Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se festat e Nëntorit në Shkup janë shënuar edhe përmes një mbrëmjeje muzikore, ku të pranishmit patën mundësi të shijojnë performancën e këngëtares shqiptare Rona Nishliu, së bashku me The New Orchestra, nën dirigjimin e Edon Ramadanit.
Mexhiti theksoi rëndësinë e muzikës në ruajtjen e historisë, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar, duke vlerësuar rolin e saj ndër breza.
“Sonte, Nëntorin e shqiptarëve e festuam përmes muzikës, asaj që ndër breza na ka shoqëruar në gëzime, në beteja dhe në përpjekjet tona për liri”, ka shkruar Mexhiti.
Ai tha se përmes këngës shqiptarët kanë ruajtur historinë, kanë mbajtur gjallë emrat e heronjve dhe kanë komunikuar me njëri-tjetrin edhe në kohët kur kufijtë ua pamundësonin këtë.
Duke folur për mbrëmjen muzikore në Shkup, Mexhiti u shpreh se fuqia bashkuese e muzikës u përjetua përmes një prej zërave më të njohur të muzikës shqiptare.
“Pikërisht këtë fuqi bashkuese të muzikës e përjetuam sonte në Shkup, me një prej zërave më të njohur të muzikës shqiptare, Rona Nishliun, e cila na nderoi me ardhjen e saj nga Kosova, së bashku me The New Orchestra, nën dirigjimin e Edon Ramadanit”, theksoi ai.
Kryetari i Çairit vlerësoi gjithashtu praninë e artistëve nga Kosova dhe Shqipëria në festimet shqiptare, duke thënë se këto aktivitete kanë domethënie të veçantë përtej kufijve shtetërorë.
“Përtej kufijve, gjithmonë kemi ndarë me njëri-tjetrin gjuhën, kulturën dhe dashurinë për artin shqiptar”, ka shkruar Mexhiti.
Ai shtoi se pikërisht këtë frymë synojnë ta kultivojnë në Çair, duke krijuar më shumë hapësirë për takime artistike dhe kulturore.
Në fund, Mexhiti falënderoi artistët dhe publikun për emocionet e kësaj mbrëmjeje, duke uruar: “Gëzuar Festat e Nëntorit!”
Burimi: alfax.mk

