Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), e drejtuar nga Ali Ahmeti, ka diskutuar zhvillimet politike në vend, forcimin e strukturave partiake, si dhe vendimin e fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në qëndrimin e saj, BDI shprehet se procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së duhet parë në kontekstin e pretendimeve me të cilat, sipas partisë, nisi procesi që çoi në krijimin e Gjykatës Speciale.
“Pretendimet për trafikim organesh, që u bënë pjesë e debatit pas raportit të Dick Marty-t, nuk u dëshmuan”, thuhet në reagimin e BDI-së, e cila pretendon se procesi ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit është ngritur mbi pretendime të pabazuara.
BDI e cilëson luftën e UÇK-së si luftë për çlirimin dhe lirinë e Kosovës dhe thotë se historia e saj “nuk mund të gjykohet përmes një procesi të sajuar gjyqësor”.
Partia ka komentuar edhe protestat pas aktgjykimit në Hagë, duke i cilësuar ato si shprehje legjitime të pakënaqësisë qytetare, për sa kohë janë paqësore dhe jo të dhunshme.
“Të mos lejojmë që historia e luftës çlirimtare të Kosovës të tjetërsohet”, përfundon qëndrimi i Kryesisë Qendrore të BDI-së.
Burimi: lajmpress.org


