Analisti Mustafa Nano ka komentuar zhvillimet e fundit, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi të shtyjë për në 7 shkurt seancën ku do të shqyrtohet shkarkimi i Ilir Metës.
Nano tha se shkarkimi i presidentit është ngjarje e paprecedentë. Ai theksoi se ndonëse mendon se kreu i shtetit meriton të shkarkohet, s’do të donte që një ngjarje e tillë të arkivohej në historinë e vendit.
“Disa njerëz edhe prisnin që sot të merrej një vendim. Shoh një lloj zvarritje, nuk di ta interpretoj. Edhe në datë 7 mund të shtyhet akoma, në bazë të pretendimeve nga palët. Duke qenë se fundi natyral i mandatit të presidentit po vjen, po të isha anëtar i Gjykatës Kushtetuese do t’i bëja bashkë dy faktet.
Shkarkimi i presidentit është ngjarje e paprecedentë në Shqipëri, sido që ai të jetë. Në Itali shkuan edhe e kërkuan Matarelën, pra bëhen zgjedhje të mirëmenduara. Këtu është bërë si është bërë dhe ne duhet të paguajmë taksën tonë, taksën e atyre që kemi zgjedhur për të marrë vendime. Ndonëse mendoj që Meta meriton të shkarkohet nuk do të doja të arkivohej në historinë e Shqipërisë”, tha Nano për MCN Tv.