Suedia i dhuroi Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor pajisje të vlefshme të dedikuar për matjen e cilësisë së ajrit
Shkup, 2.3.2022 – Sot edhe zyrtarisht Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MAJPH) iu dorëzua pajisja e dedikuar për matjen e cilësisë së ajrit me vlerë prej më shumë se 300 mijë euro, e siguruar në kuadër të mbështetjes së Suedisë në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Maqedoninë e Veriut. Krahas kësaj, Suedia edhe financiarisht e ka ndihmuar bashkëpunimin ndërmjet Agjencisë Suedeze të Mbrojtjes së Ambientit Jetësor (EPA Suedeze) dhe MAJPH, nëpërmjet projektit trevjeçar “Mbështetja e Maqedonisë së Veriut në aderimin në BE në fushën e ambientit jetësor.”
MAJPH fitoi një pajisje laboratorike lartë precize për matjen e cilësisë së ajrit. Me projektin u përmirësuan kapacitetet e matjes së tetë stacioneve matëse të shpërndara nëpër Maqedoninë e Veriut, ku u zëvendësuan 14 instrumente matëse të vjetruara për PM10, oksid azoti dhe ozon dhe u instaluan 8 të reja për ndjekjen e koncentrimit të PM2.5 Këto parametra paraqesin një komplet standard të substancave ndotëse që ndiqen dhe që kanë ndikim të madh mbi shëndetin njerëzor.
“Zëvendësimi i instrumenteve të vjetra matëse dhe vendosja e të rejave në stacionet e monitorimit në kuadër të Sistemit shtetëror automatik të monitorimit të cilësisë së ajrit ambiental ishte një sfidë e madhe, sidomos për arsye se do të thotë përmirësim i sistemit, i cili është burimi i vetëm zyrtar i të dhënave për cilësinë e ajrit në nivelin nacional”, deklaroi ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, duke theksuar se ky sistem është me rëndësi të madhe për menaxhimin e cilësisë së ajrit, krijimin e politikave nacionale, informimin e Agjencisë Evropiane të Ambientit Jetësor dhe disa marrëveshjeve ndërkombëtare, si edhe për përpjekjet tona të vazhdueshme për zbatimin e legjislacionit të BE-së dhe me këtë edhe përshpejtimin e procesit të eurointegrimit.
Me qëllim që ti ndihmohet Maqedonisë së Veriut në mbindërtimin e sistemit për matjen e cilësisë së ajrit dhe për grumbullimin e të dhënave për cilësinë e ajrit në përputhje me standardet e BE-së, që paraqesin kriteret për aderim në BE, Agjencia Suedeze e Mbrojtjes së Ambientit Jetësor e vërejti nevojën e vendit për përforcimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve të duhura për monitorimin e cilësisë së ajrit. Ambasadorja e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Kristin Forsgren Bengtson, foli për rëndësinë e projektit në drejtim të përmirësimit të efikasitetit të institucioneve përgjegjëse për matjen e cilësisë së ajrit.
“Ndotja e ajrit paraqet krizë shëndetësore globale dhe nevojitet ti orientojmë përpjekjet për zgjidhjen e saj në afatin sa më të shkurtër të mundshëm. Është mirë e njohur se nivelet e ndotjes së ajrit në qytetet maqedonase, një numër të madh të ditëve, sidomos gjatë periudhës së ftohtë të vitit, i tejkalojnë rekomandimet e OBSH-së. Pikërisht për këtë, Suedia është krenare që mund ti mbështesë përpjekjet për zgjidhjen e situatës së këtillë”, deklaroi ambasadorja e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Kristin Forsgren Bengtson, duke potencuar se instrumentet e reja matëse do të mundësojnë të dhëna më të mira për cilësinë e ajrit dhe do u ndihmojnë njerëzve të marrin vendime në bazë të informatave.
“Me këtë donacion të instrumenteve do u ndihmohet publikut dhe personave përgjegjës për marrjen e vendimeve në Maqedoninë e Veriut të kuptojnë më mirë se cilat substanca ndotëse gjenden në ajër”, tha Kristijan Silver, udhëheqësi i projektit nga EPA Suedeze. Po ashtu, theksoi se personave përgjegjës për marrjen e vendimeve u nevojiten të dhëna të sigurta me qëllim të aplikimit të masave efektive në luftën kundër ndotjes së ajrit.
Në takimin në MAJPH, ministri Nuredini falënderoi edhe për mbështetjen për mbindërtimin e Sistemit për Menaxhimin e të Dhënave (AIRVIRO), si edhe për instalimin e softuerit RAVEN për lajmërimin e të dhënave për cilësinë e ajrit te Agjencia Evropiane e Ambienti Jetësor. Po ashtu, u theksua se projekti inkuadron edhe një numër të madh të aktiviteteve qëllimi i të cilave është mbështetja e Maqedonisë së Veriut në procesin e aderimit në BE dhe ndërtimin e kapaciteteve në kuadër të llojllojshmërisë biologjike dhe mbrojtjes së natyrës.