Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka reaguar në lidhje me çmimin e lartë të tregtimit të naftës. Përmes një postimi në rrjete sociale Blushi thekson se Shqipëria, një vend me pagë minimale 291 euro e ka naftën më të shtrenjtë se Luksemburgu me pagë minimale 2202 euro.
Sekretari i PL shton se vendimet e Bordit të Transparencës kanë vetëm një qëllim, atë të varfërimit të shqiptarëve, për të mbushur arkën e qeverisë për të financuar vjedhjet përmes koncesioneve.
Në Shqipëri, vendin më të varfër të Europës, ku paga minimale është 291 euro dhe 67% e popullsisë jeton me të ardhura më pak ose deri në 5.5 dollarë në ditë, sot 1 litër naftë shitet 1.91 euro.
Në Luksemburg, vendin me pagën minimale 2,202 euro, më të lartën në të gjithë Bashkimin Europian, sot 1 litër naftë shitet me 1,77 euro.
Shqiptarët me të ardhura 10 herë më pak se në Luksemburg e blejnë sot naftën më shtrenjtë sepse në krye kanë një Qeveri që i vjedh papushim çdo ditë. Tani edhe me vendime të Bordit të Hajdutëve, që ka vetëm një qëllim: Të zbrazin xhepat e qytetarëve për të mbushur xhepat e Edi Ramës dhe arkën e Qeverisë, që të financojnë grabitjen përmes inceneratorëve dhe koncensioneve.
Miratimi sa më parë në Kuvend i nismës ligjore të Partisë së Lirisë për heqjen e taksës së qarkullimit dhe të karbonit është e vetmja zgjidhje për të ulur çmimin e karburanteve!
Shurdhësia, babëzia, paligjshmëria dhe korrupsioni i Qeverisë po i zhyt shqiptarët në varfëri të thellë!