protokolli i mushkonjes si u perdoren palestinezet per te kontrolluar zonat e rrezikshme ne gaza 6b0a1c0b48793

“Protokolli i mushkonjës”, si u përdorën palestinezët për të kontrolluar zonat e rrezikshme në Gaza

November 28, 2026
min lexim

Ushtria izraelite ka përdorur civilë palestinezë si mburoja njerëzore gjatë operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës, në raste të shumta dhe me dijeninë e komandantëve ushtarakë. Kështu raporton gazeta amerikane The Wall Street Journal (WSJ), duke iu referuar dëshmive të ushtarëve izraelitë.

Sipas gazetës, dëshmitë e mbledhura konfirmojnë edhe një investigim të transmetuar nga televizioni publik izraelit Kan 11, në emisionin Zman Emet. Në këtë raportim, ushtarë dhe oficerë treguan se palestinezët ishin detyruar të hynin në tunele dhe ndërtesa për të kontrolluar praninë e eksplozivëve, në vend të përdorimit të dronëve apo qenve të specializuar të njësisë ushtarake Oketz.

Kjo praktikë, e njohur brenda ushtrisë si “protokolli i mushkonjës”, përfshinte edhe raste të rënda të keqtrajtimit të civilëve.

Një prej rasteve të përmendura nga WSJ lidhet me një palestinez të ri, i cili kishte shenja të dukshme të aftësisë së kufizuar mendore.

Gjatë verës së vitit 2024, ai u mbajt nga ushtarët izraelitë në zonën e Shuxhaijes, ku, pasi u rrah dhe iu lidhën sytë, u detyrua të kontrollonte dollapët dhe dyshekët për eksplozivë. Më pas, ai u la i lirë në një zonë ku po zhvilloheshin luftime.

Një tjetër ushtar dëshmoi se kishte parë trupa izraelite duke detyruar një palestinez të hynte në ndërtesa në Xhabalia, në nëntor të vitit 2024.

Njëri prej ushtarëve i tha gazetës se kur kërkuan nga komandantët të përdornin dy qen për kontrollet, morën përgjigjen se në vend të tyre do të kishin një “mushkonjë”, duke iu referuar një palestinezi. Sipas tij, personi ishte i frikësuar dhe nuk kishte asnjë shenjë se ishte pjesëtar i Hamasit.

Ndërkohë, një zyrtar ushtarak izraelit bëri të ditur për WSJ-në se autoritetet kanë nisur hetimet për dhjetë raste të dyshuara të përdorimit të civilëve si mburoja njerëzore në Gaza dhe gjashtë raste të tjera në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Reagime të forta në Izrael ndaj raportimit

Publikimi i këtyre dëshmive ka nxitur debate dhe reagime të shumta në Izrael. Sipas WSJ-së, disa zyrtarë, mes tyre ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, si dhe lideri i opozitës, Avigdor Lieberman, kundërshtuan transmetimin e investigimit në Kan 11.

Lieberman e cilësoi raportimin si një “akuzë gjaku”, ndërsa kundërshtarët e transmetimit argumentuan se publikimi mund të dëmtonte imazhin ndërkombëtar dhe sigurinë e Izraelit, si dhe të krijonte pasoja ligjore për ushtarët jashtë vendit.

Megjithatë, Gjykata e Lartë e Izraelit rrëzoi kërkesën për ndalimin e transmetimit të emisionit.

Reagimet nuk munguan as nga publiku. Disa shikues e konsideruan programin si një akt tradhtie, ndërsa rezervisti Ben Yaakov Sabo deklaroi për televizionin izraelit Kanali 14 se ndalimi i kësaj praktike mund të kushtonte shumë jetë.

Në anën tjetër, 113 rezervistë, oficerë dhe komandantë ushtarakë i dërguan një letër televizionit Kan 11, duke kërkuar transmetimin e investigimit.

Në letrën e tyre, ata theksuan se ushtarët nuk kanë nevojë të mbrohen nga e vërteta, pasi, sipas tyre, janë pikërisht fshehja e fakteve dhe përhapja e gënjeshtrave ato që i vënë në rrezik.

Studiuesja e medias në City St George’s, Universiteti i Londrës, Ayala Panievsky, deklaroi për WSJ-në se reagimet ndaj këtij raportimi dëshmojnë se kritikat ndaj ushtrisë vazhdojnë të mbeten një çështje tabu në shoqërinë izraelite.

Gazeta rikujton gjithashtu se në shtator kryeministri Benjamin Netanyahu kërcënoi me revokimin e shtetësisë për kineastët izraelitë, pas dokumentarit “Naza”, i shfaqur në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, i cili trajton vrasjen e civilëve palestinezë në Gaza.

Ndërkohë, lufta e Izraelit në Rripin e Gazës, e nisur në tetor të vitit 2023, ka shkaktuar rreth 75 mijë viktima palestineze dhe mbi 176 mijë të plagosur, sipas shifrave të cituara në raportim.

Pjesa më e madhe e viktimave janë gra dhe fëmijë, ndërsa rreth 90 për qind e infrastrukturës së enklavës është shkatërruar.

Burimi:TV21

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

sjellim arsimin e klasit boteror ne shqiperi profesori i lse james abdey permes luarasit studentet perfitojne standardet akademike te londres 6b0a1c07dcfd5
Lajmi i mëparshëm

“Sjellim arsimin e klasit botëror në Shqipëri”/ Profesori i LSE, James Abdey: Përmes Luarasit, studentët përfitojnë standardet akademike të Londrës

Të fundit nga

ShkoLartë