Në ditën e zgjedhjeve, miliona amerikanë nuk do të votojnë në anglisht

November 4, 2022
min lexim

Ditën e zgjedhjeve, më shumë se 80 milionë amerikanë do të kenë mundësinë të votojnë në një gjuhë të ndryshme nga anglishtja, falë një dispozite federale, që garanton ndihmë gjuhësore në procesin e votimit për grupe të caktuara të popullsisë.

“Ideja ishte të ndihmoheshin grupe, që historikisht ishin të përjashtuara nga procesi zgjedhor dhe ta bënte procesin më të qasshëm për to,” thotë Gabe Osterhout, studiues në Institutin e Politikave në Universitetin Shtetëror Boise në shtetin Ajdëho.

Akti origjinal i të Drejtës së Votimit i vitit 1965, u përqëndrua kryesisht në të drejtat e afrikano-amerikanëve në shtetet e jugut. Akti u zgjerua në vitin 1975 për të përfshirë pakica të caktuara gjuhësore – amerikanët vendas, vendasit e Alaskës, latinët dhe amerikanët aziatikë. 

“Materialet e votimit në anglisht funksionojnë në thelb si një test shkrim-leximi, që përjashton ata që mund të jenë plotësisht të shkolluar në gjuhën e tyre amtare, ose mund të mos jenë të shkolluar në asnjë gjuhë, duke u bërë pengesë për të marrë pjesë në votim,” thotë Jim Tucker, këshilltar i lartë me Projektin për të Drejtat e Votimit në Komisionin e Avokatëve për të Drejtat Civile sipas Ligjit.

Çdo pesë vjet, Byroja e Regjistrimit në SHBA përcakton se cilat grupe gjuhësore duhet të ndihmohen dhe pajisen me informacion në gjuhën e tyre amtare. Ky vendim merret nëse më shumë se 5% e votuesve me të drejtë vote në një zonë flasin anglishte të kufizuar, ose nëse ka më shumë se 10,000 banorë me të drejtë vote në një juridiksion, që kanë aftësi të kufizuara në anglisht.

Zyrtarëve zgjedhorë lokalë u kërkohet të ofrojnë materiale votimi, duke përfshirë fletëvotimet, në këtë gjuhë të dytë.

Në dhjetor 2021, Censusi përcaktoi 331 juridiksionet, që plotësojnë kushtet për zgjedhjet e 8 nëntorit të këtij viti. Është numri më i madh i juridiksioneve të mbuluara ndonjëherë nga dispozita federale, 68 më shumë se në vitin 2016.

Shumica e juridiksioneve të përfshira janë qarqe dhe bashki, por tre janë shtete. Kalifornia, Florida dhe Teksasi duhet të ofrojnë materiale votimi në gjuhën spanjolle për zgjedhjet e përgjitshme, edhe pse disa lokaliteve në këto shtete nuk u kërkohet të sigurojnë fletë votimi dygjuhëshe për garat lokale.

Më shumë se 80 milionë qytetarë në moshë votimi jetojnë në zonat ku zyrtarëve zgjedhorë u kërkohet të ofrojnë ndihmë gjuhësore.

Ndërsa Departamenti amerikan i Drejtësisë u thotë juridiksioneve të kualifikuara të përmbushin udhëzimet dhe të ofrojnë ndihmë gjuhësore, nuk ka asnjë mekanizëm të integruar për të zbatuar rregullin.

“Nëse po përpiqemi të kuptojmë ndikimin që kjo do të ketë në pjesëmarrjen në votim, ne nuk e dimë se kush po e bën atë që supozohet të bëjë mes qarqeve që përfshihen,” thotë zoti Osterhout.” Nga ana tjetër, ka qarqe, që nuk janë të përfshira, ose qytete, apo fshatra, që nuk mbulohen, por mund të zgjedhin t’i ofrojnë këto materiale në gjuhë të tjera gjithsesi”.

Një analizë e të dhënave të regjistrimit dhe votimit nga nëntori 1996 deri në 2000 zbulon prova se “dispozitat gjuhësore të Ligjit për të Drejtën e Votimit kanë efekte të rëndësishme dhe pozitive në përqindjet e votimit të pakicave”.

Për shembull, profesorët Michael Jones-Correa dhe Israel Waismel-Manor zbuluan se pjesëmarrja e votuesve mes latinëve ishte 11% më e lartë në qarqet që ofronin ndihmë gjuhësore, sesa në qarqet që nuk ofronin materiale dhe ndihmë në spanjisht. Ata zbuluan gjithashtu se regjistrimi i votuesve në mesin e latino-amerikanëve ishte 15% më i lartë në qarqet që ofronin ndihmë gjuhësore sesa ato që nuk e bënin këtë.

“Ne kemi parë me të vërtetë rritje të konsiderueshme të pjesëmarrjes nga të gjitha grupet e pakicave gjuhësore që mbulohen në bazë të këtij ligji, të cilat janë katër grupe: indianët amerikanë, vendasit e Alaskës, votuesit latinë, ose spanjishtfolës dhe amerikanët aziatikë, që flasin gjuhë aziatike që nga viti 1975, dhe kjo i atribuohet drejtpërdrejt dispozitës gjuhësore për të drejtat e votës,” thotë zoti Tucker, i cili është gjithashtu autor i librit “Beteja mbi fletëvotimet dygjuhëshe”.

Ai shton se kërkesat gjuhësore nuk sjellin një barrë financiare në rritje për qarqet e mbuluara.

“Në shumë raste, nuk ka kosto shtesë,” thotë ai, “por edhe aty ku ka, qeveria federale në të vërtetë ka siguruar fonde për të kompensuar, ose në disa raste, për të mbuluar në tërësi kostot që mund të ketë juridiksioni”.

Akti për të Drejtat e Votimit fillimisht ishte menduar të skadonte në vitin 1970, por ai është zgjatur pesë herë, i mbështetur nga të dyja partitë në Kongres. Ai u zgjat për herë të fundit në vitin 2006 për 25 vjet.

“Kjo nuk i jep avantazh asnjërës palë, sepse ka një diversitet të gjerë për sa i përket pikëpamjeve politike, kandidatëve dhe partive politike që mbështesin votuesit me anglishte të kufizuar”, thotë zoti Tucker.

Mary Brennan, profesore e historisë në Universitetin Shtetëror të Teksasit, pajtohet se është gabim të supozohet se njerëzit që votojnë në gjuhë të ndryshme, do të votojnë në një mënyrë të caktuar.

“Ne bëjmë supozime për ata që flasin gjuhë të tjera sesi do të votojnë. Ne themi, ‘Oh, këta janë emigrantë, kështu që ata do të votojnë për demokratët’. …Ne nuk mund të supozojmë se çfarë do të bëjnë këta njerëz. Banorët e Floridas që flasin spanjisht mund të jenë shumë konservatorë”, thotë zoti Brennan. “Unë mendoj se është vërtet e rrezikshme të bësh supozime se si njerëzit votojnë, vetëm sepse votojnë në një gjuhë tjetër.”

Edhe nëse një numër i madh njerëzish nuk arrijnë të përfitojnë nga mundësia për të votuar në gjuhën e tyre kryesore, sipas zotit Osterhout, përpjekja nuk shkon kot.

“Edhe nëse ata nuk e marrin këtë të drejtë dhe nuk arrijnë të votojnë, ka ende vlerë të pranohet se ka një përfitim moral për ta bërë votën më të qasshme,” thotë ai./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Alibeaj nga Fieri: Shumë shpejt do deklarojmë kandidaturat për të gjitha bashkitë

Story i radhës

Aktorja e famshme spanjolle reagon ndaj rastit në Pejë ku infermierja sulmoi një grua të moshuar

Të fundit nga

ShkoLartë