Dy skuadrat shqiptare në futsal, Futsal Club Arben Bajrami dhe Futsal Karadaku, sonte në palestrën sportive në Autokomandë të Shkupit do të zhvillojnë finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë.
Kjo ndeshje është krejt histori, pasi për herë të parë në futsalin tonë vendor në një ndeshje finale do të luajnë dy skuadra shqiptare, të cilat kërkojnë të shkruajnë historinë, pasi është kjo hera e parë e tyre që do të luftojnë për një trofe.
Rrugës drejt finales së madhe, Futsal Club Arben Bajrami fillimisht në 1/8 e finales kishte eliminuar KFV Astibon (3:2), që më pas në çerekfinale të demolojë Zhelezarecin me shifrat 8:2, ndërsa finalen e madhe e siguroi pasi në gjysmëfinale kishte mundur kampionët e ri të Futsal Shkupit, edhe atë me rezultatin 9:8.
Sa i përket Karadakut, skuadra nga Likova në fazën e 1/8-ve të finales kishte eliminuar ekipin e “Creshevo Topçen” (7:3), pastaj në çerekfinale kishin mundur Velesin me rezultatin 7:2, ndërsa fitore bindëse kishin arritur edhe në gjysmëfinale, përballë Shkëndijës së Tetovës, (9:4).
Finalja e madhe e Kupës së Maqedonisë në futsal për sezonin 2021/2022 do të startojë në ora 21:00.