Në aksionin e djeshëm për ndërprerjen e një kanali ndërkombëtar për kontrabandën e drogës, janë sekuestruar 67 kilogramë marijuanë, vlera e së cilës llogaritet të jetë rreth 250 mijë euro, transmeton Portalb.mk.
Pas informacioneve fillestare mbrëmë, Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me detaje, duke thënë se droga është gjetur në një veturë të Shkupit të drejtuar nga një 46-vjeçar nga Shkupi dhe ishte fshehur në bunkerë në rezervuar.
Aksioni është kryer pasi policia ka marrë informacione për transport të mundshëm, pas së cilës automjeti është ndalur në pikë-pagesën “Otovica” në autostradën Veles-Shkup.
“Me dyshimin se me veturën po transportohej drogë narkotike, ajo është transportuar në pikën kufitare “Bllacë”, ku ekipi i doganës lëvizëse dhe me përdorimin e qenit zyrtar të doganës ka kryer kontroll të detajuar dhe është zbuluar një hapësirë e posaçme në automjet – një bunker në dyshemenë e automjetit, duke përfshirë edhe dyshemenë e bagazhit, si dhe vetë rezervuarin e automjetit, të cilat ishin të mbushura me disa pako marijuanë në masën rreth 67 kilogramë”, tha zëdhënësja e MPB-së, Suzana Pranjiq-Talevska.
Droga hyri në vend nga Shqipëria dhe destinacioni përfundimtar mendohej të ishte Turqia. Shkupjani pranoi që transportin ta bëjë me automjetin e tij për 2500 euro.
Nga MPB thonë se do të bëjnë kallëzim penal dhe i dyshuari sot do të paraqitet para gjykatësit për procedurë paraprake.
Burimi: portalb.mk