​Mungesë interesimi për shkollën e turizmit dhe hotelierisë

Elma Maxhuni ndjek mësimet në shkollën e Turizmit dhe Hotelerisë “7 shtatori” në Prishtinë. Ajo thotë se kjo shkollë ua mundëson të rinjve përgatitjen profesionale për të hyrë në tregun e punës në drejtime të ndryshme siç është gastronomia, hoteleria e të tjera.

Maxhuni: Përfitimet e kësaj shkolle janë se të përgatisin për tregun e punës

“Përfitimet e kësaj shkolle janë se të përgatisin drejtpërdrejt për tregun e punës, shembull që edhe kur të shkojmë gjatë studimeve me pas na mundësojnë me punuar në drejtime të ndryshme duke filluar nga, hotelieria. Nëse jemi shumë të avancuar gjatë praktikës mundemi me u punësuar edhe si stjuardese pastaj kemi edhe drejtime të tjera që na ofrojnë, tregtia e cila na ofron me punuar në markete. Është një drejtim që nuk të bëhet asnjëherë bajat. Gjithmonë ka gjëra të reja që mundesh me mësuar, ke komunikim shumë me njerëz çdo herë je në hap me kohën se çfarë do të bësh”.

Por, interesimin e Elmës nuk e kanë shumë të rinjë, pasi numri i nxënësve që regjistrohen në këtë shkollë nuk është i lartë.

Drejtoria e Arsimit të Komunës së Prishtinës bënë të ditur se në Shkollën e Hotelerisë ka gjithsej 190 nxënës.

Sipas mësimdhënëses së kësaj shkolle, Shemsie Ibrahimi, janë disa faktorë të cilët kanë ndikuar deri tek numri i pakët i nxënësve, përfshirë edhe promovimin e kësaj shkolle në sfera të ndryshme.

Ibrahimi: Ka numër të vogël të nxënësve

“Fatkeqësia e shkollës është se ka numër të vogël të nxënësve sepse shumë nxënës ende nuk e dinë sa janë drejtime të kërkuara në tregun e punës. Nxënësit përveç punësimit e kanë mundësinë edhe të studiojnë më tutje. Janë dy mundësi punësimi dhe studimi të mëtutjeshëm. Janë disa faktorë të cilët e kanë penalizuar këtë shkollë që të ketë një numër më të vogël të nxënësve: ndërrimi i lokacioneve, jemi në një lokacion ku nxënësit ndoshta nuk janë të informuar mirë sa duhet ku gjendet shkolla, ana tjetër nuk e dinë rëndësinë e profilit, janë profile të mjaftueshme për tregun e punës dhe janë profile me një perspektivë, ne bëjmë një apel te nxënësit që hezitojnë shkollën, jemi shkollë publike që funksionon që nga viti 1990 ish nxënësit tanë, janë mjeshtër të kuzhinave, kanë agjencinë e tyre turistike kanë themeluar ndërmarrje tregtare dhe kanë pasur mundësi për tu avancuar tutje.”

Përveç numrit të ulët të nxënësve, mësimdhënësja e kësaj shkolle ka thënë se mungojnë edhe punëtoritë ku nxënësit bëjnë punën praktike.

Por, kushtet në këtë shkollë pritet të ndryshojnë shumë shpejtë.

Mësimdhënësja Ibrahimi thotë se pas kërkesave të vazhdueshme të shkollës, ky institucion tashmë ka arritur një memorandum bashkëpunimi me Drejtorinë Komunale të Arsimit të Prishtinës për të ndërtuar një shkollë të re me të gjitha kapacitet e larta profesionale për tu mundësuar nxënësve kushte më të mira për të bërë praktikën dhe, përgatitjet për punësim pas përfundimit të studimeve.

Ibrahimi: Do të ndërtohet shkolla e re e Hotelerisë dhe Turizmit

“Ne kemi fituar një projekt ku do të ndërtohet shkolla e re ajo e Hotelerisë dhe Turizmit me standarde në kampusin e shkollave profesionale afër Bujqësisë dhe Teknikës, kjo shkollë do t’i ketë të gjitha kabinetet dhe të gjitha mundësitë ku nxënësi do ta ketë mundësinë ta kryej praktikën e shkollës por edhe në klasën e dymbëdhjetë është kryer nëpër ndërmarrje qoftë hoteliere, turistike apo tregtare”.

Investimet që pritet të bëhen në këtë shkollë i konfirmon edhe Besianë Musmurati, drejtoreshë e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës.

Musmurati: Sivjet do të investojmë mbi 400 mijë euro në avancimin e shkollave

“Deri më sot mund të them që Komuna e Prishtinës ka investuar për aftësinë e të gjitha shkollave profesionale dhe rritjes së atraktivitetit për të shkuar në këto shkolla. Vetë, sivjet do të investojmë mbi 400.000 mijë euro në avancimin e shkollave siç e përmendët është edhe marrëveshja me agjensionin e zhvillimit të Luksemburgut, të cilët do të na ndihmojnë që të rrisim kapacitet e shkollës duke investuar në hotelieri dhe në profilin e gastronomisë. Aty do të fokusohemi më shumë pasi që po e shohim edhe tregu i punës ka shumë e shumë nevojë për profesionistë të këtyre dy profileve”, deklaroi Musmurati.

Derisa nxënësit dhe mësimdhënësit janë në pritje të ndërtesës së re dhe plotësimin e kushteve për praktikë, Elsa Maxhuni u ka bërë thirrje gjeneratës së saj që t’i bashkohen kësaj shkolle.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Shkup, sanksione për 161 vozitës, 23 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit

Story i radhës

Robert Berisha shkon në Londër dhe si rrallëherë nuk kurseu një pozë me vajzën e madhe (FOTO LAJM)

Të fundit nga