Në dy vitet e fundit, marrëdhëniet mes klubit të Real Madrid dhe PSG kanë qenë të tensionuara dhe arsyeja është e ardhmja e Kylian Mbappe. Los Blancos pretendojnë ta bëjnë sa më shpejt të tyrin talentin francez, madje duke e transferuar me parametër zero.
Sigurisht, fakti që nuk do të përfitojnë asnjë para, ka “xhindosur” drejtuesit e PSG, të cilëve nuk i ka pëlqyer ndërhyrja e spanjollëve që filluan personalisht bisedimet me Mbappe.
Por, kur tashmë çështja Mbappe është drejt përfundimit me sulmuesin që pritet të kalojë në Madrid, dy klubet përgatiten për një “luftë” të re. Fjala është për një tjetër talent, Aurélin Tchouaméni i cili aktivizohet me Monaco dhe së fundmi është bërë pjesë edhe e kombëtares së Francës, teksa në ndeshjen miqësore të para disa ditëve shënoi golin e fitores së “Gjelave” ndaj Bregut të Fildishtë.
Në këtë sezon, 22-vjeçari ka regjistruar 27 paraqitje me fanellën e klubit nga Principata, ndërsa ka shënuar një gol dhe po ashtu ka asistuar në një rast.
Kështu, si PSG, ashtu edhe Real Madrid kanë nisur kontaktet e para me mesfushorin në përpjekje për ta bindur, ndërkohë që në një pozicion të sigurt ndihen te Monaco të cilët nga përplasja e dy klubeve me buxhet të jashtëzakonshëm, presin të përfitojnë një shumë të konsiderueshme.