Harnaaz Sandhu, e cila u kurorëzua Miss Universe 2021, zbuloi se njerëzit e kanë bullizuar në internet për shkak se ka shtuar peshë.
“Fizikisht jam rritur disi, kam marrë më shumë kilogramë dhe kam shtuar peshën time, gjë për të cilën jam plotësisht rehat tani”, tha modelja 22-vjeçare për People të enjten. “[Por] unë u bullizova për shtimin në peshë.”
Ajo rrëfeu se ishte “e pakëndshme dhe vërtet befasuese” që njerëzit kishin mendime kaq të forta për trupin e saj.
“Nuk ka të bëjë me atë se si dukesh, ka të bëjë me atë se kush je brenda dhe si i trajton njerëzit dhe në çfarë beson,” tha ajo për revistën.
Pavarësisht pikëpamjes së saj pozitive, reagimi i ashpër ka qenë i mjaftueshëm për ta bërë atë të përlotet.
“Unë shpërtheva në lot kaq shumë herë,” pranoi Sandhu. “Ndonjëherë në kohën më të papritur. Unë bëhem gati të dal në skenë apo diçka tjetër dhe e gjithë kjo gjë më vjen në mendje. Është vërtet e trishtueshme.”
Pas kurorëzimit të saj në Miss Universe, aktorja e Bollywood-it tha se nisi të kalonte më shumë kohë me familjen dhe u fokusua më pak në ushqim dhe stërvitje.
“E kam kaluar atë fazë të jetës sime kur dikur ndihesha keq për gjithçka,” shpjegoi ajo. “Tani, fillova të dua gjithçka. Është në rregull të qash. Është në rregull të ndihesh e trishtuar.”
Duke ndarë historinë e saj, Sandhu tha se shpreson që edhe të tjerët të mësojnë t’i përqafojnë trupat e tyre që ndryshojnë.