Nga antikiteti i lashtë ka mbërritur deri në ditët tona një histori shumë domethënëse, të cilën e përdorim shpesh sot për ilustrim. Fjala është për legjendën e Nyjës Gordiane, një nyje e lidhur aq pisk, saqë është thuajse e pamundur që të mund të zgjidhet.
Sipas legjendës, Aleksandri i Madh e zgjidhi enigmën duke e prerë nyjën me shpatën e tij. Leksioni në këtë rast është se ndonjëherë problemet e pazgjidhshme mund të zgjidhen më mirë duke sfiduar kufijtë e tyre të perceptuar, dhe duke vepruar me vendosmëri.
Në shumë aspekte, ndërsa po punon aktualisht për të fituar autonominë strategjike dhe synon të jetë një lojtare kryesore në skenën globale, sidomos në procesin e transformimit drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme, vetë Evropa përballet me disa Nyje Gordiane, për të cilat kriza aktuale mund të jetë një katalizator për zgjidhjen e tyre.
Kur flitet për autonominë strategjike të Evropës, forca ekonomike është ajo që përbën bazën për qëndrueshmëri në të gjitha fushat. Dhe Evropa – me të cilën nënkuptoj institucionet e Bashkimit Evropian, qeveritë rajonale dhe kombëtare, si dhe kompanitë dhe qytetarët e saj – ka bërë publike një sërë strategjish ekonomike afatgjata në fusha që kanë vërtet rëndësi, si qëndrueshmëria, teknologjia dhe përfshirja sociale.
Marrëveshja e Gjelbër Evropiane, është programi më gjithëpërfshirës në botë për një ekonomi që përjashton karburantet ndotëse. Por blloku ka qenë shpesh i ngadaltë në zbatimin e strategjive të tij të mëdha. Sot ne evropianët jemi prapa Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në disa fusha shumë të rëndësishme, nga platformat dixhitale dhe ekonomia e start-up deri tek ndarja e të dhënave dhe inteligjenca artificiale.
Dhe aktualisht po përballemi me trazirat gjeopolitike të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës, të cilat po rëndojnë mbi ekonominë e Evropës shumë më tepër sesa mbi lojtarët e tjerë globalë. Veprimet e nevojshme që priten tani nga Evropa nuk janë të paparecenta.
Gjatë pandemisë së Covid-19, Evropa tregoi se mund të ndërrojë ingranazhet, duke qenë më e shpejtë në veprim. Nxitja për zhvillimin dhe përhapjen masive të një vaksine është shembulli i përsosur i bashkëpunimit të madh midis institucioneve të BE-së, qeverive dhe industrisë. Në këtë rast Evropa, si një ekip, preu një Nyje Gordiane. Por ne duhet të inkurajohemi dhe të frymëzohemi nga kjo arritje kolektive, dhe ta përdorim krizën aktuale gjeopolitike si një shkëndijë për një ecje sërish të shpejtë përpara në fusha të tjera jetike.
Sistemet e energjisë së rinovueshme
Nëse Evropa do të ishte fokusuar tek zgjerimi i burimeve të rinovueshme që një dekadë më parë, autonomia strategjike në çështjet e energjisë do të ishte tashmë një realitet. Vendi im, Danimarka, tregon se kjo gjë është e mundur. Sigurisht, politika energjetike është një rrjet i ndërlikuar përgjegjësish në nivelin e BE-së, kombëtar dhe rajonal.
Por në një moment, kur gjërat në Evropë të stabilizohen disi, ne duhet të përshpejtojmë kalimin drejt burimeve të rinovueshme. Vendimi i BE-së këtë verë për të arritur në 40 për qind të burimeve të rinovueshme deri në vitin 2030 është plani i duhur.
Blloku ka vendosur gjithashtu objektivin e reduktimit me të paktën 32.5 për qind të konsumit të energjisë deri në vitin 2030. Por të gjithë aktorët – në nivelet e BE-së, kombëtare dhe rajonale – duhet ta zbatojnë këtë objektiv në unison dhe me shpejtësi të madhe. Dhe kjo nënkupton zbatimin e një plani të përbashkët të përshpejtuar në të gjitha vendet për të optimizuar të gjithë sistemin energjetik evropian si një treg i hapur.
Mikroçipa për përdorim industrial
Mikroçipat industrialë përbëjnë “shtyllën kurrizore” të lëvizshmërisë së sotme, prodhimit, kujdesit shëndetësor, rrjeteve të energjisë dhe pajisjeve të ngjashme. Nëse mungesë, kompanitë nuk mund të ofrojnë produkte të sofistikuara si makina, trena, pajisje mjekësore ose makineri të tjera, të cilat kanë efektin domino mbi të gjithë ekonominë. Evropa ka tashmë strategji për të siguruar furnizimin afatgjatë me mikroçipa. Por ne duhet t’i plotësojmë këto strategji me synime ambicioze për zgjerimin vendimtar afatshkurtër të prodhimit industrial të çipave në Evropë.
5G
Gjenerata e pestë e rrjeteve celulare, lejon pajisjet industriale të të gjitha llojeve – nga turbinat e erës dhe robotët e prodhimit, tek nënstacionet energjetike – që të dërgojnë, marrin dhe analizojnë të dhëna me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe në kohë reale. Rrjeti 5 G është një parakusht për të arritur nivelin tjetër të industrisë dhe ekonomisë dixhitale.
E megjithatë, rrjetet 5G sot në Evropës janë aktualisht të izoluara dhe të ndara, dhe në shumë vende, inekzistente. Pengesa më e madhe është mungesa e investimeve të mëdha. Sot në kontinent ekzistojnë rreth 150 operatorë të ndryshëm në fushën e telekomunikacionit, dhe shumicës i mungon pjesa e tregut dhe shkalla, dhe rrjedhimisht edhe mjetet financiare – për të financuar zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme për rrjetet e së ardhmes.
Për të arritur mbulimin 5G si në Kinë apo SHBA, duhet të rishikojmë ligjin evropian të konkurrencës. Nëse jemi vonë me ndërtimin e rrjetit të gjerë 5G, do të jemi vonë për të dixhitalizuar industrinë dhe shoqërinë tonë, dhe do të humbasim avantazhin tonë konkurrues.
Ndarja e të dhënave dhe Inteligjenca Artificiale
Menaxhimi i lagjeve të qyteteve me një përdorim më të pakët të karburantit ndotës, kërkon të dhëna për motin, mbi modelet e konsumit në periudha të ndryshme të ditës dhe vitit, dhe mbi furnizimin e disponueshëm të energjisë së rinovueshme, etj. Ndarja e të dhënave nëpër vende të ndryshme, është ajo që e bëri të mundur betejën tonë kundër Covid-19.
Por asetet e ndryshme të të dhënave janë shpesh në duart e shumë institucioneve, kompanive dhe operatorëve të ndryshëm. Ndaj vetëm duke bashkuar pjesët e mozaikut mund të shohim panoramën më të madhe dhe të fitojmë njohuri më të thella. Kjo është arsyeja pse ne duhet t’i japim një shtysë të madhe shkëmbimit të të dhënave.
Shndërrimi i krizës në një mundësi
Sot po jetojmë në kohë të jashtëzakonshme, me rreziqe gjeopolitike dramatike, por edhe me mundësi teknologjike të rëndësishme. Evropa ka përcaktuar në shumë mënyra strategjinë e duhur për të ardhmen. Një strategji që do t’i mundësojë bllokut të udhëheqë tranzicionin drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme. Por ajo që ka mbetur prapa, është fokusi dhe zbatimi i shpejtë i planeve për të ecur me shpejtësi përpara.
Ne si “Siemens”, e kemi kuptuar se në kohën e inovacioneve të shpejta, shpejtësia fiton mbi madhësinë. Prandaj, jemi transformuar në një konglomerat të madhe në 3 kompani të përqendruara, të shkathëta – ku secila është në gjendje të udhëheqë transformimin brenda fushës së saj përkatëse – dhe po bashkëpunojnë me biznese të vogla për të sjellë risi dhe për të ndërtuar të ardhmen përmes një platforme të hapur dixhitale.
Struktura jonë aktuale i ngjan strukturës së Evropës – një koleksion vendesh unike që bashkëpunojnë për të përcaktuar të ardhmen. Tradicionalisht, kjo strukturë ka çuar në politikë-bërje komplekse dhe një zbatim të ngadalshëm. Ne duhet ta kapërcejmë këtë duke përdorur besimin dhe duke aktivizuar rrjetet midis vendeve tona, me synimin për të bashkëpunuar me shpejtësi të lartë dhe për të përshpejtuar të ardhmen dhe infrastrukturat kritike.
Ashtu si Aleksandri i Madh, ne duhet të presim “Nyjet Gordiane” duke vepruar me vendosmëri për ta kthyer krizën në mundësi, dhe për të përshpejtuar rrugën e Evropës drejt një të ardhmeje të qëndrueshme.
Shënim: Jim Snabe, drejtues i “Siemens AG”, dhe bashkëkryetar i samitit të ardhshëm të Evianit në Francë me biznesmenët kryesorë të Francës dhe Gjermanisë. / “Politico.eu”