“Arsimi është arma më e fuqishme që mund ta përdorni për të ndryshuar botën.”
Për një kohë të gjatë në vendin tonë janë bërë eksperimente me diçka që nuk guxon të jetë objekt i improvizimit – me arsimin. Pikërisht arsimi është themeli mbi të cilin ndërtohet çdo shoqëri. Kur këtu bëhen hapa të gabuar, pasojat i ndiejnë brezat, jo vetëm sot, por edhe nesër.
Për një kohë të gjatë, arsimi i lartë ka pësuar dëme të mëdha për shkak të zgjidhjes ligjore të miratuar në vitin 2018. Nuk bënte njëra, u soll një tjetër edhe më e keqe. Ulja e pragjeve për avancim në tituj, rënia e produktivitetit shkencor, ulja e mbështetjes financiare për universitetet dhe një sërë çështjesh të tjera, sollën edhe ulje të cilësisë.
Gjatë kësaj periudhe nuk është realizuar asnjë vlerësim serioz, nuk janë evidentuar dobësitë dhe nuk janë propozuar zgjidhje thelbësore. Ndërkohë, nevoja për ndryshim është e dukshme. Si Qeveri, nuk mund të lejojmë të mbyllim sytë dhe të lëmë pas edhe një dekadë të humbur. Kjo është përgjegjësia dhe detyra jonë.
Prandaj iu qasëm ndryshe. Besojmë se përparimi nuk ndërtohet me imponim, por me partneritet. Sot kemi vendosur një marrëdhënie të vërtetë partneriteti me komunitetin akademik. Qëllimi i mirë u njoh dhe së bashku punuam për krijimin e një ligji të ri për arsimin e lartë që do t’u përgjigjet sfidave reale dhe do të hapë perspektiva të reja.
Për mua është veçanërisht e rëndësishme që zgjidhja e re ligjore krijon kushte që të rinjtë të qëndrojnë këtu. Të ndërtojnë rrugën e tyre profesionale dhe jetësore në vendin e tyre. Për herë të parë, studentët që me bursa shtetërore studiojnë në 100 universitetet më të mira në botë, si dhe studentët më të mirë në Maqedoni – fitues të “Unazës së Inxhinierisë” apo të shpallur më të mirët në universitetet e tyre – do të kenë përparësi në punësim në universitetet shtetërore. Rinia është çelësi i qëndrueshmërisë dhe zhvillimit.
Po vendosim një model të ri të financimit të institucioneve të arsimit të lartë. Një pjesë e mjeteve do të orientohen drejt zhvillimit, ndërsa një pjesë do të varen nga rezultatet. Më shumë punë e investuar do të thotë edhe më shumë mjete. Do të investojmë më shumë, por do të kërkojmë edhe llogaridhënie.
Buxheti për universitetet këtë vit është 7,5 miliardë denarë – ndjeshëm i madh se në vitet paraprake. Ky trend do të vazhdojë. Paralelisht, po e stimulojmë edhe veprimtarinë shkencore, sepse në botën bashkëkohore përparojnë ata që krijojnë njohuri, e jo vetëm ata që i shfrytëzojnë ato.
Me mbështetjen për punime shkencore, me rritjen e citimeve dhe me forcimin e dukshmërisë ndërkombëtare, dëshirojmë që universitetet tona të njihen sërish si qendra të cilësisë dhe inovacioneve.
Ky ligj nuk është miratuar prapa dyerve të mbyllura. Zhvilluam debat të gjerë, dëgjuam universitetet, ekspertët, studentët. Kjo është një zgjidhje e përbashkët. Dhe pikërisht për këtë besoj se do të japë rezultate.
Në fund, dua t’i falënderoj të gjithë ata që dhanë kontribut. Komunitetin akademik, universitetet, profesorët, ministren e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska. Ky nuk është ligj i një Qeverie, por ligj për të ardhmen e shtetit. Ligj i cili duhet të sjellë cilësi, stabilitet dhe perspektivë.
Erdhi koha të ndalojmë me eksperimentet dhe të fillojmë me zgjidhje sistemore.
Si gjeneratë duhet të jemi të vetëdijshëm se nëse vazhdojmë të funksionojmë në këtë mënyrë, do t’i humbim të rinjtë dhe të mos çuditemi pse mijëra të rinj tanë studiojnë në universitetet e rajonit. Duhet të ofrojmë cilësi nëse duam të kemi gjenerata që nesër do ta udhëheqin këtë shtet. Me improvizime dhe me zgjidhje ad-hoc ose zgjidhje që janë krijuar vetëm për një grup të vogël njerëzish, nuk mund të ecim përpara.
Ose do ta bëjmë punën ashtu siç duhet, ose më mirë të mos e bëjmë fare, t’i vëmë kyçin dhe ta dimë se shteti nuk ka të ardhme, por unë do të luftoj për aq kohë sa jam Kryetar i Qeverisë që ky shtet të ketë një të ardhme shumë më të madhe se kjo që dikush për fat të keq e parashikon, dhe për fat të keq disa struktura opozitare që duan ta kthejnë në ato kohë të errëta e të zymta të mbushura me krim, korrupsion, mungesë cilësie dhe mospërparim.
Duhet të përparojmë në ranglistat ku vlerësohen universitetet tona, ndjeshëm edhe në Ranglistën e Shangait, e cila deshëm apo s’deshëm, përfaqëson listën kryesore referente që vlerëson cilësinë e arsimit të lartë.
Nëse mendojmë se dikush do t’ia marrim të drejtën dikujt, përkundrazi nuk kemi një qëllim të tillë, prandaj është edhe ky takim këtu sot, prandaj u zhvilluan edhe ato debate që ministrja e Arsimit pati me të gjithë ju, sepse thjesht duam një proces gjithëpërfshirës dhe një proces në të cilin në fund do të kemi një zgjidhje të përbashkë dhe t’i lëmë partitë e tjera politike që nuk duan cilësi, të jenë kundër kësaj zgjidhjeje ligjore. Ne duam që bashkë me ju të gjenerojmë cilësi. Kjo nuk është çështje politike, kjo është çështje shtetërore, kjo është çështje që duhet ta përcaktojë të ardhmen e këtij shteti.
Të rinjtë të qëndrojnë këtu, kurse ata që u larguan të kthehen, sepse kujtoj edhe kohë të tjera kur universitetet tona ishin konkurruese me universitetet e rajonit dhe kur ishte përjashtim që nxënësit tanë të shkollave të mesme të largoheshin jashtë vendit, ndërsa sot kjo për fat të keq po bëhet rregull. Jemi dëshmitarë të panairëve të universiteteve dhe shteteve që na i marrin të rinjtë, sepse të rinjtë nuk po gjejnë cilësi këtu në vend, në atdheun e tyre, në arsimin e lartë.
Ju lutem të gjithëve që bashkërisht të shtojmë vlerë në këtë proces, të arsimojmë gjenerata që do të jenë shtylla e së ardhmes së atdheut tonë të përbashkët.


