Ndërtimi i hekurudhës Vorë-Hani i Hotit nis brenda vitit, pritet ratifikimi i huas së BERZH-it prej 98.75 milionë eurosh

April 24, 2024
min lexim

Qeveria shqiptare ka depozituar në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huas me Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerën prej 98.75 milionë eurosh për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit.

Punimet për hekurudhën pritet që të nisin gjatë këtij viti, teksa përfundimi është parashikuar brenda vitit 2030.

Sipas draftligjit, punimet për rehabilitimin e kësaj hekurudhe pritet të zgjasin deri në vitin 2030.

“Projekti konsiston në përmirësimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit (kufi me Malin e Zi), duke rritur shpejtësinë e lëvizjes së trenave deri në 120 km/orë në një linjë hekurudhore të elektrifikuar, sipas kategorisë UIC D4, 22.5 ton/aks dhe 8.0 ton/m, prej rreth 120 km. Projekti parashikon ndërtimin e 12 stacioneve hekurudhore, ndërtimin e një tuneli me gjatësi 320 metër, ndërtimin e 12 urave etj. Me ndërtimin e kësaj linje hekurudhore pritet një fluks udhëtarësh prej 2,300,000 udhëtarësh/vit dhe volum mallrash prej 900,000 tonësh/vit. Koha mesatare e udhëtimit nga Vora në Hanin e Hotit pritet të jetë 2 orë”, thuhet në relacionin bashkangjitur pr/ligjit.

Kostoja totale e këtij projekti është 373 milionë euro, një pjesë e së cilës do të mbulohet edhe nga buxheti i shtetit, pjesa tjetër nga BERZH, BE përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe Banka Evropiane e Investimeve.

Sipas relacionit bashkangjitur pr/ligjit, “Projekti do të kontribuojë në rritjen e ndjeshme të lëvizjes hekurudhore të mallrave dhe pasagjerëve që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria nëpërmjet zgjerimit të rrjetit kryesor TEN-T, që mbërrin në Portin e Durrësit ose që del nga Shqipëria drejt vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Si pjesë e agjendës së ndërlidhjes, projekti synon të lidhë nëpërmjet hekurudhës Shqipërinë me Malin e Zi nëpërmjet Tuzit/Podgoricës, e cila më tutje synon të zhvillohet me vendosjen e një lidhjeje hekurudhore ndërkombëtare ndërmjet kryeqyteteve kryesore, duke përfshirë, përveç Tiranës e Podgoricës edhe Beogradin, Zagrebin, Lubjanën dhe Budapestin e do të japë një shtysë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së vendit”.

Për zbatimin efektiv të projektit, Hekurudha Shqiptare ka ngritur një njësi për zbatimin e projekteve (NJZP – PIU), e cila është inkorporuar në strukturën organizative të miratuar të shoqërisë, sipas vendimit të Këshillit Mbikëqyrës. Njësia për zbatimin e projekteve është përgjegjëse për të gjitha projektet e zhvillimit të hekurudhave në Shqipëri dhe mbështetet nga stafi i përhershëm i Hekurudhës Shqiptare dhe nga ekspertë, që do të sigurohen përmes asistencave teknike të donatorëve. Referuar planit të prokurimit, procesi i prokurimit për projektin hekurudhor Vorë – Hani i Hotit është parashikuar të vazhdojë deri më dhjetor 2024, me nënshkrimin e kontratës së punimeve, e cila vijon me zbatimin e punimeve në 3 fund të vitit 2024 (dhjetor 2024) dhe përfundon në dhjetor 2030, me një afat zbatimi prej 6 vjetësh”, shkruhet në relacion.

Në relacion saktësohen dhe detajet huas. “Shuma e huas do të jetë 98,750,000 euro, e cila ndahet në dy transhe: një i angazhuar prej 84 500 000 euro, si dhe një transh i paangazhuar prej 14 250 000 eurosh, i cili do të angazhohet pas plotësimit të një sërë kushtesh të parashikuara në marrëveshje. Kohëzgjatja e pagesës së huas do të jetë 17 vjet, duke përfshirë periudhën prej 5 vjetësh pa pagesë principali”, lexohet në relacionin e projektligjit. 

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Avokati i Popullit me linjë telefonike falas për raportimin e shkeljeve të të drejtave të votës

Story i radhës

A do të stacionojë NATO-ja armë bërthamore në Poloni?

Të fundit nga

ShkoLartë