktojnë ose të zhvendosin investimet nëse vendet europiane vazhdojnë të mbajnë nën kontroll çmimet e barnave.
Javën e kaluar, kompania amerikane Eli Lilly dhe gjiganti gjerman Boehringer Ingelheim njoftuan se po reduktojnë plane investimi me vlerë miliarda euro në Gjermani, duke e lidhur vendimin me politikat e qeverisë për uljen e kostove në sektorin farmaceutik.
Administrata Trump po mbështetet te precedenti britanik. Pak javë më parë, Londra dhe Uashingtoni arritën një marrëveshje që mbronte kompanitë farmaceutike britanike nga tarifat amerikane për tre vjet. Në këmbim, Britania pranoi të rrisë gradualisht shpenzimet për medikamentet inovative dhe të zbusë kufizimet mbi çmimet e tyre.
Por marrëveshja britanike ka shkaktuar debat të ashpër. Kritikët pretendojnë se qeveria britanike ka pranuar të paguajë miliarda paund shtesë pa marrë përfitime të qarta në këmbim. Disa organizata kanë nisur madje edhe përpjekje ligjore për ta kundërshtuar atë.
Një tjetër element që po shqetëson Europën është politika e re e Trump për çmimet e barnave, e njohur si “Kombi më i favorizuar”. Sipas kësaj formule, që pritet të hyjë në fuqi nga janari, SHBA do të kërkojë të paguajë për ilaçet çmimin më të ulët të aplikuar në një grup vendesh të pasura, ku përfshihet edhe Gjermania.
Kjo ka krijuar frikë në industrinë farmaceutike se kompanitë mund të shmangin lançimin e produkteve të reja në vende si Gjermania apo shtete të tjera europiane për të mos ulur automatikisht çmimet në tregun amerikan, që mbetet tregu më fitimprurës në botë.
Megjithatë, shumë ekspertë europianë mbeten skeptikë ndaj kërkesave amerikane. Ata argumentojnë se sistemet shëndetësore europiane janë tashmë nën presion të madh financiar dhe se rritja e çmimeve të barnave do të rëndonte më tej buxhetet publike.
“Në Europë tashmë po paguajmë shumë për ilaçet”, thotë Yannis Natsis nga Platforma Europiane e Sigurimeve Shoqërore, i cili paralajmëron se qeveritë nuk mund t’i japin industrisë farmaceutike një “çek të bardhë” në një periudhë me presione të forta ekonomike.
Përtej debatit mbi ilaçet, çështja po shihet gjithnjë e më shumë si pjesë e strategjisë së Trump për të rishikuar marrëdhëniet ekonomike me aleatët europianë. Pas përplasjeve për tregtinë, tarifat dhe shpenzimet për mbrojtjen, tani në qendër të debatit transatlantik po hyn edhe industria farmaceutike, një sektor me vlerë qindra miliarda euro dhe me ndikim të madh në ekonomitë e të dy anëve të Atlantikut.
Burimi: opinion.al


