Ndryshimet klimatike vënë në rrezik të ardhmen e Lojrave Olimpike Dimërore

February 2, 2022
min lexim

Ndërsa Pekini përgatitet për hapjen e Lojrave Olimpike Dimërore këtë javë, shkencëtarët po paralajmërojnë se e ardhmja e këtyre lojrave është në rrezik për shkak të ndryshimeve klimatike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell njofton se garat me ski në Lojrat Dimërore do të mbahen në Zhangjiakou, 200 kilometra në veriperëndim të Pekinit. Problemi është se aty rrallë më bie borë.

Për këtë arsye prej disa javësh, makinat e borës po prodhojnë borë artificiale. Menaxheri Jacques Fournier ka një punë të vështirë.

“Nuk ka lagështi, ajri është shumë i thatë dhe ka shumë erë”, thotë ai.

Për herë të parë, në Lojrat Olimpike Dimërore të Pekinit do të përdoret pothuajse 100 për qind borë artificiale. Por sipas një raporti të ri, përdorimi i saj rrezikon sigurinë e sportistëve.

“Në disa nga garat e skive si ajo e stilit të lirë, sportisti hidhet në ajër, rrotullohet dhe bie në borë dhe sipërfaqja duhet të jetë më e butë. Problemi me borën artificiale është se përbërja e saj është rreth 70 për qind akull, krahasuar me borën natyrale që është rreth 30 për qind akull. Dhe kështu sipërfaqja është shumë, shumë më e fortë, thotë Madaleine Orr, ekologe në Universitetin Loughborough.

Amerikani Taylor Gold po përgatitet për garën me snowboard në Pekin. Ai mban mend që në lojrat e tij të para olimpike, në Soçi të Rusisë në vitin 2014, platforma e nisjes po shkrinte.

“Po spërkatnin disa kimikate mbi platformë për të penguar shkrirjen. Por ishtë e qartë që ishte shumë ngrohtë. Kushtet nuk ishin ideale për të rrëshqitur”, thotë ai.

Kritikët thonë se klima në Soçi dhe Pekin nuk është e përshtatshme për Lojrat Olimpike Dimërore. Por edhe vendpushimet malore të skive në lartësi të mëdha ku janë organizuar tradicionalisht lojrat janë në rrezik, për shkak të ndryshimeve klimatike.

“Në pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadanë lindore, po humbasim sasi të konsiderueshme dëbore. Dhe në vende si Alpet në Evropë nuk ka aq borë sa dikur. Pra sfida tani është se ku do t’i organizojmë këto aktivitete në të ardhmen. Për Lojrat Olimpike Dimërore, kjo sfidë është aktuale”, thotë zonja Orr.

Përdorimi i borës artificiale dëmton gjithashtu mjedisin.

“Studimet kanë treguar se ajo mund të jetë e dëmshme për kafshët e egra. Përveç kësaj kur prodhon kaq shumë borë artificiale, sasia e energjisë që përdoret është e jashtëzakonshme. Sasia e ujit është e jashtëzakonshme. Në këto Lorja pritet që të përdoren 49 milionë litra ujë”, thotë ekspertja Orr.

Organizatorët kinezë këmbëngulin se lojërat do të jenë neutrale për nga sasia e përdorimit të karbonit. Të gjitha ambientet pritet të furnizohen me energji të ripërtëritshme. Pistat e akullit do të përdorin teknologji natyrale për ftohje, në vend të hidrofluorokarbureve që dëmtojnë ozonin. Dhe disa sportistë preferojnë borën artificiale.

“Dëbora artificiale është fantastike. Mendoj se për shkak të ftohtësisë duhet të jesh vërtet agresiv në mënyrën se si rrëshqet, por thjesht duhet të përshtatesh”, thotë Zoi Sadowski-Synnott e ekipit të Zelandës së Re.

Edhe Organizatorët e Lojrave do të duhet të përshtaten. Raporti i Universitetit Loughborough paralajmëron se deri në vitin 2050, më pak se gjysma e vendpushimeve ku janë mbajtur Lojrat Olimpike Dimërore deri tani,do të kenë reshje të vazhdueshme dëbore./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Shumica e marrëdhënieve filluan si miqësi, tregojnë studimet

Story i radhës

Historia tronditëse, pas 16 vitesh martesë shqiptari vret gruan shtatzënë

Të fundit nga

ShkoLartë