Ministrat e Energjisë të Bashkimit Evropian do të takohen sot, në Pragë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për trajtimin e çmimeve të larta të energjisë.
Thirrjet për një zgjidhje në mbarë BE-në u intensifikuan pasi Gjermania u kritikua për shpalljen e një pakete të subvencionimit të gazit me vlerë deri në 200 miliardë euro (194.2 miliardë dollarë), por planet për kufizimin e çmimeve ndryshojnë shumë në të gjithë bllokun.
Propozimet e paraqitura gjatë javëve të fundit përfshijnë blerjen e gazit, kufizimin e çmimit të importeve të gazit rus, kufizimin e çmimit të transaksioneve të gazit brenda bllokut dhe vendosjen e një tavani në çmimin e gazit të përdorur për prodhimin e energjisë elektrike.
Gjermania mbetet skeptike ndaj masave që ndërhyjnë drejtpërdrejt në çmimin e gazit dhe kërkon të bëjë progres në blerjet e përbashkëta.
Vende të tjera, përfshirë Francën, Belgjikën dhe Italinë, po bëjnë thirrje për vendosjen e një kufiri të çmimit të gazit.
Spanja dhe Portugalia tashmë po subvencionojnë koston e gazit të përdorur për të prodhuar energji elektrike për të ulur çmimet për konsumatorët dhe bizneset, një masë kjo që është pranuar edhe nga vendet e tjera anëtare të BE-së.
Ministrat e Energjisë pritet të diskutojnë gjithashtu reformimin e tregut të energjisë elektrike dhe mënyrat sesi mund të financohen planet për vendosjen e një çmimi të gazit në mbarë BE-në.
Disa vende duan të frymëzohen nga pandemia e Covid-19, gjatë të cilës vendet anëtare të BE-së morën borxhe të përbashkëta ose ofruan garanci të përbashkëta për kreditë kombëtare.
Udhëheqësit e BE-së pritet të vazhdojnë diskutimin për financimin në një samit në Bruksel javën e ardhshme. /DPA/